Në prag të festës së Bajramit, ku bazuar në propozimin e Komisionit për sëmundje infektive, për herë të parë mund të jetë ndryshe nga çdo bajram tjetër, me izolim të plotë dhe pa mundësi për faljen e namazit dhe vizitat e familjarëve, në opinion qarkullojnë lloj-lloj spekulimesh lidhur me atë se si do të jetë i rregulluar regjimi i lëvizjes. Larg këtyre spekulimeve nuk e gjeten aspak veten mediat online, të cilat madje shkuan aq larg, sa e “shpikën” një mbledhje të qeverisë. Interesimi i opinionit mjaft i madh, po aq e madhe mundësia për manipulim nga ana e mediave të internetit.
Linku deri te artikulli: Tensione në mbledhjen e Qeverisë: BDI po kërkon orë policore edhe ditën e Arifes, LSDM dhe Alternativa kundër?!
Data e publikimit: 20.05.2020
Data e recensionit: 22.05.2020
Recensuese: Ajnur Bafqari
Një “mbledhje qeverie” inekzistente!
Në tekstin që po recensojmë, autori flet për tensione në “mbledhjen e qeverisë”, madje me një skenar të menduar mirë të zbukuruar me terme “tensione” dhe “të tensionuar” dhe duke favorizuar parti të caktuara politike, e duke mbajtur anë. Në titullin e tekstit të publikuar autori në fund ka vendosur dy shenja të pikësimit, të cilat e vënë në pikëpyetje përmbajtjen e tekstit, megjithatë ky titull shërben si një karrem për të gjithë ata që po mbajnë frymën pezull për të parë se çfarë do të ndodh me një prej festave më të mëdha për komunitetin mysliman. Në këtë mënyrë autori e arrin qëllimin e tij kryesorë, mbledhjen e klikimeve.
“Këto burime thonë se në qeveri ka tre qëndrime- ministrat e LDM-së po angazhohen për të pranuar propozimin e Komisionit për sëmundje infektive, ose eventualisht që orë policore të ketë gjatë këtyre ditëve nga ora 16 deri në ora 5 të mëngjesit.Ministrat e BDI-së dhe VMRO-së insistojnë që orë policore të ketë që nga dita e premte në mbrëmje, ose të shtunën në mëngjes (ditën e Arifes) deri të martën pa ndërpre, kurse ministri i Alternativës, Hysni Ismaili, ka propozuar që të mos ketë fare orë policore, ose eventualisht ajo të jetë nga ora 21 në mbrëmje deri në ora 5 në mëngjes. Zyrtarisht ende nuk ka asnjë informacion, por pritet të gjendet një kompromis mes gjithë këtyre propozimeve”– thuhet në tekstin që po recensojmë.
Kur “burimet anonime” të një institucioni, i hedh poshtë vetë institucioni me anë të komunikatës!
Ndërkohë që autori flet për burime brenda mbledhjes së qeverisë, e përderisa thekson se ngjarja po zhvillohet në momentet kur po shkruhet teksti, nëpër e-postat e redaksive arrin një komunikatë zyrtare nga shërbimet qeveritare cila e përgënjeshtron tërësisht këtë tekst. Në komunikatë theksohet që demantohen të gjitha dezinformatat lidhur me atë që Qeveria është duke mbajtur seancë.
Komunikata e Qeverisë:
“I demantojmë dezinformatat se Qeveria sot ka mbajtur seancë. Sot nuk kishte seancë qeveritare dhe nuk është sjellur asnjë vendim qeveritar. Të gjitha vendimet lidhur me masat për përballje me Covid 19 merren ekskluzivisht me vendime qeveritare. Opinioni do të jetë i informuar menjëherë pasi të caktohet seanca e ardhshme e Qeverisë, si dhe për çfarëdolloj vendimi të ardhshëm të Qeverisë.”-thuhet në komunikatën e qeverisë
Vetëm një tekst me të gjitha “nishanet”, mund të jetë një tekst që i plotëson standardet gazetareske!
Mbledhja e Qeverisë nuk është mbajtur akoma dhe vazhdon të mbetet e paqartë se cili do të jetë vendimi i Qeverisë, megjithatë një pjesë e opinionit tashmë janë dezinformuar dhe nuk dinë më se çfarë të besojnë lidhur me këtë çështje. Lexuesit për të cilët shkruhen tekstet, nuk e meritojnë aspak të mashtrohen. Mediat nuk duhet nxituar të publikojnë, gjoja ekskluzivitete, në kohëra kur gjithçka është kaq e paqartë. Duhet pritur vetëm burimet zyrtare përpara se të publikohet çfarëdolloj përmbajtje që pretendon informimin e lexuesve.
Koncepti i manipulimit “Thirrje në mundësi”
Ky koncept i manipulimit nënkupton prirjen për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë. Autori nëpërmjet këtij koncepti të manipulimit, pohon se me siguri do të sillet një vendim për karantinë, vetëm për shkak se ekziston mundësia shkaku i kërkesës së Komisionit për sëmundje infektive.
Nëse shihni një pikëpyetje në fund të titullit, merreni me shumë rezerva tekstin!
Lexues, edhe nëse jeni duke pritur për një informacion si ky, mundohuni që të informoheni vetëm nga media të dëshmuara. Mos harroni që në një tekst duhet të kërkoni vetëm burime relevante të informacionit dhe të gjitha elementet tjera që një tekst e bëjnë artikull gazetaresk. Me vetëm një shikim mund ta vëreni nëse teksti ka ndonjë pjesë të shkëputur nga deklaratat apo komunikatat e institucioneve kompetente dhe vetëm kështu mund të siguroheni nëse po lexoni një “informacion” ose thjeshtë një “dezinformatë”. Kujtojmë se propozimet e Komisionit për sëmundje infektive janë vetëm propozime, të cilat më pas diskutohen në qeveri nga ku edhe merret vendimi.