Gazetari informon me fakte, nuk spekulon me supozime

Fotografi nga informata që recensohet

Tekst i mbushur me gabime drejtshkrimore, komente tendencioze dhe supozime të pa baza, janë elementet kryesore prej të cilave përbëhet informata që po recensojmë. Kjo informatë nuk përmbush asnjë kriter të informimit profesional gazetaresk dhe të quhet “lajm”. Autori anonim me analogji false dhe prova selektive shkakton huti dhe paqartësi te lexuesi. Detyra e gazetarit është të informojë me fakte dhe jo të komentojë dhe të spekulojë.

Informata që recensohet

 Linku original i artikullit: Askush s’ka informacion ku gjindet Izet Mexhiti,sot nuk është paraqit as në Kuvendë!?

Data e publikimit: 25.02.2021

Data e recensimit: 03.03.2021

Recensuese: Shefkije Alasani

Titull që dezinformon

“Askush s’ka informacion ku gjindet Izet Mexhiti,sot nuk është paraqit as në Kuvendë!?”

Vetëm duke e parë titullin e tekstit që po recensojmë kupton se bëhet fjalë për një shkrim jo-profesional dhe tendencioz. Teksti i shkruar nga gazetar anonim është i stërmbushur me gabime gjuhësore e drejtshkrimore.

Në aspektin drejtshkrimor vërehen gabime në artikulimin e fjalëve, përdorimin e shenjave të pikësimit, parimin fonetik e morfologjik. Në aspektin gazetaresk kjo informatë nuk jep përgjigje në 5 pyetjet gazetareske: Ku, kur, kush, çfarë, pse? Me prova selektive, autori i tekstit komenton mungesën e koordinatorit të grupit të deputetëve të BDI-së, Izet Mexhiti dhe spekulon se ai mundet të jetë arratisur. Sipas doracakut të CriThink, provat selektive është një fenomen që përdoret për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi.

Më tej, nëse i kontaktuari nuk jep përgjigje, kjo nuk i jep të drejtë gazetarit të konkludojë se ai “është zhdukur”. E drejtë e gazetarit është të shënojë që i kontaktuari nuk përgjigjet dhe madje mund të shënojë dhe pyetjen e drejtuar tek ai, por nuk i lejohet të supozojë.

Dikotomi false

Autori i tekstit në titull thotë se “Askush nuk ka informacion se ku gjindet Izet Mexhiti”, ndërsa në përmbajtjen e tekstit në asnjë moment nuk përmenden burimet që janë kontaktuar për ta verifikuar mungesën e Mexhitit. Supozimi se “Izet Mexhiti nuk gjendet askund” mbështetet në mungesën e tij në një seancë në Kuvend dhe mungesën e tij në një mbledhje me liderin e BDI-së Ali Ahmeti.

Çdo e enjte e fundit të muajit është ditë e rezervuar për pyetje të deputetëve drejtuar ekzekutivit, sot kur pritej që Deputeti i BDI Izet Mexhiti të paraqitet me pyetje në Kuvendë,çuditërisht Ai sot ka munguar,por Mexhiti nuk është parë prej më shum se një jave të paraqitet në opinion,ai gjithashtu mungoi edhe në mbledhjen e fundit të Ahmetit më Kryetarët e Degëve,e meqë Mexhiti është edhe Kryetar i Degës së Çairit nuk morri pjesë në takim me Ahmetin dhe Grubin”, shkruan në tekstin që e recensojmë.

E megjithatë, fakti që një deputet nuk është paraqitur në Kuvend nuk është provë se ai është zhdukur nga vendi. Në Parimet Themelore të Kodit Etik të Gazetarëve theksohet se: Roli i gazetarëve është të transmetojnë informata, ide dhe mendime dhe kanë të drejtë të komentojnë. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë.

Në mbrëmjen e datës 26.02.2021 koordinatori i grupit të deputetëve të BDI-së, Izet Mexhiti, na paraqitet në një fotografi në rrjetet sociale në një takim me disa figura tjera të partisë së tij.

Thirrja në emocione

Me aludimin se Izet Mexhiti mundet edhe të ketë ikur nga vendi, autori i tekstit përdor edhe fenomenin e “thirrjes në emocione”. Përderisa në fokus të opinionit publik në vend ishte zhdukja dy ditore e të ish kreut të DSK-së Sasho Mijallov, autori i tekstit inicion supozime të pa baza:

Meqë çështja e ,,ikjeve” është bërë dukuri e shpeshtë në vendin tonë,atëher parashtrohet pyetja nëse Mexhiti qëllimisht është ,,izoluar””

Thirrja në emocion në doracakun e Crithink definohet si: Prirje për përdorim të fjalimit të bazuar në bindje në vend të fakteve, në mënyrë që të ngjallë emocione tek bashkëbiseduesi dhe të fitojë në diskutim. Ndërkohë autori bie ndesh me një tjetër parim të Kodit etik ku thuhet se: Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.

Nga fillimi në fund, teksti është spekulim dhe komentim

Teksti në fjalë, nga fillimi deri në fund, nuk plotëson asnjë kriter të një produkti profesional mediatik. Lexuesit i ofrohen vetëm komente e hipoteza për veprimin e një funksionari politik, në një moment kur në qendër të opinionit publik ishte zhdukja e një tjetër figure të njohur në arenën politike. Përmbajtjet e tilla tendencioze janë shqetësim serioz për opinionin publik, për shkak se në këtë mënyrë te lexuesi shkaktohet konfuzitet dhe bindje të gabuara. Akoma më shqetësuese dhe jo-serioze përmbajtjen e tekstit e përbën niveli tejet i ulët gjuhësor me të cilën është shkruar teksti.

Kodi i Gazetarëve thotë kështu “Gazetarët duhet të bëjnë dallim ndërmjet fakteve dhe mendimeve, ndërmjet lajmit dhe komenteve”.