Shkrim tendencioz dhe sulm personal për sloganin “hajdeknej”

Fotografi nga lajmi që recensohet

Është e pandershme, në gazetari, të sulmohet një person pa pasur të dhëna që do të sqarojnë qasjen negative në lajmin konkret ndaj tij. Në tekstin që recensojmë sulmohet deputeti i BDI-së Artan Grubi në kontekstin negativ me një qasje joprofesionale.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: “BDI do të heq dorë nga slogani ‘hajdeknej’ për shkak të Artan Grubit!”

Data e publikimit: 03.03.2020

Data e recensionit: 09.03.2020

Recensues: Fatlume Dervishi

BDI-ja ende nuk e ka pranuar si zyrtar për këto zgjedhje sloganin “#hajdeknej” edhe pse ai është përdorur gjerësisht nga funksionarët e saj, në faqet zyrtare elektronike dhe në aktivitetet në terren.
Gazetari i tekstit pretendon se ka siguruar informacione se aktivistët e partisë kanë filluar të tërhiqen nga përdorimi i sloganit. Komentet e gazetarit dhe qasja e tij subjektive fillon kur e vlerëson sloganin “qesharak”. Sipas burimeve të autorit, tërheqja ka ardhur për shkak të reagimeve negative që kanë pasur qytetarët për këtë slogan. Pjesa që vijon është më kontestuesja dhe aty shkruan:

“Sipas të njëjtave burime, edhe më negative reagimet janë bë kur këtë slogan ka filluar ta reklamojë deputeti i tyre, Artan Grubi.
“Po vërehet qartë se Grubi nuk ka imazh të mirë në opinion”, kanë theksuar me keqardhje këto burime.
Sipas tyre, tani do të kërkohet slogan tjetër, kurse deputeti Grubi do të lutet që të mos e reklamojë atë.” – shkruan në tekstin që recensojmë.

Në këtë pjesë autori ka qenë shumë subjektiv, nuk tregon se si përdorimi i sloganit në fjalë nga Artan Grubi ka ndikim drejtpërdrejtë me reagimet negative të qytetarëve ndaj sloganit.
Për më tepër, këto informacione kanë mbetur në kornizat e burimeve anonime. Autori nuk ka dëshmi për të mbështetur burimin e tij anonim i cili thotë se është e qartë që Grubi nuk ka imazh të mirë në opinion. Autori nuk ka tentuar t’i konfirmojë në rrugë zyrtare në BDI dhe as direkt nga Grubi këto pretendime të burimit të tij anonim.

Përdorimi i slloganit “#hajdeknej”

Slogani jozyrtar “#hajdeknej” është përdorur në faqen e BDI-së në “Facebook” më 3 mars, pikërisht në ditën kur është shkruar teksti i gazetarit. Kjo e vë në pikëpyetje peshën e pretendimit të gazetarit se aktivistët janë tërhequr nga përdorimi i tij. Për ta verifikuar, gazetari duhet të kishte pyetur në adresën e duhur, në parti. Për të komentuar sloganin dhe për të pasqyruar kritikat ndaj tij, gazetari duhet të kishte pyetur aktivistët për të cilët thotë se e kanë kritikuar.

Teknikat e manipulimit

Gazetari ka përdorur prova selektive, duke përzgjedhur fakte që flasin në mbështetje të një pretendimi dhe duke injoruar faktet që flasin të kundërtën. E dyta, është përdorur edhe sulmi personal ndaj personit të përmendur. Metodat sqarohen në Doracakun e Crithink-ut.

Për publikun

Lajmet e këtilla janë tendencioze për shkak se nxjerrin në pah vlerësimet subjektive të gazetarit pa u mbështetur me fakte, ashtu siç është karakteristikë për lajmin profesional. Është e thjeshtë të ulesh dhe të shkruash duke sulmuar një funksionarë por kjo duhet të bëhet në mënyrë objektive duke siguruar sa më shumë dëshmi që mbështesin pretendimet fillestare. Pastaj, është e pandershme dhe joprofesionale që personat që përmenden ose akuzohen dhe palët që janë pjesë e lajmit dhe sulmohen, të mos kontaktohen për vlerësime dhe sqarime.