Funksionarët kritikohen me fakte dhe jo me vlerësime personale

Foto ilustrim

Hapësira mediatike që është paraparë për lajme duhet të shfrytëzohet për informim të drejtë dhe të paanshëm, pavarësisht pikëpamjeve personale të medias ose të gazetarit. Në tekstin që recensojmë, kjo hapësirë është shfrytëzuar për të sulmuar një politikanë dhe për të lavdëruar partinë të cilës ai i takon.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli origjinal: Lirohen “mushkëritë” e BDI-së në Kumanovë – Likovë, Sadulla Durakun e largojnë nga të gjithë organet partiake

Data dhe koha e publikimit: 22.12.2019, ora 12:11

Data e recensionit: 22.12.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Kritikat ndaj zëvendëskryeministrit Sadulla Duraku dhe lëvdatat ndaj partisë nga e cila ai vjen, nga autori i këtij teksti janë bërë drejtpërdrejt, pa burime, pa citime, pa të dhëna dhe pa fakte. Atij i kanë mjaftuar përshkrimet subjektive për ta filluar dhe për ta mbyllur këtë tekst. Kur shkruan për Durakun, autori shkruan:

“… Duraku ka qenë një ndër personat që nuk ka lejuar asnjë të ri të ngritët në strukturat partiake duke penguar me çdo kusht që të jetojë sa më gjatë në parti edhe pse nuk ka treguar asnjë rezultat si kryetar komune dhe tani si ministër.

Duraku gjithashtu nuk ka gëzuar asnjë respekt në Likovë dhe Kumanovë në strukturat e partisë dega Kumanovë – Likovë…

Me largimin e Durakut mushkëritë e BDI-së në Likovë dhe Kumanovë tani do të marrin frymë me lirshëm dhe BDI-ja në Kumanovë me 12 Prill do të jetë fituese. – janë pjesët me komentet që më shumë bien në sy në tekstin që recensojmë.

Për autorin, Duraku është një lloj “sëmundje” për të cilën flet vetëm tekstshkruesi por asnjë burim tjetër. Lajmi mund të ndërtohej me të dhëna nga terreni, me mendimin e banorëve të vendbanimeve që përmenden, burime të cilët do të përkrahin ose jo atë që shkruan autori. Gazetari ka mundur të shfrytëzojë të dhëna konkrete për punë e Durakut në komunën të cilën ai ka drejtuar dhe të zbulojë e të intervistë se cilët janë ato të rinj që Duraku nuk i ka lejuar të ngrihen në strukturat partiake.

Radhitja e të arriturave ose dështimeve konkrete të tij do të ishte më bindëse se sa një tekst tërësisht subjektiv. Po ashtu, një qëndrim nga partia e tij amë, për arsyet e largimit nga strukturat partiake, do të ishte një aset i mirë dhe madje i patjetërsueshëm në këtë “lajm”.

Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit – është ndër dispozitat kryesore në Kodin etik të gazetarëve.

Fotografia

Fotografia që është shfrytëzuar për ilustrimin e lajmit është ironizuese dhe humoristike. Fotografi të këtilla zakonisht nuk shfrytëzohen në lajme sepse nuk e plotësojnë atë, nuk tregojnë një gjendje faktike dhe as ndonjë të dhënë shtesë që do të ishte e rëndësishme për të kuptuar lajmin. Këto përmbajtje mund të jenë pjesë e lajmeve satirike që edhe përdoren nga mediat, por si kategori e veçantë e tyre dhe e ndarë qartë nga lajmet e zakonshme.

Teknikat e manipulimit

Autori i këtij teksti ka pasur “prirje për të besuar se një deklaratë është e vërtetë vetëm sepse i mungon prova që nuk është e vërtetë (si dhe anasjelltas)”. Kjo, sipas Doracakut të Crithink, njihet si thirrje në mungesën e provave të kundërta. Po ashtu, është përdorur edhe teknika e arsyetimit rrethor i cili njeh “prirje për dëshmuar vërtetësinë e një pretendimi nën supozimin së është e vërtetë. Përdorimi i konkluzionit të synuar si supozim fillestar”.

Për lexuesit

Sado të ketë pasur kritika në të kaluarën të cilat kanë qenë të bazuara në fakte dhe dëshmi relevante për ndryshimet thuajse inekzistente në strukturat e BDI-së ndër vite, ky lloj informimi për këto ndryshime, nuk është profesional. Në kuadër të standardeve profesionale, gazetari duhet të kishte kujtuar këto thirrje të deritanishme për ndryshime dhe të kishte shfrytëzuar statistika, deklarata ose të dhëna për ndikimin pozitiv ose negativ të tyre, me theks të veçantë për Durakun. Vlerësimet e vetë gazetarit janë të parëndësishme për të shkruar një tekst dhe ai të prezantohet si “lajm” kur, realisht, nuk i plotëson kriteret për të qenë i tillë.