RMV, si erdhi te “ringjallja” e antisemitizmit

Foto ilustrim

Të gjithë u habitëm se si u aktualizua çështja e antisemitizmit në Maqedoninë e Veriut dhe kjo temë nuk do të merrte as vëmendjen tonë, nëse për të njëjtën nuk do të komentonin institucione, liderët politikë dhe shtetëror. Prandaj, në këtë artikull ne do të analizojmë se si nisi dhe u zhvillua antisemitizmi të cilin ne e cilësuam si “antisemitizëm mediatik”.

Shkruan Fatbardha Curri

Nisi me “Yllin e Davidit”

E gjitha nisi nga një koment në shkrimin e aktivistes civile në rrjetin social “Fejsbuk”, tash anëtare e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Mersiha Smailoviq. Në shkrimin e saj, Smailoviq kishte kritikuar ministren teknike të Punës dhe Politikës Sociale, Rashela Mizrahi se pse intervistën e parë të saj vendosi ta realizojë në shoqëri të flamurit partiak. Në këtë shkrim komentoi një person, i cili tha: “Tash, Talati (kryeparlamentari Talat Xhaferi) kishte flamur të Shqipërisë në zyre, dhe askush asgjë, kurse tash u kapët për Mizrahin”.

Komenti dhe replika e Smailoviqit
Komenti dhe replika e Smailoviqit

Por ky koment nuk u bë temë mediatike e politike, por replika që Smailoviq i dha të njëjtit e që është siç vijon më poshtë: “Flamuri (duke menduar për flamurin e Talatit në zyre) nuk e përfaqëson Shqipërinë, por ai është flamur i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, kurse i saj (duke menduar për Mizrahin) është klasik i partisë. Të ishte “Ylli i Davidit”, askush asgjë”.

Vazhdoi me antisemitizmin

Përmendja e “Yllit të Davidit” nga Smailoviq, u bë temë mediatike dhe politikanësh. Pse? “Ylli i Davidit” konsiderohet si një nga emblemat e hebrenjve, përkatësi etnike të cilët i takon edhe Mizrahi. Ai u përdor nga Smailoviq, duke u ndërlidhur me komentin për flamurin shqiptar në zyrën e Talatit, në kuptim të simbolit etnik të hebrenjve. Por ky fakt nuk u vërejt nga disa media apo qëllimshëm u injorua. Çfarë bënë disa media? Vetëm përdorimin e fjalës “Ylli i Davidit” në koment nga Smailoviq, u mjaftoi ta interpretojnë të njëjtin si porosi naziste.

“Mersiha e LSDM-së me porosi naziste: Rashela vendos “Yll të Davidit”, shkroi “Lider.mk”.
“Rang i ri i porosive naziste nga LSDM-ja: Mersiha e porositë Rashellën të vendos “Yllin e Davidit””, shkroi “Republika”.

Pastaj kjo u paraqit edhe si antisemitizëm, i cili paraqet paragjykim dhe sjellje stereotipizuese ndaj hebrenjve, dhe që shpesh herë di të kalojë edhe në urrejtje ndaj hebrenjve, kjo varësisht se çfarë ndjenja janë mbjellura nga individi i cili e ka të zhvilluar këtë shprehi apo mendim. Se antisemitizmi është formë e gjuhës së urrejtjes, vlerësohet edhe në Doracakun e “Krithinkut”. Por duke i marrë parasysh këto elemente, vlerësojmë se mediat në fjalë kanë bërë shkelje të Kodit Etik të Gazetarëve i cili ndalon që gazetari apo media me vetëdije të nxisin gjuhë të urrejtjes, siç ka ndodhur në këtë rast.

Përfundoi me fushatë

Por edhe pse Mersiha nuk e porositi Rashellën ta vendosë “Yllin e Davidit”, në grackën e disa mediave, ranë edhe institucione kulturore, liderë politikë dhe shtetërorë.

Instituti i Trashëgimisë Kulturore mes tjerash tha se “Mizrahi, që vjen nga komuniteti hebraik në Maqedoninë e Veriut, përveç reagimeve politike, për fat të keq pati edhe reagime që shprehin gjuhën e urrejtjes dhe antisemitizmit”. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dërgoi kritika te Qeveria se po nxit gjuhë të urrejtjes drejt hebrenjve dhe VMRO-DPMNE-së dhe të njëjtin e cilësoi me motive politike. Të ndikuar politikisht dhe si fushatë parazgjedhore e cilësoi edhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

E kurse e gjithë kjo u bë shkas që edhe presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski të reagojë. Ai para se të marrë pjesë në Forumi botëror të holokaustit, porositi të mos vazhdohet me antisemitizëm: “Para një kohe, për fat të keq, në diskursin publik u shpërndanë komente të izoluara të cilat nga pjesëtarë të shoqërisë hebraike u interpretuan si antisemitizëm”.

Por, në fakt, spati as antisemitizëm dhe as u nxit ai nga hebrenjtë. E vetmja hebreje që reagoi publikisht ishte ministrja Rashella Mizrahi, e cila në një konferencë, kur nuk lejoi pyetje të gazetarëve për t’u pyetur se a u keqinterpretua komenti i Mersihës që u nxit tema e antisemitizmit, Mizrahi vendosi të viktimizohet dhe nisi të tregojë histori se si është vrarë e tërë familja e saj.

Për lexuesin: Kërkoni se si nisi problemi, sidomos para zgjedhjeve

Analizuar tërë këto situata, themi se antisemitizëm nuk ka në Maqedoninë e Veriut, por ajo u nxit nga disa media dhe prandaj po e cilësojmë të njëjtën si “antisemitizëm mediatik”. Por, edhe pse u nxit nga disa media, përgjegjësia më e madhe sigurisht u bie politikanëve, të cilët në vend se ta korrigjojnë gabimin e disa mediave dhe t’ua sqarojnë publikut se tërë kjo situatë është një keqinterpretim. Ata çfarë bën, u përpoqën të hedhin fajin ndaj oponentit të vet dhe e bënë objekt të fushatës parazgjedhore.