Manipulim me ndjenjat e lexuesve për arratinë e funksionarëve

Shkaku i ndjeshmërisë së rastit “Zhvatja” që futi në paraburgom edhe prokuroren speciale Katica Janeva, mediat po prodhojnë gjithfarë informatash duke qenë të sigurtë se do të konsumohen nga publiku i i cili është i etur për të ditur më shumë rreth gjendjes së funksionarëve të lartë.

Linku deri te artikulli: Pas Gruevskit, edhe një “peshk i madh” ka ikur nga Specialja

Data e publikimit: 24.08.2019

Data e recensionit: 29.08.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

Manipulim me emocione duke përdorur “emra të fuqishëm”

Që nga titulli duket se bëhet fjalë për manipulim se gjoja autori e di me siguri të plotë se Orce Kamçevi apo edhe Sasho Mijallkovi është arratisur, pasi titulli dhe fotografia e thonë këtë gjë. Nëse vendosni një fotografi duke thënë  “arratiset edhe një peshk tjetër i madh” që është sinonim për person të fuqishëm ose rëndësishëm, dhe vendosni fotografinë e Sasho Mijallkovit dhe Orce Kamçevit që të dytë përshtatën me epitetin, atëherë është manipulim i dyfishtë.

Tekst pa burime, me “trillime” të autorit

Manipulimi vazhdon edhe më tej me burime të thata informacioni siç ka shkruar autori se “po flitet” se Kamçevi është arratisur. Sa për “po flitet se” qytetarëve nuk u duhen tekstet e gazetarëve sepse këto konkluza ose muhabete mund ti nxjerrin me një të dalur në Çarshi të Shkupit ose në Qendër. Të dalin 1 mijë versione. Prandaj edhe ekziston gazetaria, për informim të drejtë dhe të besueshëm.

Pasi që autorit i është harxhuar burimi “po flitet se”, ka filluar të përdorë burimin “disa portale” pa specifikuar se kush janë ato portale, pa dhënë referenca.

“Disa portale shkruajnë se ai gjendet jashtë vendit, gjegjësisht në Bullgari. Ai është ambasador nderi i Bullgarisë në Maqedoninë e Veriut. Në rast se rezulton se është arratisur, ai është njeriu i dytë pas ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili u arratis në Hungari”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Lexues të nderuar. Ju mund të bëni vlerësime të tilla sikurse autori i këtij teksti sa të doni. E theksova edhe më lartë se nuk është e vështirë që të bëni një gjë të tillë. Por, ju duhen informata të besueshme. Prandaj mos lexoni tekste që nuk i beson as autori që i ka shkruar, e lëre më ju. Nëse nuk duket bindja e autorit në tekst, ska se si tu bind juve. Prandaj gjithmonë kur lexoni informacione shikoni se në çfarë burimesh janë mbështetur dhe nëse u  kanë ofruar mjaftueshëm prova për atë që shkruan.