Bora në Teksas nuk u shkaktua artificialisht nga Bill Gates

Gjatë muajit shkurt Teksasi u pushtua nga një stuhi e ashpër dimërore ndërsa rrjetet sociale u pushtuan nga një stuhi e re konspiracionesh. Në rrjetin social Tik-Tok u bënë virale video ku pretendohet se bora që ra në Teksas është artificiale dhe është shkaktuar nga Bill Gates dhe qeveria amerikane.

Shkruan: Shefkije Alasani

Përdoruesit e Tik-Tok pretendimin e tyre se bora është false e argumentojnë përmes disa eksperimenteve që bëjnë. Disa prej tyre mbajnë topa bore në duar dhe përpiqen ti djegin, kur flaka prek borën dhe ajo nuk shkrihet. Për përdoruesit e TikTok ky është fakt se reshjet e borës janë të rreme dhe ishin planifikuar nga qeveria e Biden. Në një video tjetër një vajzë është në vaskë dhe mban një top dëbore dhe një çakmak në dorë, ndërsa thotë: ‘Kjo i shkon qeverisë sonë dhe Bill Gates. Faleminderit Bill Gates që u përpoqët të na mashtroni duke thënë se kjo është bora e vërtetë. Do të shihni që nuk shkrihet dhe do të digjet. Bora nuk digjet, por shkrihet’.

Teoria konspitative shumë shpejt u përhap edhe në portalet shqipfolëse. Edhe pse pa asnjë bazë shkencore, në portalet tona dominojnë titujt si: Borë e rrejshme’: Njerëzit në SHBA thonë se bora që ra atje ishte artificiale, Sfida e TikTok-ut që po i çmend të gjithë, ç’ndodh nëse “i vëmë flakën” borës?, Publikohen pamjet që po bëjnë xhiron e botës: Dëbora në Teksas e rreme dhe e hedhur prej Bill Gates, Pas Covidit, Bill Gates akuzohet dhe për shpikjen e borës: Nuk shkrin, por vetëm nxihet, e të tjera. Në përmbajtjen e tekstit tek disa portale aspak nuk theksohet se bëhet fjalë për teori konspirtaive dhe se nuk është e vërtetuar shkencërisht, ndërsa në të tjera theksohet se ky është lajm i rrejshëm e megjithatë titulli i lajmit vë theksin vetëm tek konspiracioni!

Pretendimi është i rrejshëm

Sipas fakteve shkencore që sjell agjencia e lajmeve Reuters, ky pretendim është i rrejshëm. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që në opinion shkaktohet kaos me këtë dezinformatë. Pretendimi se “Në SHBA bie borë false e përbërë nga kimikale dhe plastikë” është përhapur edhe gjatë vitit 2014. Me fakte shkencore, astronomi Phil Plait, shpjegoi se pse ndodh ky fenomen. Plait shpjegoi se në të vërtet bora shkrihet, por nuk duket se pikon sepse bora e mbetur, e cila është poroze, thith ujin.

Sa i përket pretendimit tjetër se bora artificiale digjet dhe lëshon erë plastike, shkencëtarët sqarojnë se shenjat e zeza dhe aroma vijnë nga djegia e butanit, i cili është një gaz pa ngjyrë që zakonisht përdoret si lëndë djegëse në çakmakë dhe që ka një “erë të dobët si nafta”. Butani, i gjetur në çakmakë, është një hidrokarbur – një molekulë që është pjesë e karbonit dhe pjesë e hidrogjenit. “Kur e digjni atë, molekula reagon me oksigjenin në ajër, duke prishur lidhjet midis atomeve dhe duke reformuar molekulat e reja”, shpjegoi Plait, e cila shpesh çon në “disa prej molekulave të karbonit që reformohen në zinxhirë të gjatë, duke krijuar atë që ne e quajmë blozë. ”

Disa postime në mënyrë specifike pretendojnë se bora në Teksas ishte “induktuar kimikisht” me hidroksid barium dhe amoni. Reagimi i hidroksidit të bariumit dhe klorurit të amonit, i cili shpesh përdoret si një shembull i reaksioneve endotermike prodhon një material pluhur të bardhë si bora, siç duket në videon më poshtë nga Laboratori i Demonstrimeve të Kimisë i Universitetit të Kalifornisë, Berkeley. Megjithatë, nuk ka asnjë provë që bora në Teksas ishte “e shkaktuar kimikisht”.