Merreni me pikëpyetje fotografinë në tekst, është bazë për mashtrim

Fotografi nga lajmi që recensohet

Tekste të thata, pa informacione me interes publik, me fotografi të personave që pretendohen si të dikujt tjetër, nxitim për të publikuar informata të pakonfirmuara vetëm sepse lidhen me një rast të caktuar. Të gjitha këto po mbizotërojnë në kohën kur mediat e internetit po zënë vend të madh në sferën e informimit. Autorë të caktuar nuk e kalojnë aspak tekstin e tyre nëpër filtrat e parimeve gazetareske dhe si rezultat shpesh dezinformata, me çka e humbasin besimin e lexuesve të tyre. Lajmi që e recensojmë është shembull i tillë.

Fotografi nga lajmi që recensohet
Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Katica Janeva fotografohet nga burgu i Shutkës

Data e publikimit: 10.09.2019

Data e recensionit: 22.09.2019

Recensuese: Ajnur Bafqari

 

Titull premtues për një fotografi të paverifikuar

Në tekstin që po recenzojmë, me një titull bombastik për ish prokuroren Katica Janeva përbën lajm tashmë një kohë të gjatë, sigurisht se për autorin ka qenë shumë premtues, pasi lidhet me aktualitetin dhe gëzon një interesim goxha të madh. Megjithatë shumë zhgënjyes është për një lexues kur hap një tekst të tillë dhe në këmbim nuk merr informacionin e premtuar. Në tekstin në fjalë thuhet se është fotografuar kryeprokurorja e speciales Katica Janeva nga hapësirat e burgut, megjithatë fotoja nuk dëshmon se ajo është pikërisht prokurorja.

Tashmë ish kryeprokurorja speciale në dorëheqje e Prokurorisë speciale, Katica Janeva është fotografuar nga burgu i Shuto Orizares – Shutkës ku po qëndron në paraburgim me vendim të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion. Fotografimi i saj është bërë në obor të burgut teksa bisedon me një tjetër të burgosur. “- thuhet në tekst.

Gjithçka që autori e ka gabim në këtë shkrim:

  • Në foto shihet një grua e cila e ka kthyer shpinën, kështu që lexuesi nuk mund ta sheh se kush është saktë personi në të.
  • Nuk dihet koha kur është bërë fotografia.
  • Nuk dihet nëse vërtetë është burgu i Shutkës apo ndonjë vend i ngjashëm.
  • Nuk dihet kush është autori i fotografisë.
  • Nuk është shkruar pse kjo informatë do të ishte me rëndësi dhe pse kjo fotografi si e tillë ( edhe nëse autori do të dëshmonte se është vërtetë Katica) do të ishte lajm.

Kur çështja e verifikimit i është lënë lexuesve!
Se nuk është verifikuar nëse Katica Janeva është vërtetë në këtë fotografi ose jo, autori i tekstit ka vendosur që këtë ta lërë pikërisht në rreshtin e fundit të tekstit. Me qëllim apo pa qëllim, autori sikur dëshiron të amnistohet nga përgjegjësia primare e tij, që është verifikimi, dhe barrën ia le lexuesit. Që të ketë sadopak material në këtë shkrim autori pjesën tjetër të tekstit e ka mbushur me deklarata të vjetra të drejtorit të burgut, gjë që sjell konfuzion te lexuesi.

Për lexuesin: Merrni me rezervë fotografitë e paqarta
Ta keni parasysh se lajmet me fotografi nganjëherë janë më të fuqishme dhe më ekspresive si dhe më bindëse se sa ata që nuk kanë. Por kjo vlen vetëm në rastet kur fotografia vërtetë është e bërë në vendngjarje dhe teksti i gazetarit del natyrshëm nga fotografia dhe jo e kundërta kur përshtatet “me zor” teksti ndaj një fotografie. Kur fotografia është e qartë dhe duket mirë çfarë ka në të.
Më e rëndësishmja: analizoni fotografinë nga gjitha këndet, kërkoni nëse gazetari e ka shkruar burimin e saj, kohën e bërë, autorin dhe vendin e saktë.
Shtroni pyetjet: çfarë të reje sjell kjo fotografi dhe pse është me rëndësi ta lexoj këtë? A ia vlen të lexoj këtë tekst dhe çfarë mësoj?
Në rast se këto elemente i mungojnë tekstit të bashkangjitur te fotografia, atëherë të jeni të bindur se autori po manipulon me ju.