Gazetari duhet të informojë dhe të kërkojë përgjegjësi

Një lajm nuk mund të jetë i kompletuar nëse për ta shkruar nuk është bërë një hulumtim sado i vogël, nuk është plotësuar me sqarime dhe, më e rëndësishmja, nuk ka burime të cituara, interpretuara ose të paktën të kontaktuara. Lajmi që recensojmë nuk ka bazë për të qenë informatë e mirëfilltë.

Linku deri te artikulli origjinal: “Vip mbetet pa Digitalb, ankohen abonentët, kërkojnë kthimin e parave”

Data e publikimit: 25.08.2019

Data e recensionit: 29.08.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Puna e gazetarit nuk është vetëm të përshkruaj situatën, atë që ai sheh. Ai duhet të shkojë më larg se aq. Duke marrë rolin e mbrojtësit të interesit publik gazetari hulumton dhe kërkon sqarime për aspektet negative të çështjes që ka hulumtuar, atribuon përgjegjësi dhe kërkon të drejtësi në emër të palës së dëmtuar në storje. Teksti që recensojmë nuk i përmbush deri në fund këto kritere. Ai trajton një çështje me interes por është gjysmak.

“Më shumë se 10 ditë qytetarët e të cilët janë shfrytëzues të shërbimeve Blizoo, One dhe Vip nuk mund të ndjekin kanalet e Digitalb përshkak se VIP ka ndërprer kontratën me këta të fundit. Një numër i madh i qytetarëve jane ankuar në ekspoziturat e VIP se për shërbimin paguajnë dhe të njejtin nuk e shfrytëzojnë. Nga VIP ende nuk u është mundësuar që tu hiqet nga pageasa mujore edhe pse pjesa më e shrytëzuesve janë joshur me ofertën e DIGITALB.” shkruan në lajmin që e recensojmë.

Ku janë palët?

Nëse ekziston ose jo vërtetë një ndërprerje e këtillë e transmetimit të një pjese të kanaleve nga VIP, në këtë rast, mund ta dinë vetëm shfrytëzuesit dhe gazetari. Lexuesi me kaq nuk bindet dhe nuk merr sqarime se çfarë realisht ka ndodhur. Nëse autori në titull thotë “ankohen abonentët”, në tekst nuk ka asnjë ankesë. Ne, si lexues, nuk i kemi ankesat e tyre dhe nuk i shohim kërkesat e tyre për kthimin e parave.

Nga ana tjetër, nuk mund të bëhet një lajm i këtillë pa kërkuar sqarime dhe përgjegjësi nga kompania VIP. Nëse kjo është e vërtetë, kompania u detyrohet një sqarim lexuesve dhe varësisht rregullores dhe ligjeve, ndoshta edhe kompensim (se si janë ligjet duhet ta kishte hulumtuar gazetari).

Teknikat e manipulimit

Autori ka shfrytëzuar teknikën e injorimit të dëshmisë së kundërt. Nuk kemi më shumë aspekte dhe sqarime nga këndvështrimi tjetër. Lajmi është pasqyruar si i vërtetë duke u injoruar aspektet tjera që ndoshta do të pretendonin të kundërtën.

Për lexuesit

Syri i lexuesit i kap shpejt titujt e këtillë dhe shpesh mjaftohet me tekste të shkurtra, sidomos duke pasur parasysh që shumica e tyre e marrin informacionin nga pajisjet e tyre celulare (smartphone) duke qenë në lëvizje. Por, ka tema që nuk mbyllen me dy fjali dhe ka çështje të rëndësishme për të cilat, me fakte, duhet të insistohet deri në fund për t’i kthyer në vijë të drejtë. Me kaq tekst, autori vetëm ka lëshuar alarmin por nuk arrin ta pasqyrojë as shqetësimin real të parapaguesve për shërbimet e kompanisë VIP dhe as ta detyrojë kompaninë që të jetë e përgjegjshme ndaj parapaguesve të saj.