Duhet shumë kujdes kur raportohen sulmet ndaj mjekëve

Foto: Pexel

Dhuna ndaj punëtorëve shëndetësorë duhet të raportohet në mënyrë profesionale, ngaqë në vend se të edukohet populli, mund t’i stimulojmë të njëjtët për të vepruar ngjashëm. Prandaj, media assesi nuk duhet të harrojë elementin kryesor, se raportimi i dukurive devijuese duhet të jetë me pjesëmarrje minimale dhe me fokus, si të parandalohen të njëjtat.

Nga Fatbardha Curri

Mediat në Maqedoninë e Veriut për javë të tëra raportuan për rastet e sulmeve verbale dhe fizike ndaj punëtorëve shëndetësorë, gjë e cila rezultoi me protestë e cila paralajmëroi se nëse nuk ndërpritet sulmi ndaj mjekëve, priten protesta më të mëdha. Ajo që ra në sy është raportimi joprofesional për këtë dukuri devijuese. Se raportimi i dhunës nën thjerrën e stereotipeve dhe nxitjeve të reja, nuk është gazetari profesionale, vlerësohet edhe në Doracakun e publikuar nga organizatat joqeveritare, Instituti për të Drejtat e Njeriut dhe Shoqata për Zhvillim “Qendra për Administrim me Ndryshime”.

“Gazetaria e cila me abuzimin e stereotipave ekzistues dhe përmes krijimit të stereotipave të rinj e stimulon jotolerancën, ksenofobinë, shovinizmin dhe dhunën, nuk është gazetari investigative – profesionale”, thuhet në Doracak.

Krahas kësaj, mediat duhet të kenë kujdes, se informimi sa më i shpeshtë i rasteve të dhunës ndaj mjekëve, duke mos raportuar në mënyrë kritike për dukurinë negative, rrisin mundësinë që rasti të përsëritet, duke u mësuar si i tillë edhe nga ata që nuk është dëgjuar dhe ditur më parë.

Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e cila duke trajtuar rastet e vetëvrasjeve – dhunës, thotë se raportimi i mediave për mënyrën se si realizohet ai akt, apo në rastin tonë si mund të ishte sulmuar mjeku, ka sjellë edhe në imitimin e sjelljeve të raportuara nga mediat.

Nga atje më tej këshillohet të mos raportohet as për mënyrën se si ka ndodhur rasti devijues.

“Kur personit i përshkruhet  historia, nëse lexuesi apo shikuesi janë të ngjashëm në një farë mënyrë. Fëmijët, dhe personat që veçmë gjenden në gjendje të caktuar psikopatologjike, mund të jenë të ndjeshëm ndaj përfshirjes në këto situata, thuhet mes të tjerash në raportin e OBSH-së.

Qasje e njëanshme: Të gjithë dënuan dhunën, askush nuk dha shembull si të parandalohet

Raportimi për rastet e dhunës ndaj mjekëve ishte i njëanshëm, ngaqë tërë fokusi ishte te shkaku, e askush nuk merrej me pasojat apo shkaktarin si dhe në parandalimin e saj. Kjo kundërshtohet në Kodin etik të gazetarëve dhe në Manualin e lartpërmendur.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi”, thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve.

“Gazetaria e këtillë madje nuk është as gazetari, meqë nuk i përmbush as kriteret themelore: informacionet nga burimi te lexuesi, dëgjuesi ose shikuesi të jenë të argumentuara”, thuhet më tej në Doracakun e lartpëmendur.

Një element jo në favor të raportimit profesional të dhunës ndaj mjekëve, është edhe momenti ku të gjithë palët që i prek problemi në fjalë, dënuan aktin e dhunës, ndërkaq nuk propozuan zgjidhje të problemit. Kjo krijon ambient që dukuria në fjalë të jetë e pranishme edhe më tej në mes nesh. Edhe ato pak media që në tituj vendosën “Si të parandalohet dhuna ndaj mjekëve”, në përmbajtje ka vetëm gjykim dhe aspak këshilla.

“Si të parandalohet dhuna ndaj mjekëve?”, shkruan “Kanal 5”.
“Si të parandalohet dhuna në spitale – kompetentët kërkojnë përgjigje”, informoi “Telma”.

Nga tërë kjo situatë, u arrit të kuptohet shkaku i dhunës është pakënaqësia ndaj sistemit shëndetësor. Kjo u theksua edhe nga pjesëtari i Asociacionit të specializantëve dhe mjekëve të rinj, Nenad Llazarov, të dhënë gjatë protestës në të cilën u shpreh revoltë ndaj dhunës së mjekëve.

“30 vitet e fundit, shkatërrimi i vetëdijshëm dhe i pavetëdijshëm i sistemit shëndetësor ka arritur kulmin. Jemi afër ndaj rrënimit të sistemit shëndetësor. Revolta te qytetarët është rritur, dhe për këtë ndodhin këto incidente të çdoditshme”, tha Llazarov.

Se shkak i dhunës ndaj mjekëve janë defektet në sistem, ka vlerësuar edhe mjeku, Bekim Tateshi.

“Jo vetëm në Maqedoni, dhuna edhe në vende tjera është si pasojë e defekteve në një shoqëri, dhe mund të them se ajo vjen nga politikat e gabuara në shëndetësi”, tha Tateshi.

Prandaj, mediat gjithmonë nuk duhet të harrojnë, se nëse vendosin të raportojnë për dhunën, duhet të tregojnë mënyrë se si të parandalohet e njëjta.