Lajmi në shikim të parë të jep një përshtypje shumë të gabuar, pasi çështjen e ndarjes së Maqedonisë së Veriut midis Bullgarisë dhe Shqipërisë e paraqet sikur të jetë propozim i ndonjë niveli të lartë dhe shumë serioz. Por serioziteti humbet në momentin që lexoni titullin, i cili nuk është aspak i strukturuar mirë nga ana gjuhësore. Disa shkronja janë të mëdha, disa të vogla. Kjo pakujdesi tregon për interesin dhe kujdesin e autorit të tekstit për të qenë korrekt dhe etik para lexuesve. Problemi tjetër përmbajtësor është në faktin që këtij informacioni i mungon burimi i vërtetë. Përmendet një gazetë bullgare, por nuk i citohet emri.
Linku origjinal i artikullit: Propozohet Ndarja E Maqedonisë, Mes Shqipërisë Dhe Bullgarisë..
Data e publikimit: 21.03.2021
Data e recensimit: 03.04.2021
Recensuese: Naile Dauti
Lajm i pavërtetë
Lajmi që po recensojmë është i pa vërtetë dhe provë për këtë është se ky i ashtuquajtur propozim, nuk është hedhur nga ndonjë institucion bullgar, që ndoshta mund të përbënte lajm të rëndësishme dhe të bujshëm. Idetë që mund t’i hedhin disa media, nuk mund të quhen propozime, por pretendime.
“Një gazetë bullgare ka dalë me një propozim interest, ku propozon ndarjen e Maqedonisë mes Shqipërisë dhe Bullgarisë”, thuhet në tekst.
Diçka tjetër që bie në sy është fakti se nuk është cituar gazeta e cila ka hedhur këtë propozim. Ne hulumtuam për të gjetur median që ka hedhur këtë ide dhe natyrisht për të qartësuar më mirë lexuesit, por nuk gjetëm asgjë. Mos-përmendja e medias së cilës i referohesh, mund të nënkuptojë që në këtë rast kemi të bëjmë me atribuim të rremë.
“Tani pas deklaratave të Zoran Zaevit, nuk na mbetet asgjë tjetër përveç se t’i fillojmë negociatat me shqiptarët për ndarjen e Maqedonisë së Vardarit mes Shqipërisë dhe Bullgarisë. Të gjithë që shkruajnë për Maqedoninë e dinë që ajo do të ndahet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, por të gjithë shtiren sikur nuk janë të njohur me problemin dhe presin dikush tjetër ta zgjidhë, thuhet tutje në tekst.
Këtu, ndoshta as vetë autori nuk e ka të qartë se për çfarë deklarate të kryeministrit Zaev bëhet fjalë, pasi vetëm atëherë ndoshta në një farë forme do të mund të kuptonim se nga çka është nxitur media bullgare ta shkruajë këtë tekst dhe këtë ide.
Meqenëse nuk ka asnjë burim dhe nuk mund të gjendet asnjë media me një ‘propozim’ të tillë, mund të thuhet se ky lajm është vetëm një trillim i vetë autorit.
Një prej parimeve të Kodit Etik të Gazetarëve është që:
“Gazetari ta publikojë burimin e informatave”, përveç nëse i njëjti dëshiron të mbetet anonim.
Koncepti i manipulimit
Autori në këtë rast përmes Efektit të investimit të dështuar, mbështet një opsion të
pafavorshëm, ndoshta vetëm sepse ekzistojnë tensione midis dy vendeve. Si rrjedhojë, autori bën Thirrjen e emocioneve të një kategorie të caktuar qytetarësh. Gjithashtu, në këtë rast autori përdor Prirjen për anim të vëmendjes, duke u kushtuar më
shumë vëmendje informacioneve që sjellin më shumë vlera emocionale
ose njohëse dhe duke injoruar të tjerat, madje duke injoruar edhe vetë pa-vërtetësinë e informacionit.
Për lexuesit
Lajmet si ky, që iu mungon burimi nga ku është marrë informacioni, nuk duhet besuar, sidomos nëse të njëjtin nuk arrini ta hasni në ndonjë media të besueshme. Gjithashtu, lajme të një karakteri të tillë, nuk duhet të shpërndahen edhe po të ekzistojë burimi i saktë, pasi mund të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve ndër-etnike në vend. Prandaj, mos bini pre e ideve të tilla. Koha e ndarjeve të territoreve ka përfunduar. Tani pretendohet aderimi në BE i të gjitha vendeve Ballkanike me kufijtë aktual dhe mënjanimi i problemeve të së kaluarës, prandaj mediat duhet të ndihmojnë në këtë drejtim e jo të bëjnë të kundërtën.