Në periudha të ndjeshme, bëhen lajme të ndjeshme. Ky është një rregull i pashkruar që pa të drejtë përdoret në gazetari. Por ajo është çfarë “shitet në pazar”. Në momentin kur në Maqedoni u votuan ndryshimet kushtetuese dhe kështu u miratua edhe ndryshimi i emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, filluan edhe tekstet me elemente polarizimi të skajshme dhe me elemente patriotike. U shpallën heronjë e tradhëtarë. Edhe pse ky fenomen ishte më i dukshëm tek mediat në gjuhën maqedonase, nuk mungonte edhe në mediat në gjuhën shqipe.
Linku deri te artikulli: Millishovski kruhet me Bujar Osmanin ( foto )
Data e publikimit: 13.01.2019
Data e recensionit: 27.01.2019
Recensuese: Ferikan Iljazi
Autori i këtij teksti që po e recensojmë, ka shfrytëzuar një status Fejsbuku të një deputeti të VMRO-së i cili e kishte shkruar një poezi nga autori maqedonas Grigor Përliçev.
Po ajo që bie në sy është rastësia që në poezi, të përmendet “BUJAR LIGDO”, edhe pse nuk ka asnjë lidhje me Bujar Osmanin që e njohim ne. Por këtë ngjashmëri, e shfrytëzuan të gjithë media online për ta bërë këtë status fejsbuku si dyluftim mes Bujar Osmanit dhe Antonio Milloshovskit, edhe pse nuk kishte asnjë lidhje të tillë.
Mediat bënë bujë me këtë lajm, duke e interpetuar si “kruarje e një maqedonasi me një shqiptar”, edhe pse në asnjë element, nuk kishte as indikacione për një qasje të tillë.
Pavarësisht që në poezi përmendet një farë Bujari, kjo poezi është shkruar në rrethana të tjera historike, dhe për tjetër “Bujar”, që nuk ka lidhje me Bujar Osmanin, politikanin, që e njohim ne.
Por në vrap për ekskluzivitet dhe klikime më shumë, nuk po zgjidhen mjetet.
Mos u besoni lajmeve me motive patriotike se aty nuk ka informatë!
Meqë interneti është një mekanizëm i fortë për ata që duan të dijnë më shumë dhe të verifikojnë lajmet, sygjerimi është që kur të lexoni lajme të tilla që shajnë, përgojojnë, ose glorifikojnë dikë, të bëni disa hulumtime dhe të shihni nëse ka ndonjë të vërtetë në ato pohime. Për shembull, në këtë lajm, mjaftoi një “search” në google për të verifikuar tekstin origjinal të poezisë, në të cilin duket se fjala ose personi Bujar, është shkruar aty në mënyrë origjinale, dhe nuk ka patur se si autori i ndjerë i poezisë, ta dijë se në të ardhmen në politikë do të jetë ndonjë Bujar. Deputeti Milloshovski në këtë rast nuk ka përse i kërkon llogari një shqiptari për përdhosjen e emrit të shtetit dhe identitetit të maqedonasit, por llogari mund tu kërkojë vetëm zyrtarëve maqedonas që janë përgjegjës për popullin ose bashkësinë e tyre etnike.