Rrjetet sociale nuk janë matës të emocioneve të funksionarëve

Me zhvillimin e mundësive që i ofrojnë rrjetet sociale, është zhvilluar edhe mundësia për manipulim më të lehtë me lexuesit që nuk janë shumë në rrjedha me përditësimet teknologjike. Autorët e lajmeve përdorin teknika që manipulojnë sidomos persona të moshës më të rritur, që nuk kanë shumë njohuri për funksionimin e Fejsbukut, sikurse në tekstin që po e recensojmë.

Foto nga lajmi qe recensohet

Linku deri te artikulli: Bujar Osmanit i ka hy frika nga ASH ndjek Ziadin Selën edhe në tubimet e Rinisë (foto)

Data e publikimit: 16.06.2019

Data e recensionit: 18.06.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Facebook-u nuk është mjet për matjen e forcave politike

Autori i këtij teksti ka përdorur kyçjen e zëvendës kryeministrit Bujar Osmani në “livestream”-in e ASH-së ku mbante fjalimin kryetari Zijadin Sela për tua “shitur” lexuesve si ndjekje nga frika, e jo nga kurreshtja edhe pse nëpërmjet “livestream”-it, as nuk mund të shihet e as të lexohet emocioni ose mendimi i Bujar Osmanit

Autori ia ka lejuar vetes të parashikojë gjëra dhe lexojë mendime dhe këtë e ka kamufluar si një “tekst informativ”.

“Administratorêt e portalit Fol.mk kanë kapur një detaj, për deri sa lideri i ASH mbante fjalim në Zhelinë gjatë mbajtjes së kuvendit të Rinisë, në videon live në portal kishte hyre për ta shikuar edhe zv/kryeministri  Bujar Osmani. Si duket frika nga rivaliteti i ASH ka bërë që zyrtarët e BDI së ta përcjellin çdo fjalim të Ziadin Selës?!” , shkruan në tekstin që po recensojmë.

Madje autori ka dhënë një vlerësim për të cilin nuk ka dhënë mbështetetje me prova, se Osmani është ndjekësi më i madh i ASH-së dhe Zijadin Selës.

“Si duket zvkryeministri Bujar Osmani është bërë ndjekësi me i madh i Ziadin Selës nëpër rrjetet sociale”, shkruan më tej në tekst.

Autori nuk ka dhënë prova të besueshme

Edhe pse në fund të tekstit është vendosur një fotografi e vogël mikroskopike në të cilën duket emri Bujar Osmani, aty nuk mund të shihet qartë nëse është vërtetë profili i Bujar Osmanit, zëvendës kryeministrit dhe zëdhënësit të BDI-së, prandaj edhe mundësia që ky lajm të jetë manipulim mbetet pezull.

Koncepti i manipulimit : Analogji e rrejshme dhe Vlerësim i anasjelltë

Autori i këtij teksti ka përdorur një koncept manipulimi që është përkufizuar si Analogji e rrejshme, pasi edhe pse kyçja e Bujar Osmanit nuk ka lidhje me matjen e forcave ose frikës nga subjekti politik i Ziadin Selës, ai e ka lidhur këtë situatë të palidhshme,  në mënyrë artificiale, duke dashur të shtrembërojë gjendjen faktike.

Por ka edhe elemente të “Vlerësimit të anasjelltë” pasi që vetëm se Bujar Osmani është kyçur në liverstream, nuk do të thotë se ai e ndjek vazhdimisht ASH-në dhe Ziadin Selën.

Mos bini pre e “klisheve” manipuluese për partitë politike dhe aktorët politik në internet

Dini apo nuk dini mirë se si funksionojnë rrjetet sociale, e sidomos Fejsbuku, gjithmonë merrni me rezerva tekstet që ua servojnë mediat me ngjyrime politike. Nëse marrim rastin që e trajtuam si shembull, duhet të kemi parasysh se as në mënyrë kualitative e as në mënyrë kuantitative, rrjeti social nuk ka se si të masë forcat ose frikën e ndonjë partie ose individi.