Qëllimi i gazetarisë nuk është të jetë megafon i funksionarëve

Autorët nganjëherë mund t’i i “ngatërrojnë” interesat publike me qëndrimet apo entuziazmin e tyre personal për çështje të caktuara. Teksti që e recensojmë ka komente dhe aspak nuk meriton të jetë lajm informativ.

Linku deri te artikulli: Taravari udhëtoi me “nijet” të pastër në Haxh, sapo arriti në Mekë mori një lajm të mirë (Foto)

Data e publikimit: 07.08.2019

Data e recensionit: 29.08.2019

Recensuese: Ferikan Iljazi

 

 

Teksti është për ligj dhe procedura gjyqësore ndërsa gazetari shkruan për “nijet të pastër”

Në tekstin që po e recensojmë, autori ka dashur të bëjë senzacion prej Taravarit dhe të përmend fillimisht se ka shkuar në Haxh, e pastaj edhe se paska marrë lajm të mirë që Gjykata ka dhënë verdikt në favorin e tij si kryetar i Gostivarit dhe ka refuzuar Ministrinë e Arsimit që ka dashur tia marrë kompetencat Taravarit në sferën e arsimit.

Deri këtu ndoshta jemi në rregull, por autori ka tentuar që ta lidhë vendimin e Taravarit për të shkuar në Haxh me vendimin e Gjykatës Administrative, dhe kjo është diçka e papranueshme në gazetari. Askush, askush, përfshirë këtu edhe gazetarët, nuk mund të komentojë dukuri të tilla që nuk ka se si dëshmohen pasi janë mbinatyrore.

Gazetari tregon qartë se mban anë dhe reklamon dhe kjo në gazetari është krim

“E lajmi që ka marrë sot nuk është i mirë për Taravarin, por për mbarë arsimin e Gostivarit, sepse Gjykata Administrative ka vendosur në favor të komunës lidhur me ankesën kundër MASH-it në rastin e marrjes së ingerencave në sferën e arsimit”, shkruan në tekstin që po e recensojmë.

Këto janë fjalë që nuk i kanë hije një gazetari pasi që ai nuk duhet të jetë subjektiv dhe të tregojë se ky lajm qenka lajm i mirë për mbarë Gostivarin dhe të përgjithësojë në këtë mënyrë.

Prej ku mund ta dijë gazetari se çfarë mendon i gjithë Gostivari për këtë vendim. Entuziazmin e tij ka menduar se e ndajnë të gjithë dhe këtu e ka zbuluar veten se mban anë.

Gazetarët nuk guxojnë të shndërrohen në megafonë të funksionarëve pasi kështu e tradhtojnë besimin e qytetarëve. Prandaj, ju lexues, kur të shihni tekste të tilla që tregojnë se sa një gazetar dëshiron tu bindë se kush është i miri e kush i keqi dhe kë duhet ta përkrahni e kë jo, atëherë lëreni tekstin fare. Nuk ia vlen të lexoni kumtesa partiake në media që duhet tua hapin sytë për keqpërdorimet e pushtetit.