Informacione të pakonfirmuara për prokuroren Janeva

Kryeprokurorja speciale, Katica Janeva kohëve të fundit është kryefjala e shtypit, për shkak të përfshirjes së saj në rastin “Zhvatja”. Të gjitha tekstet që flasin për të, ngjallin interesim të madh tek lexuesit, të cilët duan të përcjellin të gjitha detajet lidhur me këtë rast. Një gjë e tillë ka shtyrë disa media të shkruara të përdorin akoma më shumë “cope-paste”që të arrijnë sa më shpejtë të mbledhin klikime. Përveç spekulimeve të shumta që kanë qarkulluar në opinion, së fundmi gjendja shëndetësore e saj është vendosur në pikëpyetje nga një portal i caktuar dhe më pas “lajmi ” u përhap me shpejtësinë e dritës.

Linku deri te artikulli: Katica Janeva në gjendje të rëndë në Shutkë?!

Data e publikimit: 24.08.2019

Data e recensionit: 29.08.2019

Recensuese: Ajnur Bafqari

 

Informatat e pakonfirmuara, mbeten vetëm tekste boshe.
Titulli i tekstit është mjaft intrigues, sa që duke pasur parasysh që në ditën e arrestimit të Janevës, ndërroi jetë nëna e saj, disa media të shkruara shfrytëzuan rastin të shpërndajnë tekste boshe që sipas tyre “i han pazari”. Në “informacionin” e fundit bëhet fjalë për një tekst i cili nuk përmban as një burim të informacionit, as edhe ndonjë konfirmim zyrtar nga institucionet kompetente, por që shumë media të shkruara nxituan ta publikojnë, pa marrë mundimin madje as që të përmirësojnë gabimet drejtë-shkrimore që u gjetën në tekstin e parë të publikuar, e lëre më të pyesin për vërtetësinë e informacionit.

“Prokurorja e dorëhequr speciale, Katica Janeva është në gjendje të rëndë shëndetësore në Shutkë, pas ndalimit të saj para dy ditësh. Sipas portalit “Skopje1.mk”, ajo nuk ka qenë mirë që para se të kapet ng policia.”- Thuhet në tekst.

Kur “vrapon” pas klikimeve, harron se cili është profesioni
Autori i tekstit në kërkim të klikimeve harron etikën gazetareske dhe publikon “informacione” pa i konfirmuar ato, duke harruar që edhe pse Janeva është prokurore, ajo para se gjithash është njeri dhe ka një rreth familjar që shqetësohet për të.

Gazetari është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe vuajtjen e personit.”- thuhet në kodin etik të gazetarëve.


Ky tekst ka mundësi me “dhezë”…
Ky manipulim ka qarkulluar në jo pak media të shkruara edhe në gjuhën maqedonase, ndërsa për herë të parë u publikua nga portali në gjuhën maqedonase “Skopje1.mk”. Në tekst alarmohet për një gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dikund nga fundi i tekstit thuhet se ajo ka problem me tensionin e gjakut dhe pikërisht për këtë arsye ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Катица Јанева во лоша здравствена состојба, прима антидепресиви за смирување

 

Koncepti i manipulimit “Thirrje në besueshmëri”
Autori ka përdorur konceptin e manipulimit “Thirrje në besueshmëri” që është aftësia e të besuarit se mundësia që diçka të ndodh është fakt se e njëjta gjë do të ndodh. Nëse Janeva mund të sëmuret, ajo do të sëmuret, është logjika e autorit në këtë tekst.

Mësoni si të mos mashtroheni!
Lexues, nëse rastisni në një informacion që vetëm po përshtatet me situatën aktuale, por në brendësi të tekstit asgjë nuk e konfirmon vërtetësinë e tij, nuk ka as burime, as deklarata, madje nuk ka as ndonjë fotografi të përshtatshme për atë tekst, atëherë ju sapo keni rënë në grep.