Nuk ka vendim të ri për orën policore, madje nuk ka as gjendje të re të jashtëzakonshme 30 ditore

Në kohën kur përveç shqetësimit për shëndetin kolektiv, gjithnjë e më shqetësuese bëhen izolimi dhe masat për parandalimin e shpërndarjes së virusit COVID 19, disa media online e shohin këtë si një mundësi për të fituar sa më shumë klikime. E dinë se informacionet për lirim apo shtrëngim të masave, tanimë janë në listën e prioriteteve të popullatës, prandaj nxitojnë të publikojnë informacione edhe pa mos i verifikuar ata, me të vetmin qëllim – përfitimin e klikimeve.

Linku deri te artikulli: Qeveriamervendim: orapolicorevazhdonedhepër 30 ditët e ardhëshme

Data e publikimit: 15.05. 2020

Data e recensionit: 18.05.2020

Recensuese: Ajnur Bafqari

 

 

Kur autori nuk e kupton as vet se çfarë ka shkruar!

Në tekstin që po recensojmë autori është përhumbur në përdorimin e termeve, tjetër gjë thotë në titull e tjetër gjë në tekst, por asnjërën prej tyre nuk e ka të saktë. Për shembull, në titull thuhet se ora policore vazhdon edhe për 30 ditët e ardhshme, ndërkohë që qeveria nuk ka marrë as një vendim të tillë.

Ora policore dhe gjendja e jashtëzakonshme janë dy gjëra të ndryshme

Në përmbajtje të tekstit autori heq dorë nga ora policore 30 ditore, por assesi nuk heq dorë nga gjendja e jashtëzakonshme 30 ditore. E para, vendimin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme në mungesë të parlamentit e merr presidenti dhe jo qeveria. Ndërkohë që autori thotë që qeveria “ka vendosur” që gjendja e jashtëzakonshme të zgjatet edhe për 30 ditë të tjera. Ne i themi se qeveria vetëm “e ka kërkuar” një gjë të tillë, ndërsa vendimin e mori presidenti edhe atë për vetëm 14 ditë dhe jo 30 sa kishte kërkuar qeveria. Ndryshe në seancën e 53-të, qeveria ka vendosur që t’ia dorëzojë presidentit Stevo Pendarovski, raportin me propozimin për gjendje të jashtëzakonshme dhe jo të shpall gjendje të jashtëzakonshme.

“Qeveria në mbledhjen e sotme derisa ka analizuar situatën rreth pandemisë të shkaktuar nga koronavirusi, ka vendosur që gjendja e jashtëzakonshme në vend të zgjas edhe 30 ditë të tjera, gjegjësisht deri kah mesi i qershorit.”- thuhet në tekst.

Vendimin për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme nuk e merr qeveria por presidenti!

Sa për qartësim, lidhur me situatën me pandeminë COVID-19, Komisioni për sëmundje ngjitëse mban mbledhje dhe diskuton për situatën momentale dhe masat të cilat duhet të merren në përputhshmëri me këtë situatë. Propozimet e dala nga komisioni, i dorëzohen qeverisë, e cila më pas vendos nëse do të hyjnë në fuqi ose jo. Ndërsa lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme, në rastin tonë kur kemi Kuvend të shpërndarë, vendimin e merr presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Koncepti i manipulimit “Prirja për anim dhe tërheqje të vëmendjes”

Autori ka përdorur këtë koncept manipulimi me faktin që i ka kushtuar më shumë rëndësi informacioneve që kanë dhe nxisin vlera emocionale ose njohëse, ndërsa në të njejtën kohë injoron informacionet e tjera faktike. Autori në mënyrë aktive angazhohet në kërkim dhe publikim të informacioneve që kanë të bëjnë me orën policore dhe gjendjen e jashtëzakonshme dhe të njejtat janë pjesët e vetme të theksuara në tekstin e publikuar duke neglizhuara informatat e tjera relevante.

Nëse një tekst nuk i plotëson kriteret për të qenë artikull gazetaresk, s’ka ç’ju duhet!

Nëse hasni në një tekst të tillë që ju krijon vetëm paqartësi injorojeni, mundohuni të informoheni nga media online të cilat janë të dëshmuara, që kanë më shumë burime të informacioneve, fakte edhe atë të verifikuara dhe të shënuara. Shikoni nëse teksti është gjithëpërfshirës ose vëreni fshehje të informatave. Nëse vëreni që një tekst nuk është i plotë dhe nuk i plotëson kushtet për të qenë një artikull gazetaresk, atëherë injorojeni.