Nuk guxon të publikohet një informacion i pakonfirmuar

Foto ilustrim

Para thuajse çdo cikli zgjedhor përveç që ndizen motorët e propagandës, edhe situata ndëretike në vend tensionohet dhe gjithmonë ka informacione për rrahje, sulme dhe gjëra të tilla që tërheqin vëmendjen e opinionit, me qëllim defokusimin. Disa media online, mezi presin situata të tilla, pasi dihet që interesimi i lexuesve rritet dhe bashkë me të edhe klikimet. Në këtë rast, nevojitet vetëm një video me përmbajtje me rrahje dhe fyerje dhe pa konfirmuar akoma asgjë, “lajmi” merr dhenë. I tillë është lajmi që recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Publikohet video nga rrahja në mes tifo grupit shqiptar dhe atij maqedonas

Data e publikimit: 23.12.2019

Data e recensionit:16.01.2019

Recensuese:  Ajnur Bafqari

Autori ka publikuar një video, ka përshkruar përmbajtjen e videos dhe e kurorëzuar një titull tendencioz. Në tekstin në fjalë përshkruhet vendi ku ka ndodhur ngjarja, përshkruhet tekstualisht e gjithë përmbajtja e videos, por pa u bërë e qartë me fakte se kush ishin personat në video. Autori nuk ka as informacione zyrtare nga Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa në buletinin e Ministrisë, deri më sot nuk ka pasur asnjë njoftim lidhur me një përleshje të tillë.

Gazetari duhet të ketë kujdes, të mos nxisë urrejtje ndëretnike

Autori thirret në burime jo-zyrtare dhe flet për përleshje mes grupit të tifozëve “Shvercerat” dhe atij “Komitët”, grupe këto të përkatësive etnike shqiptare dhe asaj maqedonase, ndërsa përleshjen e ndërlidh me një rast që ka ndodhur më herët, duke e hutuar lexuesin edhe më shumë.  Autori gjithashtu edhe vet përmend se kjo gjë nuk ndodh për herë të parë, dhe se nxitja e urrejtjes ndëretnike ndodh gjithmonë para zgjedhjeve, me qëllim të promovimit të politikës nacioanliste dhe mbledhjes së votave.

“Nga burime jo-zyrtare thuhet se sulmuesit janë tifo grupi “Shvercerat” të cilët me këtë veprim kanë kryer hakmarrje për incidentin e disa ditëve më parë, kur “komitët” sulmuan disa kosovarë në Shkup. Kjo ngjarje nuk është e para e këtij lloji, edhe më herët, sidomos para zgjedhjeve, grupacione të caktuara politike kanë nxitur urrejtje ndëretnike për poena politik ditor, duke promovuar politika nacionaliste. “-thuhet në tekst.

Lajmi duhet të jetë gjithpërfshirës

Gazetari duhet të përpiqet që lajmi të jetë gjithpërfshirës, të përmbajë sa më tepër informata dhe të paraqesë sa më tepër burime, burime zyrtare dhe nga ekspertët, varësisht nga ajo se sa ato janë objektivisht në dispozicion. Veçanërisht në rast të lajmeve të ndjeshme si teksti në fjalë, gazetari e ka për obligim që t’i atribuojë deklarimet e tilla, që konsiderohet si nivel minimal i gjithpërfshirjes së lajmit.

Konceptet e manipulimit “Thirrje në traditë” dhe “Analogji false”
Autori mundohet që ta paraqesë tekstin e tij si të vërtetë vetëm sepse e njejta korrespondon me përvojën dhe traditën. Një gjë të tillë autori madje e thekson edhe vetë në fund të tekstit. Autori po ashtu ka përdorur konceptin e manipulimit “Analogji false” duke e ndërlidhur rastin e sulmit ndaj qytetarëve kosovarë në Shkup dhe rastin për të cilin po bëjmë recensionin, duke supozuar se kanë lidhje mes vete.

Mos lejoni që të ju mashtrojë një titull tendencioz
Nëse shihni një tekst të tillë, ku titulli është tendencioz, përmbajtja mund të nxisë dhunë dhe urrejtje, nuk ka burim të informacionit të qartë dhe nuk ka konfirmim zyrtar nga ana e institucioneve kompetente, me shumë  gjasa jeni duke e lexuar një tekst bosh që aspak nuk ka të bëjë me informacionin.