Në vrapim pas klikimeve disa media gabojnë dhe përziejnë atë çfarë është interes publik, me thashetheme që nuk janë konfirmuar kurrë. Vetëm se është “pikant” lajmi, vrapojnë dhe garojnë për atë se kush do ta publikojë i pari por pa verifikuar saktësinë e lajmit.
Linku deri te artikulli: Prokurorja Fatime Fetai shkon në punë me çantë 2,550 euro (FOTO)
Data e publikimit: 23.08.2019
Data e recensionit: 29.08.2019
Recensuese: Ferikan Iljazi
Tekst i ricikluar që ka për qëllim diskretimin publik të një prokurori
Në tekstin që po e recensojmë, duket tendenca për diskreditimin e imazhit të prokurores Fatime Fetai, me një lajm të vjetër, nga viti 2018, që edhe ashtu asnjëherë nuk është konfirmuar.
Gazetari ka shkruar për luksin e prokurores speciale Fatime Fetai pa dhënë asnjë argument dhe kjo është e papranueshme në gazetari, aq më tepër që këtë diskreditim e bën me lajm të ricikluar. Pyetja për luksin e Fetait, por me diçka tjetër që nuk është palltoja apo çanta e shtrenjtë që janë lajme të vjetra, do të ishte legjitime nëse Fetai do të kapej duke keqpërdorur para nga buxheti i shtetit për një luks të tillë. Por as për këtë nuk ka askund argumente apo prova, prandaj asgjë që nuk mund të verifikohet nuk është e vërtetë.
“Prokurorja Speciale Publike Fatime Fetai padyshim që shijon një luks të madh. Sipas mediave të vendit Fetai një herë u shfaq me një bundë luksoze që kishte vlerën prej 830 eurosh ku mori jehonë të madhe në opinion, por e arriti të tekalojë lajmin për jetën e shtrjntë që bën duke mohuar gjithçka që kishin shkruar mediat e vendit. Tani sërish shfaqet Fatmija me një çantë Guçi që kushton hiq më pak se 2249 funta angleze ose rreth 2550 euro sipas çmimit origjinal në salonet e Guçit”,shkruan në tekstin që e recensojmë.
Për të qenë teksti edhe më skandaloz, në fund ka rikujtuar se shefja e Fatime Fetait Katica Janeva është kapur me ryshfet disa milionësh, në mënyrë që lexuesit ti shkojë mendja se kështu ka mundur të veprojë edhe Fetai dhe këto lloj asocimesh nuk janë të preferueshme.
“Ndryshe gjithë opinioni tani i ka sytë ka PSP-ja ku kryetarja Katica Janeva keqpërdori pozicionin e saj, ku sot gjendet në paraburgim për rastin “Reket” bashkë me Boki 13 dhe biznesmenin Kiçec”,shkruan në tekstin që analizojmë.
Mos lexoni tekste të tilla që nuk kanë burime dhe flasin në “ajër”
Jo gjithçka që fluturohen hahet, prandaj edhe jo gjithçka që publikohet është e vërtetë. Gazetari prandaj është dashur ta pyesë Fatime Fetain nëse çanta që ia regjistruan mediat është origjinale dhe ta theksojë se ky lajm është publikuar më parë dhe as atëherë nuk është verifikuar.
Është legjitime që kjo çështje e luksit të riaktualizohet, por nuk guxon të manipulohet sikurse të kishte ndodhur tani. Gazetari e ka për detyrë që t’ia thotë lexuesit vetëm të vërtetën prandaj edhe kjo formë e të shkruarit është e papranueshme në gazetari pasi që është manipulim klasik.
Nëse shihni tekste të tilla në të cilat duken vetëm komente të gazetarit dhe nuk ka as foto, as video as deklaratë, të jeni të bindur se mund të jetë e rreme. Mos e harxhoni kohën e çmuar për të lexuar thashetheme që kanë vetëm për qëllim diskreditimin e dikujt pasi nuk iu bën më të pasur me informacione.