Që nga titulli, ky “lajm” merret me një çështje e cila nuk përbën interes publik. Gazetari gjithmonë duhet të publikoje lajme për detyrimet dhe përgjegjësite e politikanëve ndaj qytetarëve por nuk është punë e gazetarit të vlerësoje se sa fetar është apo nuk është një politikan. Liria e besimit paraqet liri individuale të çdo njeriu të besojë në çka të dojë dhe në mënyrë të lirshme ta manifestojë apo praktikojë besimin e tij.
Linku deri te artikulli origjinal: Takimi i liderëve në kohë Ramazani / A agjëronte sot Ali Ahmeti
Data dhe koha e publikimit: 18.05.2020
Data e recensionit: 20.05.2020
Recensues: Ardit Ramadani
Edhe pse në lajmin të cilin e recensojmë thuhet “Agjërimi është çështje personale”, ky parim nuk është respektuar nga gazetari i cili ka publikuar të njëjtin, lajmi nuk është informativ dhe nuk përbën interes publik.
Për më tepër i njëjti ngrenë disa pyetje për të cilat më pas ju bën thirrje qytetarëve që “të shikojnë dhe gjykojnë”, parashtrohet pyetja, pse ju bëhet thirrje qytetarëve që “të gjykojnë” në qoftë se një politikan agjëron apo nuk agjëron? Përveç se lajmi është irelevant, lehet gjithashtu përshtypja se lajmi është tendencioz.
Shkelje e parimeve gazetareske dhe nxitje për “gjykim” në bazë të religjionit
Informacioni se a agjëron apo jo një politikan është privatësi e vetë personit dhe informacion i panevojshëm për opinionin publik.
Me këtë lajm është shkelur pika e 7 e Kodit Etik të gazetarëve e cila thotë : “Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin publik.”
Figurat publike kanë më pak të drejtë për privatësi; megjithatë, informacioni mbi jetën e tyre private mund të bëhet i njohur vetëm nëse përbën interes publik.
Gjithashtu pika e 10 e Kodit Etik: “Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual..)
Ky lajm gjithashtu mund të konsiderohet si propagandë, apo informacion i cili nuk është objektiv dhe përdoret për të ndikuar në mendimin e njerëzve për qëllime të njohura vetëm autorit. Këto lloj propagandash zakonisht përmbajnë mesazhe emocionale dhe jo racionale, të njëjtat kryesisht ndahen në politike, fetare dhe komerciale.
Për në fund, mediat janë rojet e interesit publik, ata duhet të mbrojnë të drejtat themelore të njeriut dhe jo të cenojnë ata duke krijuar lajme të cilat drejtpërdrejtë ndërhyjnë në jetën fetare të një politikani, duke ju bërë thirrje qytetarëve që të “gjykojnë” në qoftë se një politikan është fetar apo jo.