Fjalori banal dhe komentet nuk janë pjesë e gazetarisë informative

Fjalori banal nuk i ka hije gazetarit. Gazetarit madje nuk i takon as të komentojë mendimet e tij personale rreth një çështje. Figurat stilistike si sarkazma, ironia, satira, e të tjera mundet të përdoren në disa zhanre të gazetarisë por jo në gazetarinë informative apo raportuese. Teksti që sot recesionojm bie ndesh me disa pika të Kodit Etik të Gazetarëve. 

Foto nga shkrimi që e recensojmë

Linku original i artikullit: “Kancelarja gjermane Angela Merkel mungoi sot në Tetovë!?” – VIDEO

Data e publikimit: 06.03.2021

Data e recensimit: 12.03.2021

Recensuese: Shefkije Alasani

Titull që dezinformon: “Kancelarja gjermane Angela Merkel mungoi sot në Tetovë!? – VIDEO”, është titulli i artikullit që do ta recensojmë.

Titull sarkastik

Titulli i tekstit që recesionojmë është tërheqës dhe të ngjall interes për ta klikuar lajmin, “Kancelarja gjermane Angela Merkel mungoi sot në Tetovë!?. Në pamje të parë titulli të lë përshtypjen se bëhet fjalë për një artikull sarkastik por në përmbajtjen e tekstit përveç komenteve që i bënë gazetari nuk asnjë element sarkastik. Sigurisht se në gazetari mundet të përdoret humori, satira, sarkazma apo edhe figura tjera stilistike, por në raste të tilla ka rubrika të veçanta apo zhanre të caktuara të gazetarisë që lejojnë përdorimin e stilistikës dhe përqeshjen e fenomeneve të ndryshme. E megjithatë, sarkazma dhe ironia nuk ka vend në tekstet informative.

Fjalor joprofesional

“Shumë pordhë për asgjë. Vetëm kancelarja gjermane Angela Merkel nuk ka qenë e ftuar sot në përurimin e sallës së sportit në Dobrosht të Tetovës. Aty sot kanë qenë të pranishëm lideri i BDI-së Ali Ahmeti, zv/kryeministri i BDI-së, ministra të BDI-së, ministra të LSDM-së, hoxhallarë nga myftinia e Tetovës, kryetari i Tearcës, personalitete nga Kosova.” shkruan në tekst.

Ky është paragrafi i parë i tekstit që kemi zgjedhur për recesion. Që në fjalinë e parë lexuesi përballet me një fjalor banal dhe aspak profesional nga gazetari anonim që ka shkruar këtë tekst. Në vijim gazetari përdor ironi për evenimentin në fjalë, gjë e cila do të ishte e pranueshme nëse transmetohej në ndonjë zhanër tjetër gazetarisë. Nuk është aspak e pranueshme që gjatë transmetimit të një lajmi të përdoret ironia dhe satira, një gjë e tillë e vë në dyshim lexuesin për seriozitetin e materialit që lexon. Në parimet themelore të Kodit Etik të Gazetarëve thuhet:

“Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë”.

Pra, gazetari nuk pengohet të reagojë apo edhe të shpreh mendim për aq kohë sa nuk cenon standardet profesionale dhe objektivitetin. Gazetari ka për detyrë ta informojë lexuesin dhe jo ta hutojë.

Faktet dhe mendimet dallojnë nga njëra-tjetra   

Paragrafi i dytë dhe i fundit, i tekstit që recensojmë, nga fillimi në fund është komentim dhe mendimet e gazetarit pa u mbështetur në fakte dhe burime. Me këtë paragraf gazetari bie ndesh edhe me një pikë tjetër të Kodit Etik, ku theksohet:

“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.”

Në një pjesë të tekstit gazetari shprehet kështu: Kur dihet fakti se gjatë periudhës së BDI-së u investuan miliarda euro në Shkup në ndërtimin e stadiumit modern, sallës mmoderne, rrugëve moderne, ndërtesave institucionale, liftit në Vodno, shesheve të Shkupit, autobus të rinjë ndërsa i mashtrojnë shqiptarët tek tuk me ndonjë investim sa për sy e faqje… Për të qenë një produkt mediatik profesional dhe serioz për lexuesit, gazetari të gjitha këto pretendime duhet ti mbështesë me fakte dhe burime. Pa u plotësuar kriteret gazetareske një tekst nuk quhet lajm dhe nuk duhet servuar në opinionin publik. Është shumë me rëndësi të theksohet se Kodi Etik ndalon shfrytëzimin e mediumeve për interesa personale.

“Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij.”

Periudha kohore në të cilën jetojmë është shumë dinamike prandaj është me rëndësi që lexuesi mos rëndohet me informacione jo-korrekte dhe jo-profesionale. Mediat luajnë rol kyç në ndërgjegjësimin dhe krijimin e mendimit kritik në opinion prandaj këtë përgjegjësi gazetarët duhet ta realizojnë me dinjitet dhe jo ta përdhosin dhe përulin profesionalizmin.