Me tallje dhe përqeshje, lajmi nuk ka peshë

Tallja dhe përqeshja e funksionarëve nuk është diçka e panjohur as në hapësirën tonë mediatike e as nëpër botë. Por kur bëhet fjalë për diçka që lidhet me funksionin e tij. Gjithçka që lidhet me veprimtarinë e tij si zyrtar shtetërore, duhet matur, kontrolluar, mund edhe të ketë sarkazëm nëse ka nevojë, por deri në një masë njerëzore, pasi edhe në gazetari ekziston etika, e cila na ndalon të merremi me jetën e funksionarëve nëse nuk ka lidhje me punën që e bën.

Linku deri te artikulli: Zv.ministri Maksuti sa për sy e faqe vetëm 15 sekonda para kamerave (Video)

Data e publikimit: 05.02.2019

Data e recensionit: 21.02.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Në këtë rast, autori i tekstit ka tentuar që të përqeshë zëvendës ministrin e mbrojtjes, me fjalë të tërthorta.

Gjoja se qenka turp që një zëvendës ministër, mos të jetë në kuadër të televizioneve kur i marrin deklaratë ministres. Dhe ky është i gjithë faji i ministrit Bekim Maksuti. Që nuk ka ndodhur në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për ta kapur kamerat.

“Zv.ministri Bekim Maksuti sot është parë në rendin e parë gjatë një fjalimi të shefit të tij, minstrja Radmila Shekerinska, por një gjë mund të vërehet nga paraqitja e tij në videon e marrë nga rrjeti social facebook e ministres, ku zv.ministri ‘Gjon Bozuku’ shihet vetëm sa për sy e faqe vetëm 15 sekonda para kamerave, përcjell fjala.mk” shkruhet në tekst

Ajo që është më dëshpëruese në këtë shkrim, është fakti se autori ka përdorur një nofkë përçmuese si “Gjon Buzuku” pasi që zëvendës ministri pati bërë një gafë në një emision.

Lexuesit nuk i pëlqejnë përçmimet, kërkon informatën

Lexuesit i vërejnë menjëherë kur ndodhin kësi lloj përçmimesh, pasi ata janë po sa gazetarët, ndjekës aktiv të ndodhive ditore dhe lajmeve. Prandaj që në titull, e më pas edhe në tekst kur përdoret nofka përçmuese, mund ta dallojnë mllefin e autorit të tekstit ndaj zëvendës ministrit. Lexuesit në një lajm kanë të drejtë të marrin informatën relevante dhe jo tu servohen tekste të cilat kanë për qëllim  që të përçmojnë njerëz, pavarësisht se mbajnë funksion publik.