Nuk është e vërtetë që Greqia ka mbyllur kufirin për banorët e disa komunave të Maqedonisë së Veriut!

Në kohën kur Maqedonia e Veriut po përballet me numër të shtuar të personave të prekur nga virusi korona, ndërsa disa komuna theksohen si “vatra të reja të koronavirusit”, mediat onlajn nxituan të përfitojnë nga kjo situatë duke publikuar informacione të rreme, gjoja shteti fqinj Greqia, mbyll kufirin për banorë të komunave të caktuara të Maqedonisë së Veriut. Ky informacion mori dhenë, duke marrë shumë klikime dhe duke dezinformuar një numër të madh të qytetarëve, të cilët në kohë pandemie besojnë thuajse çdo gjë që shohin në faqet e internetit.

Foto nga lajmi i recensuar

Linku deri te artikulli: Greqia mbyll kufirin për banorët e Çairit, Tetovës, Kumanovës

Data e publikimit: 03.06.2020

Data e recensionit: 03.06.2020

Recensuese:  Ajnur Bafqari

Tekstin që po e recensojmë në fakt e kemi hasur në disa media online dhe në përmbajtje të tij thuhet se Greqia ka ndaluar hyrjen për disa shtetas të Maqedonisë së Veriut, të cilët jetojnë në komunat ku në ditët e fundit ka pasur rritje të madhe të numrit të të infektuarve të rinj me COVID- 19. Në tekstin që po recensojmë pretendohet madje, se një informacion i tillë ka dalë pikërisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë.

“Ministria e jashtme greke ka njoftuar se nuk do të lejohet udhëtim në vendin fqinj për banorët e komunave që kanë numër më të madh të infektuarve me koronavirus.
Ndalesa do të vazhdojë deri më 1 korrik. Ajo vlen për banorët e Çairit, Tetovës, Kumanovës, Haraçinës, Butelit, Shuto Orizares, Studeniçanit, Tearcës dhe Likovës”- thuhet në tekst

Përmbajtjen e këtij “informacioni”e kanë përgënjeshtruar Ministritë e Jashtme të Greqisë dhe RMV-së
Siç e potencuam më lartë, një tekst i tillë është shpërndarë në më shumë media online, ku në disa prej tyre, madje kanë nxjerrë një fotografi të bërë print screen, ku pretendohet se është komunikatë e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e ku vërehet qartë se ka manipulime. E para, i gjithë teksti është shkruar me shkronjat e alfabetit grek, ndërsa vetëm në pjesët ku përmenden qytetet ku gjoja qytetarëve të tyre u ndalohet hyrja në Greqi, janë të shkruara me shkronja të alfabetit latin. Se ky është lajm i rremë  apo “fake news” ose e kanë konfirmuar edhe ministritë e të dyja shteteve.

 

Foto 2:

Kur diçka (asgjë) nuk shkon me një tekst!
Me të gjitha parregullësitë që gjenden brenda tekstit, ai duhet të mbante titullin “Më injoro!”. Teksti nuk ka fakte, gjegjësisht faktet që i paraqet janë të pavërteta. Burimin e vetëm të informacionit e ka të rremë, ndërsa ka bërë bujë të madhe për shkak të gjendjes aktuale. Teksti ka për qëllim shtrembërimin e të vërtetës, paraqet vetëm gënjeshtër dhe përmban vetëm “palën greke”.

Koncepti i manipulimit “Thirrje në autoritet” “Analogjia false”
Ky lloj manipulimi përdoret në situata kur dikush dëshiron t’i atribuon vërtetësinë një deklarate vetëm sepse është thënë nga një autoritet. Por në rastin në fjalë edhe vetë deklarata me shkrim është falsifikuar, pasiqë në të vërtetë nuk kishte të bënte me komunikatë autoritetesh, në këtë rast, të ministrisë së punëve të jashtme. Një tjetër lloj manipulimi i përdorur në këtë tekst është edhe “Analogjia false” ku autori lidh situatën e fundit në komunat në fjalë me temën e hapjes së kufijve, duke e bërë kështu një supozim në kokën e vet, e një lajm të rremë në tekst, duke manipuluar kështu me lexuesit e tij.

Ndonjëherë manipulimi është lehtë i identifikueshëm!
Në këtë tekst shihet me sy të lirë manipulimi, nuk keni nevojë për llupë për ta kuptuar se pretendohet mashtrimi i lexuesve. Në fotografinë ku pretendohet se është screen shot i komunikatës ju nuk po kuptonit asnjë shkronjë të vetme, ndërsa lehtë të lexueshme i keni vetëm emrat e komunave, banorët e të cilëve gjoja nuk lejohen të hyjnë në Greqi. Pse duhej që komunikata të përmbante disa lloje të shkronjave. Pastaj kur ka ndodhur që një shtet të hap kufijtë për një shtet, ndërsa të mbyll për rajone të caktuara brenda kufijve të atij shteti. Përpara se të besoni gjithçka që u servohet, bën mirë të shtoni vetëm pak kujdes, manipulimi ndonjëherë është lehtë i identifikueshëm!