Në kohë pandemie globale, kur i gjithë planeti ballafaqohet me një virus të panjohur, “një armik të padukshëm” siç e kanë quajtur autoritetet nëpër botë, të gjitha teoritë e konspiracionit duket sikur “pinë ujë” tek njerëzit. Të gjithë janë “shndërruar në veshë” në kërkim të një përgjigjeje ndaj pyetjes “çfarë po ndodh me botën?”. Prandaj mediat e internetit në përpjekje për të grumbulluar sa më shumë klikime, me tituj intrigues dhe përmbajtje tekstesh të mbushura me teori konspiracioni, publikojnë tekste të cilat përveç që krijojnë huti, nuk japin as edhe një informacion të vetëm.
Linku deri te artikulli: Perfundimisht Zbul’ohet Orgjina E COVID 19 Nga Shkencetaretç Nuk Është Virus..Fakte Tmerruese
Data e publikimit: 17.04.2020
Data e recensionit:15.05.2020
Recensuese: Ajnur Bafqari
Kur autori përpiqet t’u jep fund dyshimeve mbi virusin korona!
Përderisa gjatë gjithë kohës, përfaqësuesit e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)-së flasin për tentimet se si të tejkalohet situata me Covid-19, nga të gjitha anët qarkullojnë teori të ndryshme konspiracioni lidhur me këtë lloj virusi. Në tekstin që po recensojmë autori nëpërmjet titullit “i jep fund ankthit” dhe në titullin që e ka vendosur pretendon se “përfundimisht” është zbuluar origjina e virusit, duke nënvizuar se në fakt ky nuk është madje as virus. Në vazhdim të titullit ka shtuar edhe termin “fakte tmerruese” me qëllim që të intrigojë sa më shumë lexuesit që ballafaqohen me të. Ky titull është një karrem që ka për qëllim “kapjen” e sa më shumë klikimeve. Titulli e shtyn lexuesin të bëjë interpretim të gabueshëm.
“Laboratori në qendër të vëzhgimit mbi pandeminë ka realizuar hulumtime mbi lakuriqët nga shpella, për të cilët shkencëtarët besojnë se janë burimi origjinal i koronavirusit.
Dokumentet e marra nga The Mail të dielën tregojnë se Instituti i Virologjisë në Wuhan realizoi eksperimente me virusin korona mbi gjitarë të kapur në Yunnan – financuar nga një grant prej 3.7 milionë dollarësh nga qeveria amerikane.
Sekuencimi i gjenomit Covid-19 ka çuar shkencëtarët të gjurmojnë atë tek lakuriqët që gjenden në shpellat e Yunnan.”- thuhet në tekst
Supozime dhe vetëm supozime!
Autori thirret në të dhënat e një laboratori për hulumtim të pandemisë, flet se gjoja lakuriqët janë burimi origjinal i virusit, megjithatë këto pretendime nuk i bazon askund. Teksti flet për disa dokumente të cilat nuk shfaqen askund, ndërkohë nuk ka as edhe një prononcim të shkencëtarëve tek të cilët thirret se kanë bërë zbulimin. Autori duhet ta ketë parasysh se që një artikull gazetaresk të bëjë pjesë në grupin e zhanreve informative, duhet qe artikullin e tij ta bazojë në fakte, me qëllim arsyetimin e qëllimit të tij kryesorë- informimin. Teksti në fjalë nuk bazohet në fakte, por përveç që është i përkthyer, përmban vetëm supozime, pasi herë pas here në tekst përmendet termi “besohet” dhe nuk jep ndonjë sqarim të saktë rreth asaj që shkruhet.
Nuk mund të jetë artikull i plotë gazetaresk, nëse nuk ka burime relevante të informacionit.
Të vetmet burime të informatave, të pranishëm në tekst, janë disa “burime të larta të qeverisë dhe institute borërore të shëndetësisë” të cilat nuk precizohen aspak, gjë që i bën ata jo relevante. Burimet e informatave duhet të jenë të verifikuara, të vërtetuara dhe të shënuara, gjëra që mungojnë në këtë tekst. Gazetari duhet të përpiqet që lajmi të jetë gjithëpërfshirës, të përmbajë sa më shumë informata dhe të paraqes sa më shumë burime me përvojë, burime zyrtare dhe nga ekspertët.
Nuk duhet lexuar tekste që, vetëm, krijojnë huti!
Lajmi duhet të ketë porosi, qëllim dhe ndikim të caktuar mbi mendimin publik, duhet të ketë njërin prej kualiteteve kryesorë- përmbajtjen, megjithatë në këtë tekst pas përfundimit të leximit nuk mund të vijmë te asnjë përfundim, pasi në asnjë pyetje nuk merret përgjigje. Lexuesi siç “hyn në tekst” ashtu edhe del, përveç hutimit, nuk përfiton asgjë tjetër.
Kur autori sheh shumë filma!
Me një teori konspiracioni, autori hedh poshtë një tjetër teori konspiracioni. Ai thekson se “teoria me lakuriqët” rrëzon supozimet se COVID-19 mund të jetë një “bio-armë”. Skenar i njohur tashmë, teorinë me lakuriqët kemi pasur rastin ta shohim në filmin “The Contagion” të prodhuar në vitin 2011.
Koncepti i manipulimit “Thirrje në besueshmëri”
Autori ka përdorur këtë koncept manipulimi që nënkupton një prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë. Në këtë rast pohimi që virusi mund të përcillet nga lakuriqët tek njerëzit paraqitet si një mundësi e tillë.
Informacionet duhet të vijnë vetëm nga institucionet relevante, gjithçka tjetër mbetet vetëm supozim
Lexues, duhet të përpiqeni që në një tekst të kërkoni vetëm burime relevante të informacionit. Lidhur me pandeminë dihet se OBSH është institucioni nga i cili duhet të informohemi, pastaj institucionet relevante në secilin shtet janë ato të cilat ofrojnë informacione të konfirmuara. Gjithçka tjetër mbetet vetëm si supozim. Pra, nëse lexoni një artikull, përpiquni që të gjeni vetëm burime relevante dhe deklarata apo pjesë të shkëputura nga komunikatat zyrtare, gjithçka tjetër, thjesht injorojeni!