Mediat nuk duhet t’i tmerrojnë qytetarët me detaje nga lojrat vetëvrasëse që mund edhe të mos ekzistojnë

Фото: Принтскрин колаж
Nga: Fatbardha Curri

Kanë kaluar një vit, që kur lojëra elektronike famëkeqe “Balena Blu” alarmoi prindërit por edhe institucionet arsimore në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe më gjerë, se çdo shenjë vetëlëndimi i nxënësve dhe mes nxënësve, mund të ishte rezultat i një ndikimi dhe varshmërie të tyre ndaj kësaj loje. Disa muaj më pas, u alarmua edhe për një lojë tjetër, “Momo”, ndërkaq fill pas një viti, prill 2019, sërish u alarmua për praninë e kësaj loje në RMV, me regjistrimin e katër rasteve të nxënësve të vetëlënduar në Manastir.

Situata u bë më alarmante, sepse ende pa arritur konfirmimi se vetëlëndimi i 4 nxënësve ishte si rezultat i lojërave elektronike, mediat nisën analizën ndaj kësaj.

“ ‘Momo’ dhe ‘Balena Blu’ – rrezik interneti apo panik prindërore?”, shkruan Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase.

Sipas koordinatorit të projekteve në Fondacionin për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis”, Goran Rizaov ekzistimi i këtyre lojërave elektronike, përveç se në RMV, nuk është vërtetuar as në shtetet jashtë saj.

“Mediat nuk është e para herë që publikojnë për këto lojëra. Publikimet për ata tashmë janë që katër vjet, mirëpo deri tash nuk ka pasur një njoftim zyrtar, jo vetëm tek ne, por edhe në botë, se këto lojëra vërtetë ekzistojnë, dhe se vërtetë e kanë shtyrë dikë që të vetëlëndohet, apo të lëndojë dikë tjetër”, tha Rizaov në edicionin qendror të lajmeve të “1TV”, i cili tha se gazetarët duhet që me shumë kujdes t’u qasen lajmeve të këtilla, t’i verifikojnë informacionet dy herë nga dy burime, dhe t’i verifikojnë të dhënat që ua japin burimet.

Raportimi i shpeshtë, mund t’i rrisë rastet e vetëlëndimit

Mediat duhet të kenë kujdes, se informimi sa më i shpeshtë i rasteve të vetëlëndimit apo vetëvrasjeve nga kjo lojë elektronike, rrisin mundësinë që rasti të përsëritet, duke u mësuar si i tillë edhe nga ata që nuk është dëgjuar dhe ditur.

Kjo është në kundërshtim edhe të rekomandimeve që dalin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila duke trajtuar rastet e vetëvrasjeve-vetëlëndimeve, thotë se raportimi i mediave për mënyrën se si realizohet ai akt, apo në rastin tonë si luhet apo duken lojërat e tilla elektronike, ka sjellë edhe në imitimin e sjelljeve të raportuara nga mediat.

“Kanë qenë të kryera mbi 50 vetëvrasje imituese. Vlerësimet e këtyre rasteve ka sjellë përfundimin, se: raportimi i mediave gjatë vetëvrasjeve, mund të çojë në sjellje imituese vetëvrasëse. Imitimi ndryshon në bazë të kohës, rrethanave, duke e arritur kulmin brenda tri ditëve të para, duke e zbutur brenda dy javëve, ndonjëherë edhe më shumë”, thuhet në raportin e OBSH-së.

Mediat nuk duhet të tregojnë histori familjare të viktimave

Mediat gjatë raportimit të rasteve të vetëlëndimit të nxënësve, kanë shtjelluar probleme familjare, madje edhe atë e kanë adresuar edhe në teori psikodinamike, të cilat psikologjia i paraqet me gjenezë familjare, në raportet prind-fëmijë.  Kjo ka futur në lojë edhe shumë psikolog dhe sociolog, të cilët duke shjelluar shkaqet dhe pasojat e kësaj sëmundje, realisht kanë mundësuar edhe shpërndarjen dhe përfshirjen e fëmijëve të tjerë në të. Fundja, vallë fëmijët a nuk mësojnë me metodën e modelit?

Të tillat raste, përveç se ngjallin panik, siç ishte rasti edhe në titullin më lartë (“ ‘Momo’ dhe ‘Balena Blu’ – rrezik interneti apo panik prindërore?”), sipas OBSH-së mund të jetë një faktor që çdo fëmijë ta sheh veten pjesë të historisë së viktimës.

“Kur personit i përshkruhet  historia, nëse lexuesi apo shikuesi janë të ngjashëm në një farë mënyrë. Fëmijët, dhe personat që veçmë gjenden në gjendje të caktuar psikopatologjike, mund të jenë të ndjeshëm ndaj përfshirjes në këto situata, dhe të simulojnë sjellje vetëlënduese-vetëvrasëse”, thuhet mes të tjerash në raportin e OBSH-së.

Rasti i “Balena Blusë” – të çlirohet nga sensacioni medial

“Tmerrohet Maqedonia: Katër fëmijë i kanë pre venat për shkak të lojës “Balena Blu”, shkruan Lajmpress.org.
“E frikshme: Maqedoni, 4 nxënës fillorist kanë prerë venat pas lojës “Momo” dhe “Balena Blu””, shkruan Zhurnal.al.
“E mitura nga Manastiri është vetëlënduar duke i prerë venat”, shkruan MKD.mk.

Regjistrimi rasteve të reja, si në mediat shqipfolëse edhe ata maqedonishtfolës u raportua me një sensacion, që është në kundërshtim me parimin e tetë të Kodit Etik të Gazetarëve i cili thotë:“Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësisë, duhet të lirohet nga sensacioni”.

Rasti i dy lojërave elektronike, ka ditur të shkelë edhe privatësinë e personave të përfshirë, siç ishte rasti, siç u cilësua nga mediat, viktimës së parë të kësaj lojë, e cila gjithashtu shkeli Kodin Etik të Gazetarëve: “Gazetari duhet ta respektojë privatësinë e personit, vetëm nëse ajo është në kundërshtim me interesin publik. Gazetari është i obliguar që ta respektojë dhimbjen e personave”.

Mediat nuk duhet ta harrojnë rolin kryesor: Edukimin

Nëse i shohim lajmet, shpesh herë ata bazohen në shkaqet dhe pasojat, e asnjëherë nuk shpërndajnë mënyra se si të mbrohen nga lojërat elektronike. Mediat duhet të kenë rol të rëndësishëm në mënyrën e trajtimit të problematikave të shoqërisë, duke e marrë rolin e edukatorit. Mediat duhet të tregojë mënyrë se si të mbrohemi nga lojërat elektronike, se  ku duhet të drejtohen qytetarët nëse janë të përfshirë në dukuri të tilla devijuese, me qëllim që të marrin ndihmën adekuate.

Se me mediat nuk shkon diçka, tregoi edhe titulli i publikuar nga DW në gjuhën maqedonase, i cili thotë: “Derisa partitë bëjnë gjueti votash, kurse “Balena Blu” mbyt fëmijë”.

Nëse e hapim lajmin, shohim se fillimisht përdorimi i fushatës zgjedhore, për të trajtuar problemin e  lojërave elektronike është i gabuar. Më tej, nga atje tërë fokusin e vendosin te kronologjia se si është paraqitur loja, dhe sa jetë njerëzish ka marrë, se sa si duhet të mbrohet nga ajo. Madje, çfarë duhet t’i bëhet analizë një informacioni, nëse nuk është verifikuar ende si i tillë.

“Lajmi se nxënësit janë vetëlënduar, ME SHUMË GJASË nga instruksionet e “Balena Blusë”, tregoi se disa nga prindërit nuk kanë kontroll fare ndaj fëmijëve të tyre”, thuhet ndër të tjerash në lajmin e DW-së.

Është shumë me rëndësi që prindërit, së bashku me fëmijët, të vendosin rregulla se çka është e përshtatshme dhe e sigurt për t’u përdorur në internet dhe si fëmijët të sillen në mënyrë të përgjegjshme. Duke punuar së bashku prindërit dhe fëmijët, mund të përfitojnë më shumë nga përdorimi i internetit dhe në të njëjtën kohë të minimizojnë rrezikun që mund t’u kanoset fëmijëve nga përdorimi i pasigurt i internetit, në këtë rast edhe nga lajmet që publikohen si media.

Për rolin e shokëve, prindërve dhe mësimdhënësve në mbrojtjen e fëmijëve nga lojërat elektronike, viziton ueb faqen: http://bezbednonainternet.org.mk/content/view/177/61/lang,sq/ , për më shumë ndiqe videon më poshtë:

https://www.youtube.com/watch?time_continue=16&v=nuAw4VkML_g