Si të transmetohen fjalët e politikanit kur në to ka elemente të gjuhës së urrejtjes

Shkruan: Аleksandar Pisarev

Zakonisht janë politikanët ata që përmenden se gjenerojnë gjuhë të urrejtjes, me ç’rast gazetarët janë vetëm në rolin e transmetuesit të gjuhës së tillë, distributorit apo megafonit, nëpërmjet të të cilit politikanët në këtë mënyrë i komunikojnë porositë e tyre.

Si duhet ta transmetojë gazetari fjalimin e drejtpërdrejtë të subjektit politik, liderit të partisë politike, anëtarit të qeverisë ose kryeministrit, nëse ai përdor gjuhë të urrejtes, kualifikime sulmuese dhe ofendime dhe në atë mënyrë mund të shkaktojë stereotipizim negativ? Në praktikën tonë, gazetarët zakonisht në mënyrë eksplicite e transmetojnë gjuhën e urrejtes së politikanëve. Me këtë rast, ata me të vërtetë nuk mund të kenë pasoja juridike, mirëpo kanë përgjegjësi etike.

Paraqitjet e këtilla të politikanëve në praktikën evropiane “sanksionohen” në dy mënyra. Gazetari në situatën e tillë ka të drejtë që politikanit t’ia “heqë të drejtën për liri të të shprehurit”, ashtu që atë pjesë të fjalimit të tij, në kuadër të parimeve të vetërregullimit, nuk do ta publikojë. Mundësia e dytë është që atë pjesë të fjalimit, ku ka elemente të gjuhës së urrejtjes, ta vendosë në një lloj konteksti. Me këtë rast, ai do të thotë se në fjalimin e tij ka përdorim të palejueshëm të gjuhës së urrejtjes dhe do t’i referohet Kodit penal, i cili në vendet evropiane, në raste të caktuara, parasheh edhe dënim me tre vjet burg për gjuhën e urrejtjes.

Gjuha e urrejtjes në numrin më të madh të rasteve është e orientuar kundër bashkësisë tjetër etnike, kundërshtarit politik, ose popullatës LGBT. Në situatat e tilla, qytetarët shndërrohet në “auditor të burgosur”, i cili duhet t’i dëgjojë ofendimet e tyre pa të drejtë zgjedhjeje. Gjegjësisht, ka vetëm një zgjedhje: të dëgjojë/shohë/lexojë ose të mos dëgjojë/mos shoh/mos lexojë. Gazetari duhet ose t’i shmanget asaj pjese të fjalimit ose ta kontekstualizojë atë. Mirëpo, assesi nuk duhet ta transmetojë në mënyrë eksplicite.

Përdorimi më i shpeshtë 

Politikanët gjuhën e urrejtjes më shpesh e përdorin në fushatat e tyre parazgjedhore që ta diskualifikojnë kundërshtarin e tyre politik, ta nënçmojnë atë dhe t’i largojnë votuesit nga votimi për të. Kronikat e tilla, në të cilat gazetari në mënyrë eksplicite e transmeton gjuhën e urrejtjes së politikanit, mund të shkaktojnë atmosferë të tensioneve serioze në marrëdhëniet politike dhe ndëretnike dhe në vete të përmbajnë thirrje të fshehtë ose të hapur për mobilizim të dhunshëm, diskriminim, dhunë dhe jotolerancë.

Shembull:

…” Me të kaluarën tënde, nga ndryshimi i emrit në IRJM, me kontrabandat tua gjatë kohës së embargos për të cilat edhe sot e kësaj dite kriminelët e Ballkanit tregojnë me nostalgji se si në kafene keni ndara para të popullit, duke krijuar oktapod dhe kursimore piramidale me të cilat publikisht e vodhe popullin, me krimin që lulëzonte në kohën tënde, me mospunën, gënjeshtrat dhe manipulimet tua të popullit. …”Jo se ekipin e ke më të mirë, jaranët tu dhe ata që të ndjekin si kudra të vogla”… (fjalimi i kryeministrit në zgjedhjet lokale 2013).

Me fjalimin e transmetuar në këtë mënyrë eksplicite të politikanit, mediet kanë ril negativ në dezintegrimin e shoqërisë, qoftë nëpërmjet raportimit të pakujdesshëm ose të qëllimshëm që nxit steteotipe, ndarje dhe jotolerancë.

Vetëm me vetërregullim dhe respektim të Kodit të gazetarëve të Maqedonisë, (neni 14):

“Raportimi për proceset politike, veçanërisht zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari duhet të sigurojë distancë profesionale prej subjekteve politike.”

mund të ruhen parimet etike dhe profesionale dhe vlerat, autoriteti dhe dinjiteti i profesionit.

Nuk ka vend për amnesti

Shumica e gazetarëve të rinj konsiderojnë se nëse e citojnë drejtpërdrejtë dhe nëse e vëndojnë në thonjëza fjalimin e politikanit në të cilin ka elemente të gjuhës së urrejtjes, me këtë janë amnestuar nga përgjegjësia për fjalët e tij. Gabojnë, për shkak se nëse nuk e problematizojnë gjuhën e urrejtjes të cilën e përdor politikani, nëse nuk e vendosin atë në korniza të moderuara dhe në kontekst përkatës, i cili nuk do t’i shqetësojë lexuesit/shikuesit, me një fjalë qytetarin, ata bëhen distributorë të thjeshtë dhe zëdhënës të subjektit politik dhe me këtë e humbin rolin shoqëror që u është besuar.

Legjislacioni evropian që në fillim të shekullit të kaluar, e më intensivisht prej vitit 2000 në kodet e tyre penale e ka futur edhe kapitulli dhe dispozitat ndëshkuese për gjuhën e urrejtjes edhe për atë që e përdor atë edhe për atë që e transmeton gjuhën e tillë. Në Kodin penal të Britanisë së Madhe, kjo është rregulluar në mënyrë shumë precize:

“nëse dikush në çfarëdo qoftë mënyre e shqetëson publikun duke: nxitur urrejtje kundër pjesëve të popullatës ose bën thirrje për masa të dhunshme kundër tyre, e sulmon dinjitetin e njeriut, i ofendon të tjerët dhe me dashakeqësi i njollos ata para qytetarëve, ofendon pjesë të popullatës, do të dënohet me burg prej tre muaj deri në pesë vjet. Ai që këtë përmbajtje do ta transmetojë në medie, radio, TV ose shtyp, do të dënohet me burg më shumë se tre vjet”.

BBC-ja në lidhje me këtë e hap çështjen e neutralitetit gazetaresk, gjegjësisht mediatik. A ka mundësi që në disa ngjarje, veçanërisht nëse afirmohet urrejtja, diskriminimi, ose dhuna të jesh neutral. Me këtë rast, duhet mbajtur llogari për përgjegjësinë e fjalës publike. Мediet assesi nuk guxojnë të bëhen mjet i përshtatshëm për përhapjen e ksenofobisë, urrejtjes, shqetësimit ose frikës.

Filip Breton (profesor i gazetarisë në Universitetin e Strasburgut) thotë se kjo nuk është lehtë për t’u zgjidhur, për shkak se ata që dërgojnë porosi të këtilla, këtë e bëjnë me vetëdije të plotë, i keqpërdorin mediet që të transmetojnë porosi të koduar, ose që të mobilizojnë.

…,”Popullata jomuslimane në botë altoparlantët i quan “pastrim me zë”, metodë me të cilën hoxhallarët duan t’i detyrojnë jomuslimanët që të shpërngulen” (porosi e publikuar në mediet tona).

Në rastet e këtilla, mediet dhe gazetari duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që e kanë në një shoqëri heterogjene. Nuk guxojnë të jenë transmetues të deklaratave që fusin elemene të jotolerancës fetare dhe sillen në kuadër të stereotipeve negative.

Rrezik për demokracinë

Nëse te gazetarët është e zhvilluar kultura morale, ata do të jenë të ndjeshëm dhe të kujdesshëm dhe do ta zbulojnë me kohë çdo tentim të tillë. Në të kundërtën, nëse te gazetarët nuk ka rezistencë ndaj sjelljes së tillë të politikanëve, shtohen manipulimet me qytetarët të cilat lënë pasoja katastrofale dhe paraqesin rrezik të madh për demokracinë. Futen në skemën e përhapjes së paragjykimeve, stereotipeve, diskriminimit…, bëhen pjesëmarrës në gjuhën e urrejtjes dhe të përhapjes jokritike të porosive. Në situatat e krizës, këto forma marrin dimensione patologjike. Më e rrezikshme është që nëpërmjet medieve të përhapet urrejtja dhe paragjykimet, për shkak se kjo më shpesh përfundon me dhunë.

Меdiet që përhapin dhe transmetojnë gjuhë të urrejtjes, janë pjesëmarrës në krimet e mundshme që dalin prej saj. Gazetarët dhe mediet janë përgjegjës për përmbajtjet që i plasojnë ose që i emitojnë pa marrë parasysh se kush i prodhon. Udhëheqësi i një emisioni debatues, në kuadër të të cilit porositë janë përplot me urrejtje dhe epitete pikante, mund të fitohet vetëm me kundërvënie të hapur ndaj gazetarisë së tillë.

BBC-ja ka vendosur rregulla redaktuese si akt i vetërregullimit, sipas të cilave gazetari është i obliguar që rreptësisht të mbajë llogari që të mos e transmetojë drejtpërdrejtë gjuhën e urrejtjes nëse politikani ose ndonjë subjekt tjetër politik e ka përdorur atë në çfarëdo lloj rasti. Transmetuesi publik britanik ka futur standarde të veta dhe u rekomandon gazetarëve që t’i zbatojnë ato në situatat e këtilla, ashtu që ose do të evitojnë atë pjesë të fjalimit të politikanit ose do ta kontekstualizojnë që të mundësohet mbrojtje adekuate e publikut nga materiali i cili përmban diskualifikime ofenduese dhe të dëmshme.

BBC-ja këshillon që gjatë transmetimti të fjalimit të ndonjë politikani, gazetari të mbajë llogari për respektimin e dinjitetit njerëzor. Frikësimi, nënçmimi, agresioni dhe vërejtjet deroguese janë pjesë e sjelljes njerëzore që mund të futen në përmbajtjen mediatike. Një pjesë e këtyre përmbajtjeve mund të jenë të vrazhda, mirëpo edhe tepër frikësuese, kërcënuese, nënçmuese, agresive, ofenduese…

“Nëse për Fatmir Deharin të gjitha qytetet, duke filluar nga Tirana, e me Strugën, Kërçovën, Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, do të formojnë një Shqipëri dhe nëse Fatmir Dehari dëshiron të jetojë në Shqipëri, ja ku është Shqipëria, le të shkojë atje, le të jetojë në Shqipëri.” (porosi e një politikani gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale 2013).

Përmbajtjet e këtilla nga fjalimi i politikanit media nuk guxon t’i theksojë dhe t’i potencojë. Duhe të ketë kujdes që komentet e till, si dhe toni me të cilin janë shprehur ato, të vendosen në një farë konteksti para se të publikohen dhe të plasohen.

Konventa evropiane për të drejtat e njeriut në nenin 10 tregon se si duhet të sillemi në qoftë se subjekti përdor gjuhë të urrejtjes. Ajo thotë:

„Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione. Mirëpo, realizimi i këtyre lirive mund t’i nënshtrohet kufizimit ose sanksioneve nëse nxit urrejte, ksenofobi, urrejtje nacionale, racore ose fetare, në qoftë se shqetëson, frikëson, mobilizon, përmban formë të mosdurimit, agresionit, etnocentrizmit, diskriminimit në çfarëdo baze ose armiqësi ndaj pakicave. Mediet dhe gazetarët janë të obliguar që, në qoftë se vërejnë përmbajtje të tilla, publikisht t’i refuzojnë gjithmonë kur do të paraqiten”.

Do të ishte e dobishme që mediet, gjegjësisht gazetarët e tyre, në shërbimet programore t’i kontestojnë të gjitha deklaratat e subjekteve politike dhe të bashkëbiseduesve nëse ata përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj cilësdo bashkësi etnike, kulturore, fetare apo ndonjë tjetër.

Si të dallohet gjuha e urrejtjes

Nuk ka ndonjë definicion të pranuar universalisht të gjuhës së urrejtjes, edhe pse përhapja e saj nëpërmjet medieve është e ndaluar me legjislacionin e një numri të madh të vendeve. Zakonisht gjuha e urrejtjes përshkruhet si formë e të shprehurit, e cila është e motivuar nga dhe ka për qëllim ta nxisë armiqësinë ndaj ndonjë grupi ose pjesëtarëve të tij. Identifikimi i deklaratave që klasifikohen si “gjuhë e urrejtjes” është mjaft i vështirë, për shkak se kjo gjuhë nuk është e thënë që gjithmonë të manifestohet nëpërmjet shprehjeve eksplicite të “urrejtjes” ose të emocioneve. Ajo mund të jetë e fshehur në shprehje të cilat në shikim të parë mund të duken racionale dhe logjike:…“Nëse Fatmir Dehari dëshiron të jetojë në Shqipëri, ja ku është Shqipëria, le të shkojë atje, le të jetojë atje”… (shembull nga zgjedhjet lokale 2013).

Politikanët e vendeve postkomuniste, e veçanërisht të Ballkanit Perëndimor foltoren e shndërrojnë në vend prej ku do ta pështyjnë kundërshtarin e tyre politik: “kriminelët e Ballkanit tregojnë me nostalgji se si në kafene keni ndara para të popullit”… (porosi nga kryeministri deri te kundërshtari politik). Do ta pështyjnë pakicën nacionale ose fetare; “pastrim me zë, metodë me të cilën hoxhallarët duan t’i detyrojnë jomuslimanët që të shpërngulen” (porosi e transmetuar në medie).

Kur lideri sillet në këtë mënyrë atëherë edhe të gjitha eshalonet më të ulëta të pushtetit, mirëpo edhe kundërshtarët e tyre politikë, garojnë në oratori e cila do të jetë e plotësuar me gjuhë të urrejtjes. Nëse gazetari nuk distancohet dhe nëse i transmeton në mënyrë eksplicite këto pjesë të fjalimit të tyre, atëherë edhe ai bëhet pjesëmarrës në gjuhën e urrejtjes.

Vitet e fundit legjislacioni në Evropë i kushton vëmendje të veçantë mënyrave se si ta kufizojë, gjegjësisht ta eliminojë gjuhën e urrejtjes e cila transmetohet nëpërmjet medieve. Prej vitit 2007, Italia, Franca, Gjermania dhe të gjitha vendet e kontinentit të vjetër tregojnë interesim të madh për luftimin e gjuhës së urrejtjes dhe këtë e rregullojnë me ligje penale që ta mbrojnë dinjitetin e individëve dhe të grupeve shoqërore, siç është kombi, raca, feja, etniciteti… Domethënë, me kodin penal në shumë vende evropiane janë futur kufizime të lirisë së të shprehurit në favor të grupeve të caktuara shoqërore.

Меdiet janë të parat që duhet ta zbatojnë këtë kufizim kur janë në situatë t’i dëgjojnë politikanët të cilët në gjuhën e tyre kanë elemente të gjuhës së urrejtjes. Në Аmerikë kjo praktikë zbatohet që nga vitete e tetëdhjeta me akt të përgjithshëm, speech codes, me të cilin ndalohet gjuha e urrejtjes nga foltorja publike dhe transmetimi i saj eventual në medie.

Pakti ndërkombëtar për të drejtat dhe liritë qytetare dhe politike i vitit 1966 në nenin 19 e rregullon kufizimin e të drejtës së lirisë së të shprehurit. Aty thuhet se çdo nxitje ose propagandë për luftë, mbështetja e urrejtjes nacionale, racore ose fetare me të cilën nxitet diskriminimi, armiqësia ose dhuna, ofendimi i përcaktimit jetësor… si dhe transmetimi i porosive të këtilla në medie, janë të ndaluara. Kjo rregull është përfshirë edhe në Kodin e IFJ (Federata ndërkombëtare e gazetarëve).


Ky leksion gazetaresk është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky leksion gazetaresk është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

 

Ky artikull edukativ fillimisht është publikuar nga Shërbimi për verifikimin e fakteve në media, ndërsa КriThink e ripublikon për ta informuar publikun për tema që kanë të bëjnë me njohuritë elementare mediatike dhe mendimin kritik.