[Recension: Gjërat që sjellin varfëri: Asnjëherë mos i lini në tryezë]
Teksti të cilin e recensojmë përhap besëtytni, e cila nuk ka absolutisht asnjë lidhje me gazetarinë, as me ndonjë interes publik.
Linku deri te artikulli origjinal: Gjërat që sjellin varfëri: Asnjëherë mos i lini në tryezë
Data dhe koha e publikimit: 6.11.2019
Data e recensionit: 14.11.2019
Recenzues: Ana Anastasovska
Njëra nga të drejtat themelore të njeriut është se çdokush ka të drejtë të besojë në atë që dëshiron. Por, nëse për besimet shkruhen në media, njëra nga rregullat themelore është që nga konceptet personale, kryesisht private, të mos nxirren përfundime të përgjithëshme. Në veçanti, nuk duhet të imponohet pikëpamje të përgjithësuara, të cilat transmetohen si ndonjë rregull.
Pikërisht këtë e kemi në këtë artikull. Transmetohen disa zakone dhe besime, të cilat plasohen si fakte dhe rregulla shkencore, dhe se nëse nuk i respektojmë ato, punët do t’i kemi pisk!
Ka disa gjëra që nuk duhet të jenë në tryezë. Sot do t’ju tregojmë pak më shumë rreth tyre, që t’u shpëtojnë juve dhe familjen tuaj nga varfëria.
Në fakt, teksti transmeton zakone dhe besime për tryezën në të cilën hahet ushqim, gjegjësisht tregon se çfarë nuk duhet bërë dhe lënë në tryezë, që të mos humbasim para dhe të zhytemi në varfëri!
“Rregulli” i parë është të mos lini kapelë në tryezë, pasi kjo mund të çojë në grindje dhe telashe të mëdha.
Njerëzit të cilët qëllimisht lënë kapelë në tryezë, madje rrezikojnë të dëbohen nga shtëpia. Nëse nuk keni ku ta leni, atëherë më mirë ta mbani në duart tuaja. Kjo do ta mbrojë shtëpinë tuaj nga varfëria.
Kapela nuk lihet në tryezën ku hahet ushqim për arsye të thjeshta higjienike, e jo se do të dëboheni nga shtëpia ose se do të bini në varfëri.
Artikulli më tej thotë se enët e ndyra nuk duhet të lihen pa u larë gjatë natës.
Para fjetjes, gjithmonë duhet t’i mblidhni të gjitha pjatat dhe takëmet e ndyra. Është më mirë t’i lani menjëherë. Megjithatë, nëse nuk e keni këtë mundësi ose dëshirë, thjesht çoni ato në lavaman. Në kohërat antike, besohej se nëse enët e ndyra lihen të qëndrojnë në tryezë deri në mëngjes, mund të çojnë në shumë sëmundje të njerëzve që jetojnë në atë shtëpi. Prandaj, është më mirë të shkoni në shtrat 30 minuta më vonë, por ta mbani tryezën e pastër.
Nëse i lini enët e ndyra në tryezë, të nesërmen mund ta keni edhe më të vështirë për t’i larë, pasi mbetjet e ushqimit do të ngurtësohen. Larg asaj se do të sëmureni.
Teksti po ashtu rekomandon që të mos vendosen jastëkë në tavolinë, pasi rrezikoni të sillni grindje në shtëpinë tuaj.
Disa prej jush menjëherë do të pyesin: “Kush vendos jastëkë në tryezë?” Në fakt, ka shumë raste të tilla. Për shembull, kur jeni duke pastruar ose nëse ju bie jastëku në tokë, që të mos jetë në dysheme, mund ta vendosni kudo me nxitim, duke përfshirë edhe tryezën e ushqimit. Megjithatë, besimet popullore thonë se kurrë nuk duhet ta bëni një gjë të tillë! Nëse vendosni jastëk në tryezë, rrezikoni të keni grindje në shtëpinë tuaj.
Jastëkët, ashtu si edhe kapelet, nuk lihen në tryezë për arsye higjienike, gjegjësisht për shkak të rrezikut të baktereve.
Më poshtë është dhënë edhe një këshillë tjetër, e shoqëruar me një përfundim:
Nëse keni nevojë ta fshini tryezën, bëjeni atë me një leckë ose sfungjer. Zakonet tona të marra na shkatërrojnë. Gjithashtu është mirë ta dini se nuk është mirë të fshini tryezën me letër. Kjo do të rezultojë me humbjen e shumë parave në të ardhmen e afërt. Disa njerëz e anashkalojnë këtë rregull dhe pastaj vazhdimisht pyesin pse nuk kanë para.
Se si fshirja e një tryeze me letër ka lidhje me humbjen e parave, ende nuk është dëshmuar.
Në fakt, i gjithë materiali është përhapje e besëtytnisë së thjeshtë dhe asgjë më shumë. Ky publikim nuk mund të klasifikohet si tekst gazetaresk, sepse nuk i ka elementet themelore të gazetarisë dhe, më e rëndësishmja, nuk ka lajm.