jëri nga hapat e parë të mëdhenj që duhet ta bëjnë gazetarët është të përshtaten me fjalorin dhe gjuhën e re dhe adekuate kur bëhet fjalë për punën seksuale, punëtoret dhe punëtorët seksualë/e dhe për aktivitetet që dalin nga puna e tyre.
Në hulumtimin “Меdiet dhe bashkësitë e margjinalizuara” të autorëve Zharko Trajanoski dhe bashkëpunëtorëve Irena Cvetkoviq dhe Stanimir Panajotov, në emër të Koalicionit “Të drejtat seksuale dhe shëndetësore të bashkësive të margjinalizuara”, që është bërë në vitin 2011, janë theksuar konstatimet kyçe për qëndrimin e medieve ndaj këtyre grupeve. Interesi ynë, në këtë rast, është raportimi i medieve për punëtorët seksualë dhe punën e tyre.
Аutorët e këtij studimi theksojnë se produktet mediatike kanë tituj dominantë senzacionalistë (“Zbulohet një strofull e prostitucionit në Karposh”, “Zbulohet bordel në mes të Shkupit”) pas të cilave qëndrojnë tekste gazetareske të shkruara kryesisht në bazë të raportve dhe buletineve policore.
Karakteristika e rëndësishme e radhës në raportimin për punëtorët seksualë është se përmbajtjet mediatike në qasjen e tyre senzacionaliste i anashkalojnë dallimet e rëndësishme (kryerja e prostitucionit, ndërmjetësimi në kryerjen e prostitucionit, prostitucioni i detyrueshëm dhe tregtia me njerëz) dhe nxisin stigmatizim të punëtorëve seksualë.
Në produktet e analizuara mediatike, punëtorët seksualë injorohen nga ana e medieve, madje edhe në artikujt për tema që më së shumti i prekin të drejtat e tyre, siç është tema e “legalizimit të prostitucionit”.
Sipas praktikës aktuale të gazetarëve, interesi për arrestimin e redaktorëve dhe i publikut është shkaku kryesor që për punëtoret seksuale dhe përdoruesit e drogave kryesisht flitet në kontekst negativ, gjatë ndonjë aksioni të policisë.
Në këtë mënyrë, në medie theksohen, mirëpo edhe ruhen, stereotipet negative, për shkak se përdoruesit e drogave dhe punëtorët seksualë paraqiten si kriminelë ose persona që e shkelin ligjin.
Edhe pse kryerja e punës seksuale (sikurse edhe dhënia e hapësirave me qira për ushtrimin e prostitucionit) nuk është vepër penale, por shkelje e rendit dhe e qetësisë publike, gazetarët, zakonisht, vetëm i transmetojnë raportet policore në të cilat punëtorët seksualë paraqiten si kriminelë.
Brengosës është fakti, konstatojnë hulumtuesit në këtë analizë, që gazetarët rrallë herë përpiqen t’i rishqyrtojnë raportet policore në të cilat përdoruesit e drogës dhe punëtorët seksualë paraqiten si kriminelë, madje edhe atëherë kur kërkojnë mbrojtje pikërisht nga policia në rastet kur janë shkelur të drejtat e tyre.
Të përkujtohemi…
Këto njohuri, të cilat janë vetëm një pjesë e analizës së detajuar, ba bëjnë që t’i rikthehemi edhe një herë “Kodin e gazetarëve të Maqedonisë” në të cilin, në nenet 8 dhe 10, mund të gjenden udhëzimet të cilave t’u përmbahen profesionistët mediatikë kur bëhet fjalë për raportimin për punën seksuale.
Neni 8.
Mënyra e informimit në rastet e fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi.
Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajshmërisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në mosmarrëveshje dhe nuk duhet të jepen sugjerime në lidhje me aktgjykimin.
Neni 10.
Gazetari nuk do të krijojë e as nuk do të përpunojë me vetëdije informata, të cilat i kërcënojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, të orientimit seksual…).
Pse është me rëndësi kompetenca gazetareske kur raportohet për punën seksuale
Punëtoret seksuale gjithmonë janë në margjinat e shoqërisë – edhe sot edhe më herët në histori.
Me to lidhen stereotipe, emërtime nënçmuese, stigmatizim dhe indiferencë sa i përket dinjitetit të tyre njerëzor.
Kjo pasqyrohet edhe në raportimin mediatik për këtë veprimtari dhe për punëtoret seksuale.
Këto dobësi duhet të zëvendësohen me realizëm, bashkëndjesi dhe me politika alternative, të sensibilizuara me nevojat e atyre që kanë zgjedhur të merren me këtë profesion.
E drejta për jetë, për siguri, për liri të shprehjes, për aksion politik dhe për bashkim, për qasje në informata dhe në shërbimet themelore shëndetësore dhe arsimore, janë po aq të rëndësishme për punëtorët dhe punëtoret seksuale sa edhe për çdokë tjetër.
Gazetarët duhet t’i përfaqësojnë këto të drejta ashtu siç e bëjnë edhe për gjithë të tjerët.
Puna seksuale: Për emërtimin bëhet fjalë!
Njëri nga hapat e parë të mëdhenj që duhet ta bëjnë gazetarët është të përshtaten me fjalorin dhe gjuhën e re dhe adekuate kur bëhet fjalë për punën seksuale, punëtoret dhe punëtorët seksualë/e dhe për aktivitetet që dalin nga puna e tyre.
Sa më shpejtë që gazetarët do ta lënë praktikën e përdorimit të stereotipeve, emërtimeve ofenduese, johumane dhe gjuhës së rrugës, kur bëhet fjalë për punën seksuale, aq më shpejtë do ta emancipojnë veten e tyre dhe publikun dhe aq më shpejtë do t’u ndihmojnë bashkëqytetarëve të tyre që jetojnë nën çdo nivel të dinjitetit dhe jashtë korniazve të respektimit të të drejtave të njeriut.
Nëse nuk e bëjnë këtë, mbeten/bëhen pjesë e atyre që e vazhdojnë agoninë e njerëzve në margjina, pjesë e atyre që e mbështesin hipokrizinë, pjesë e atyre që diskriminojnë.
Punëtorët seksualë të parët i promovuan dhe i përfaqësojnë këto terme – punë seksuale, punëtorë seksualë, punëtore seksuale, shërbime seksuale…
Së shpejti një numër i mirë i organizatave ndërkombëtare nga fusha e shëndetësisë, sferës sociale dhe nga fusha e të drejtave të njeriut, i pranuan këto terme – duke i përfshirë ehe Kombet e Bashkuara dhe agjencitë e saj.
Терmet janë neutrale, përshkruese dhe informative, pa gjykuar, pa dënuar, pa pasur histori stigmatizuese dhe ofenduese.
Pranimi i këtyre termeve si risi dhe ndryshim në shprehitë e deritanishme të gazetarëve është shumë më tepër se sa “korrektësi politike”. Kjo paraqet pasqyrë të vetëdijes së lartë për pranim human dhe me dinjitet të njerëzve nga ky profesion si personalitete.
Puna seksuale dhe të drejtat e njeriut
Në përpjekjet për t’u përballur me punëtoret seksuale, pikërisht krijuesit e politikave dhe zbatuesit e ligjeve janë ata që i shkelin të drejtat e njeriut të këtij grupi të qytetarëve.
Punëtorët seksualë janë njerëz sikurse edhe të gjithë të tjerët dhe të drejtat e njeriut u takojnë atyre dhe po aq sa edhe të gjithë njerëzve të tjerë pa përjashtim dhe pa marrë parasysh profesionin, racën, përkatësinë fetare apo ndonjë përkatësi tjetër të tyre.
Është ironike, mirëpo krijuesit e politikave shpeshherë i shkelin të drejtat e njeriut të punëtorëve seksualë mu atëherë kur thonë se u ndihmojnë. Për shkak se, përderisa ekziston supozimi se puna seksuale është johumane, nuk mund të arrihet asgjë në planin e përmirësimit të realitetit të pjesëtarëve të këtyre grupeve.
Edhe një herë: E drejta për jetë, për siguri, për liri të shprehjes, për aksion politik dhe për bashkim, për qasje në informata dhe në shërbimet themelore shëndetësore dhe arsimore, nuk guxojnë t’i mohohen askujt për shkak të profesionit të tij/saj.
Zvogëlimi i stigmës dhe i diskriminimit (si dekriminalizimi) do t’u ndihmojë këtyre njerëzve që atëher kur do të duan ta ndërrojnë profesionin. Për shkak se është konfirmuar se pikërisht dosjet kriminale dhe etiketa që e mbajnë me vete këta njerëz, i pengon që të bëjnë ndryshime në jetën e tyre – nëse e duan këtë.
Punëtorët seksualë janë pjesë e zgjidhjes, e jo pjesë e problemit
Për atë se punëtorët seksualë janë pjesë e zgjidhjes , e jo pjesë e problemit do ta japim një shembull: Punëtorët e emancipuar seksualë kanë shumë më tepër njohuri për shëndetin seksual dhe shëndetin në përgjithësi dhe praktikojnë seks të sigurt se sa pjesa më e madhe e popullatës së përgjithshme. Ata shpeshherë i mësojnë klientët e tyre dhe për këtë arsye nuk duhet të demonizohen, por të shfrytëzohen anët e tyre të mira në luftën kundër HIV-it/SIDËS.
Punëtorët e emancipuar seksualë kanë njohuri edhe për shëndetin e mjedisit në të cilin punojnë.
Pranimi i këtij realiteti, si dhe i të gjitha elementeve të tjera që lidhen me punën seksuale, është vetëm një hap drejt një koncepti dhe një qasjeje tjetër ndaj punëtorëve seksualë, për të cilën, kuptohet, në mes tjerash vendimtare janë edhe mediet dhe ndryshimi i shprehive të pjesëtarëve të saj ndaj këtij grupi të qytetarëve.
(Fotografi në faqen e parë: Punëtorja seksuale në vendin e saj të punës në mes të dimrit, Strathona, Vankuver, SHBA, janar 2013, foto: Dave King)
Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).
Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.