Një artikull duhet të informojë, konstatimet e autorit s’janë informacion

Foto nga lajmi që recensohet

Supozime, konstatime personale, bazim në një tekst të publikuar diku tjetër, pastaj thirrje në burime anonime, komente, anshmëri, “sulm” ndaj një subjekti të caktuar politik. Hapje dilemash,  përmbajtje tekstesh të pabazuara aspak, ose të bazuara në tjera publikime, duke i përzier të gjitha këto, e duke servuar si “të vërtetë ”një artikull “gazetaresk” që nuk e përmbush as qëllimin kryesor, informimin e lexuesit.

Foto nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Aq e pat, ndahet në dysh BESA, njëra anë Kasami tjetra Hoxha

Data e publikimit: 01.03.2021

Data e recensionit: 14.03.2021

Recensuese: Ajnur Bafqari      

Jo, nuk ka asnjë ndarje në sipërfaqe! Këto janë konstatime të autorit        

Në tekstin që po recensojmë, janë të gjitha ato që i përmendëm më lartë. Autori e vë partinë në fjalë “buzë greminës”, thotë se është para shkatërrimit total, rikthehet në kohën e zgjedhjeve, nxjerr rezultatin, thirret në burime të cilat i quan të sigurta, dhe pa pasur as deklarata dhe asnjë dëshmi të vetme thotë se brenda kësaj partie ekzistojnë përçarje. I ndan deputetët në dy grupe dhe madje flet edhe për refuzime, të cilat pretendon se vijnë nga një ministër kundrejt kreut të partisë. Asgjë nga këto që ka shkruar nuk i dëshmon me asnjë argument.

“Partia Lëvizja BESA apo tani siç njihet edhe si Dvizhenje BESA është në prag të shkatërrimit total. Deri sa kjo parti nuk mori më shumë se 1.000 vota në Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni tani kjo votë do të përgjysmohet akoma më shumë ose do të zhduket fare”, thuhet në tekst.

Kur më lehtë është të përfshish një tekst të ngjashëm, se të marrësh mundimin për të bërë disa telefonata për konfirmim (qëndrim zyrtar)

Për ti dhënë “peshë” asaj që e ka shkruar në tekst, autori fut edhe një pjesë të një artikulli tjetër të publikuar nga një media maqedonase. Por kjo pjesë e tekstit e bën akoma më të paqartë se në çfarë mënyra do të bëhet ndarja dhe ku do të “drejtohen” deputetët pas ndarjes. Në mënyrë hipotetike, disa deputetë herë kalojnë në një parti e herë në një tjetër, varësisht nëse autori vendos të thirret në burimet e veta, apo ato të portalit maqedonas. Flet për takime të shpeshta, por nuk ofrohet as edhe një fotografi, përveç një screenshot të fotografisë që portali në gjuhën maqedonase ka përdorur, por që është foto e vjetër, e keqpërdorur për të manipuluar me opinionin.

“Portali në gjuhën maqedonase Zoom.mk shkruan se Bilall Kasami dhe Fadil Zendeli janë dy deputetët e koalicionit qeveritar që do të kalojnë tek koalicioni AASH-VMRO-DPMNE për një shumicë të re parlamentare por burimet e portalit Shqipmedia thonë se Bilall Kasami ditëve të fundit takohet shpesh me zyrtarët e BDI-së për të negociuar një koalicion për Zgjedhjet Lokale pse jo edhe të shpëtojë veten e tij dhe karrierën politike duke i’u bashkangjitur partisë mëmë prej nga ikur”, thuhet në tekst.

Nëse të bën konfuz, lëre fare!

Teksti ofron konfuzion dhe jo informacion, nuk është gjithëpërfshirës, nuk ka burime relevante të informacionit, nuk ka fotografi adekuate dhe përmban shumë komente në vete. Komente përmban edhe titulli, i cili  është manipulativ. Pak më vonë i njëjti demantohet nga njëri nga protagonistët e tekstit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, reagon Arianit Hoxha.

“Lëvizjen BESA nuk mund ta përçajnë tekstet e shkruara nga djemtë e analistëve që fshihen pas portaleve të tipit “zoom.mk” e as transmetuesit dhe mercenarët e portaleve të tipit “Shpif Media”, thuhet në postimin e Arianit Hoxhës.

Konceptet e manipulimit: “Prirje për të konfirmuar këndvështrimin e vet” dhe “Arsyetimi rrethorë”

Autori manipulon me lexuesit e vet duke favorizuar dhe gjurmuar informacione që i konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese. Ai ka gjetur edhe një tjetër tekst në gjuhën maqedonase për të konfirmuar në njëfarë mënyre, pretendimet e veta. Por edhe një tjetër koncept manipulimi mund të haset në këtë tekst, është “Arsyetimi rrethor”, manipulim ky që përdoret kur autori priret për të dëshmuar vërtetësinë e një pretendimi nën supozimin së është e vërtetë. Përdor konkluzionin e synuar si supozim fillestar.

Kursejeni veten nga “faqe” që ju servojnë tekste të tilla

Një tekst i stërmbushur me komente, me asnjë burim informacioni, sulm ndaj dikujt dhe asnjë dëshmi është një tekst që nuk i kënaq nevojat e juaja si lexues. Mos bini pre e teksteve të tilla manipulative, mbani mend nga ku vijnë, dhe injorojeni herën tjetër. Nuk ja vlen të humbisni kohën kot. Kursejeni veten.