Maqedonia ditë më parë u përfshi nga reshjet e borës. Disa media nuk e lëshuan rastin për të hedhur dyshime se bora dhe moti i ftohtë mund të ndihmojnë përhapjen e virusit. Në fakt është e vërtetë se me paraqitjen e virusit Covid-19, nisën edhe teori të ndryshme për atë se kur mund të zhduket i njëjti. Disa duke u bazuar në viruset sezonal, supozojnë se edhe korona virusi mund të jetë një i tillë, i cili me paraqitjen e stinëve të ngrohta dhe me rritjen e temperaturave do të zhduket . Por për këtë nuk ka akoma fakte, për dy arsye, sepse është akoma herët për të kuptuar nëse është si gripat tjerë, pra sezonal apo jo dhe sepse edhe në vendet e nxehta janë identifikuar persona të prekur me këtë virus. Prandaj mediat në vend se të hedhin dyshime, është më e udhës t’i shuajnë dyshimet duke sjellë fakte dhe me këtë të ndihmojnë në mënjanimin e stresit te qytetarët.
Linku origjinal i artikullit: Bora në prill thikë me dy tehe, mund ta ndihmojë Koronavirusin?!
Data e publikimit: 26.03.2020
Data e recensimit: 04.04.2020
Recensuese: Naile Dauti
Teksti që vendosëm ta recensojmë ka disa mangësi profesionale, etike dhe morale. Në artikull ose më saktë në vetëm tri rreshta janë hedhur dyshime për mundësinë e përhapjes së korona virusit, me paraqitjen e reshjeve të borës dhe uljen e temperaturave. Autori është dashur që t’ia bëjë të qartë lexuesit se kjo ide e hedhur në opinion nuk është vërtetuar akoma. Por në fakt ndodh e kundërta artikull shkruesi hedh dyshime për mundësinë e përhapjes më të madhe të virusit.
Titulli për koronën, por vetëm tre rreshta flitet për të
Në dy paragrafët e tekstit flitet për shqetësimet e agronomëve, të cilët borën e konsiderojnë thikë me dy tehe. Nga njëra anë sipas tyre reshjet janë të mirëpritura për shkak të dimrit të vobektë me reshje, por nga ana tjetër, reshjet e borës mund të shkaktojnë dëme tek pemët, të cilat veçse kanë lulëzuar.
“Bora në Maqedoni vitet e fundit bie rrallë, prandaj na gëzon edhe sikur të bie në mes të korrikut edhe gushtit. Mirëpo agronomët paralajmërojnë se reshjet e sotme të borës janë në njëfarë mënyre thikë me dy tehe.
Ata thonë se në njërën anë këto reshje janë të mirëseardhura për akumulacionet e zbrazura, për shkak të dimrit të vobektë me reshje. Por nga ana tjetër, reshjet e borës mund të shkaktojnë dëme tek pemët, të cilat veçmë kanë lulëzuar, transmeton Gazeta Lajm. Një e mirë, sipas agronomëve, është se nuk parashikohet ngricë gjatë orëve të mbrëmjes, prandaj shpresojnë se dëmet nuk janë aq të mëdha. Ata përjashtojnë mundësinë që kjo borë të dëmtojë të mbjellat e grurit dhe drithërave tjera, sepse nuk ka ftohtë të madh.”, thuhet në tekst.
Por edhe pse gati i gjithë teksti i është dedikuar këtij shqetësimi, autori, siç duket me qëllim, titullin (Bora në prill thikë me dy tehe, mund ta ndihmojë Koronavirusin?!) ia referon tri rreshtave të vetëm për CoVid-19. Por pse? Sepse në këtë kohë tema më e ‘nxehtë’ dhe me interes për mbarë opinionin vendor dhe ndërkombëtar është pikërisht virusi korona.
“Në opinion parashtrohet pyetja nëse reshjet e borës ndihmojnë ose shkatërrojnë Koronavirusin, duke pasur parasysh vlerësimet e para të mjekëve ishin se temperaturat e larta e shkatërrojnë këtë virus.”, thuhet në tekstin që recensojmë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë gjithashtu thotë se ekspozimi në diell ose në temperatura më të larta se 25 gradë, NUK të mbrojnë nga korona virusi. Virusin COVID-19, thuhet më tej në web faqen e OBSH-së, mund ta marrësh, nuk ka rëndësi sa e nxehtë ose e ftohtë është koha. Vendet me temperatura të larta, thuhet tutje, kanë raportuar raste me COVID. Për të mbrojtur veten, sigurohuni që t’i lani duart më shpesh dhe shmangni prekjen e syve, gojës dhe hundës.
Ndërkohë në nenin 8 të Kodit Etik të Gazetarëve, i cili nuk është respektuar thuhet:
“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.”
Konceptet e manipulimit “Thirrje e emocioneve” dhe “Prova selektive”
Në tekst ndeshemi me dy lloje më të theksuara manipulimi. Autori i tekstit duke e ditur gjendjen emocionale të qytetarëve, e përdorë atë si grep për tërheqjen e sa më shumë klikimeve, pra vë në funksion ndjenjat e pakëndshme të njerëzve, frikën, pasigurinë, për përfitime materiale. Veprimet e tilla bien ndesh me standardet etike dhe profesionale. Në manipulimin tjetër autori priret të tregojë fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe në të njëjtën kohë injorim të fakteve që janë kundër të njëjtës. Pra autori as që është munduar të kërkojë fakte ose më e pakta të hapë web faqen e OBSH-së dhe t’i tregojë opinionit se nuk ka nevojë për frikë.
Për lexuesit
Siç edhe e shqyrtuam më lart, akoma nuk është dëshmuar nëse temperaturat luajnë rol në përhapjen apo parandalimin e korona virusit, prandaj nuk keni pse e shqetësoni veten për këtë pjesë. Por edhe sikur të ketë ndonjë rol, nuk mund të bëhet asgjë ndaj proceseve natyrore. Prandaj gjëja me rëndësishme dhe kryesore që mbetet në dorën tuaj është kujdesi maksimal për veten dhe të tjerët rreth jush. Si gjithmonë, thirrja jonë për lexuesin vazhdon të mbetet e njëjtë, shmangni mediat që përhapin panik. Për të dhëna më të sakta të virusit në fjalë, në nivel global, vizitoni web faqen e OBSH-së. Për të dhëna në nivel shtetëror vizitoni web faqen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucione tjera shëndetësore.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.