Foto nga Portalb.mk
Ministria e Punëve të Brendshme i informon qytetarët se nëpër rrjete sociale me qëllim që të shpërndahet panik, po shpërndahet një lajm i rrejshëm se gjoja dy persona, nëpër Maqedoni po kidnapojnë fëmijë, njofton Portalb.mk.
“Ditët e kaluara, individë të caktuar me qëllim që të shkaktojnë panik, nëpër rrjetin social “Fejsbuk” shpërndajnë fotografi të dy personave, gjoja se të njëjtit kanë kidnapuar fëmijë në Maqedoni”, thonë nga MPB.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se bëhet fjalë për rast në Meksikë, i cili nuk ka lidhje me Republikën e Maqedonisë.
“Këto dy persona janë arrestuar në Meksikë në gusht të vitit 2018 për shkak të dyshimit për kidnapim”, thonë nga MPB.
Fotografia e dy personave është nxjerrë nga një lajm i 28 gushtit të vitit 2018-të, të cilin mund ta shihni: KËTU
Policia dhe Prokuroria po punojnë për gjetjen e autorëve që kanë shpërndarë këtë lajm të rrejshëm që të njëjtët të sanksionohen.