Qytetarët që hyjnë në Maqedoninë e Veriut duhet të kenë test për Kovid-19, që të mos i nënshtrohen karantinës shtetërore!

Lajmi që botohet duhet të informojë lexuesin për diçka të re, por jo edhe ta mashtrojë atë vetëm për të përfituar klikime. Gjithashtu, lajmi duhet të jetë i qartë, i saktë dhe i konfirmuar nga burime zyrtare apo institucione relevante – i tillë nuk është artikulli që recensojmë. Artikulli nevojitet t’i përgjigjet të gjitha pyetjeve bazë (çka, si, pse, kur, ku, kush) që lexuesi të marrë informacionin e plotë dhe pa keqkuptime.  

Linku original i artikullit: U VENDOS – Kjo është data kur mund ta bëjnë pushimin gurbetçarët në vendlindjen e tyre!

Data e publikimit: 20.05.2020

Data e recensimit: 21.05.2020

Recensuese:  Naile Dauti

Artikulli që recensojmë  përveç që është dezinformatë, ngjallë edhe shumë pikëpyetje te lexuesit, për të cilat nuk merr asnjë përgjigje. Titulli i artikullit është mjaft premtues, bindës. Por kur e hap artikullin, lexuesi dëshpërohet me varfërinë e informacioneve dhe kupton se në këmbim të besimit që i ofron kësaj medie, ai merr veç zhgënjim.

“Sipas disa informatave të marra, data tani është vendosur, mbetet vetëm të zyrtarizohet ditëve në vijim. Gurbetçarët mezi e kanë pritur këtë lajm, tani ata në këtë datë mund të vijnë në pushime.”, thuhet në artikull.

Siç edhe mund të shihet, autori ka krijuar një “lajm” fare të zbrazët me tre-katër rreshta, i cili është fund e krye gënjeshtër. Në të thuhet se data për ardhjen në pushime të mërgimtarëve në vendlindje është vendosur, por nuk përmend asnjë datë qoftë edhe jo zyrtare.  Nuk jepet sqarim as kur do të ndodhë që mërgimtarët  mund të vijnë në vendlindje,  as si dhe çfarë pason nëse vijnë në Maqedoni, edhe pse titulli të asocon në marrjen e këtyre përgjigjeve. Njëkohësisht  i jep përshtypjen lexuesit , sikur gjithçka varet nga një vendim i vetëm qeveritar, gjë që nuk  është e vërtetë. Gjithçka varet nga disa vendime qeveritare, sepse siç ndodh edhe në shume vende të botës, por edhe këtu, masat për mbrojtje nga pandemia hiqen në mënyrë graduale dhe jo të menjëhershme.

Vendimi i fundit që na jep të nënkuptojmë rikthim gradual në normalitet është ai i seancës së 56-të, në të cilin thuhet se personat të cilët kthehen nga jashtë me fluturime humanitare ose konvoj në 72 orët e fundit para se të hyjnë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kanë bërë test PCR për virusin COVID-19, në vend të karantinës së detyrueshme shtetërore, do të drejtohen në vet-izolim të detyrueshëm shtëpiak. Ndërkohë në seancën e 55-të, Qeveria solli vendim që udhëtarët nga jashtë, të cilët hyjnë në territorin e Maqedonisë së Veriut, pas përfundimit të periudhës kohore prej 21 ditëve apo 14 ditëve në karantinë të detyrueshme shtetërore, nuk do të jenë të obliguar  të qëndrojnë në vetëizolim shtesë shtëpiak, e cila ishte e detyrueshme pas karantinës shtetërore. Pra akoma, çdo person që do të hy në vendin tonë do t’i nënshtrohet karantinës shtetërore, nëse nuk ka bërë test për koronavirus, ndërsa ata që kanë test për koronavirus siç e cekëm më lartë, do të bëjnë vetizolim të detyrueshëm shtëpiak.

Kodi Etik i Gazetarëve rekomandon që saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur dhe se nëse bëhet fjalë për supozim apo spekulim kjo duhet thënë.

“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.” ,  thuhet në nenin e parë të Kodit Etik të Gazetarëve.

Artikull shkruesi, vetëdijshëm apo pa vetëdijshëm ka vënë në funksion dy lloje manipulimesh “Thirrjen e emocioneve”  dhe  “Prirja për anim të vëmendjes”. Të dy këto manipulime vinë në shprehje kur autori në vend të fakteve niset nga bindja e veta, si dhe kur fokusi qëndron në informacionet që sjellin vlera emocionale. Autori e di mirë se një lajm i tillë do të ngjallte interesin e  një pjese dërrmuese lexuesish dhe me shumë gjasë këtë e ka përdorur si grep për tërheqjen e lexuesve, pra me mashtrim. Kjo është jashtë standardeve etike dhe profesionale  me të cilat duhet të funksionojë media e mirëfilltë.

Lexuesi shumë lehtë mund ta kuptojë që një lajm i tillë nuk është krijuar aspak për informimin e tij, por për përfitime të vetë medias, prandaj nuk duhet t’i kushtojë  aspak vëmendje. Në këtë mënyrë, pra me injorimin që i bëhet, do të jemi kontribues që media të tilla jo profesionale të zhduken nga terreni mediatik.

Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.