Tekst i prodhuar pa vlera profesionale gazetareske

Fotografi nga shkrimi që recensojmë

Në mënyrë metaforike gazetari shpesh vlerësohet si “sytë” dhe “veshët” e opinionit publik, prandaj dhe roli i tij është esencial në formimin dhe zhvillimin e mendimit kritik te lexuesit. Duke pasur këtë përgjegjësi të madhe, gazetari e ka për obligim moral e profesional të informojë saktë dhe drejtë. E megjithatë, shpesh hasim në produkte gazetareske të prodhuara nga gazetarë anonim e të zhveshur nga vlerat morale e profesionale. Një shembull i tillë është teksti që recensojmë. 

Linku deri te artikulli origjinal: Talat Xhaferi-Kryetar Kuvendi kundërshton Talat Xhaferin-Deputet që lexonte poezi të Aco Shopovit

Data e publikimit: 23.03.2021

Data e recensimit 03.04.2021

Recensues: Shefkije Alasani

Titull i koklavitur

Nga titulli i përmbajtjes që na paraqitet si “lajm”, lexuesi kritik duhet të vlerësojë se bëhet fjalë për në produkt gazetaresk jo-profesional. Titulli, “Talat Xhaferi Kryetar Kuvendi kundërshton Talat Xhaferin Deputet që lexonte poezi të Aco Shopovi”, fillimisht të krijon huti dhe duhet disa herë ta lexosh për të kuptuar se çfarë dëshiron të thotë autori.

Si duket autori apo “gazetari” ka dashur që në mënyrë ironike të bëjë një krahasim të Talat Xhaferit në kolltukun e deputetit dhe në atë të kryetarit të Kuvendit. Titulli ngulfatet akoma më shumë dhe komplet e humb kuptimin nga artikulimi jo i drejtë i fjalëve, mungesa e shenjave të pikësimit dhe përfshirja e elementeve që nuk kanë lidhje njëra me tjetrën. Detyra e gazetarit është të përcjellë informacion dhe ta qartësojë opinionin e jo ta komplikojë dhe të hap dilema.

Nga ana tjetër, me analogji false dhe thirrje në emocion autori tenton të bëjë manipulimin e lexuesit përmes këtij titulli. Këto dy elemente, në doracakun e CriThink, shpjegohen si metoda më të shpeshta të cilat përdoren për manipulimin e opinionit.

Përmbajtje jo-profesionale

Jo më pak etike dhe jo-profesionale se titulli është edhe përmbajtja e “lajmit” që recensojmë. Përmbajtja përbëhet nga dy paragraf dhe devijimi i informimit fillon që në rrethin e tretë të paragrafit të par, ku thuhet:

“Kryetari i Parlamentit Talat Xhaferi në emisionin ,,Argument” në Tvm2 ka folur për bllokimin e punë së Kuvendit duke akuzuar opozitën se përmes amandamenteve po bllokon punën e Kuvendit,Xhaferi gjat gjith kohës ka ligjëruar për rregulla se si nuk duhet bllokuar puna e Kuvendit.”

Edhe pse një ndër parmet kryesore të gazetarit është: “Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë.” E megjithatë në tekstin e lartpërmendur vërejmë hovin e gazetarit për të filluar komentimin e ngjarjes që ai e përcjell te lexuesit.

Në paragrafin e dytë autori bën një retrospektivë se si politikani në fjalë ka vepruar gjatë kohës kur partia e tij ka qenë në opozitë. Pretendimi prej dy rreshtash nuk bazohet në asnjë burim mbështetës që ta plotësojë nevojën dhe të drejtën për informim të saktë të lexuesit. Këtu autori bie ndesh me nenin 13 të Kodit Etik ku thuhet: Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

Jo-profesionalizmi i “gazetarit” anonim kulmon në rreshtin e fundit të tekstit, ku thotë:

“Talat Xhaferi në komisione lexonte poezi nga autorë maqedonas edhe pse kishte mundësinë të lexonte poezi nga autorë shqiptarë.”

Në gazetari assesi nuk lejohet nxitja e gjuhës së urrejtës, qoftë ajo etnike, religjioze, gjinore, e të tjera. Vetëm me dy rreshta, në këtë rast autori bie ndesh me nenet 10, 11 dhe 16  të Kodit Etik të Gazetareve.

Edhe pse që nga fillimi në fund ky tekst nuk plotëson asnjë standard gazetaresk, kjo nuk ka qenë pengesë që “lajmi” të shpërndahet disa herë dhe të ketë dhjetëra reagime në rrjetet sociale. CriThnik do të vazhdojë të bëjë recesione të përmbajtjeve të tilla deri sa opinioni publik të ndërgjegjësohet dhe të jetë kritik në zgjedhjen e burimeve nga ku informohet.