Është e papranueshme që gazetari të shpifë, ndryshojë deklarata apo të përhapë racizëm, vetëm që të sulmojë një politikan. Kjo është mënyra më e ulët e mundshme që mund të bëjë një punonjës i medias. A lejohet kritika? Po, patjetër, nuk ka se si të quhet gazetari, nëse u shkon për ‘qejfi’ funksionarëve, apo nëse nuk e ngre zërin kundër fenomeneve dhe veprimeve negative apo premtimeve të pa realizuara nga udhëheqësit e institucioneve përkatëse. Por, edhe kritika ka disa parime, të cilat nëse tejkalohen mund të kalojnë në ofendime të një personi apo si në rastin në fjalë të një komuniteti të tërë.
Linku origjinal i artikullit: Ali Ahmeti i quan maxhup ata që nuk kanë nënshtetësi
Data e publikimit: 31.01.2021
Data e recensimit: 03.03.2021
Recensuese: Naile Dauti
Titull racist
Titulli i këtij informacioni është skajshmërisht racist, ofendues dhe fyes kundrejt komunitetit rom. Përveç kësaj, titulli nuk pasqyron realitetin e deklaratës së dhënë nga personi i përmendur në tekst. Deklarata është e shtrembëruar me qëllim. Gazetari është ai që më së paku duhet të jetë paragjykues. Titulli që mund të pasqyronte të vërtetën e lajmit duhet të ishte: “Ali Ahmeti: Ata që më së shumti nuk kanë nënshtetësi i përkasin komunitetit rom” ose ngjashëm.
Përmbajtja e “lajmit”
“Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti gjatë një paraqitjeje mediatike i ka quajtur manipulim, zërat se shqiptarët janë ata që s’kanë nënshtetësi. Sipas Ahmetit numri më i madh i qytetarëve që janë pa nënshtetësi janë romë e jo shqiptarë. Kjo gjë, ndryshe ka lënë të nënkuptohet se Ali Ahmeti gjithë ata shqiptarë që nuk kanë nënshtetësi i ka ofenduar duke i quajtur maxhup”, thuhet në tekst.
Fjalia e fundit, është raciste dhe fyese. Me këtë fjali, gazetari më shumë se çdo gjë vë në pah paragjykimin që ka vetë ai ndaj romëve. Nënkuptimet edhe mund të ‘përkthehen’, por jo, kjo deklaratë nuk kishte nënkuptime dhe s’ka edhe si të lexohet mes rreshtash, më e pakta në këtë form.
Ajo që mund të vihej në pah në këtë rast, është fakti se kur një funksionar, jo pa ndikim, e di se ky komunitet është më i diskriminuari- nuk ka nënshtetësi, si mund të flasë nga ky pozicion, sikur të jetë analist, opinionist apo dikush tjetër që nuk mund të bëjë më shumë se sa të ngre dhe adresojë çështjet drejt institucioneve kompetente.
Qëllimi i tekstit është propaganda
Teksti në fjalë, vijon më tej me propagandën: “Ndryshe, çështja e nënshtetësive u aktualizua javëve të fundit, pasi opozita shqiptare, ASH-AAA, ka propozuar ndryshim dhe lehtësim të procedurave për marrjen e nënshtetësisë”.
Tani është shumë më e qartë përse kjo lloj forme e informimit. Duke manipuluar në mënyrën më të ulët të mundshme, qëllimi i këtij ‘lajmi’ paska qenë të propagandohet për një parti tjetër politike.
Automatikisht në këtë rast kemi shkelje të nenit 14 të Kodit Etik të Gazetarëve, i cili thotë:
Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjtetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike.
Deklarata e vërtetë në fakt është:
“Përsëri këtu ka manipulime, se nuk janë shqiptar. Ata që më së shumti nuk kanë shteti janë komuniteti rom”, deklaroi Ahmeti.
Në këtë rast, është bërë shkelje flagrante, në mënyrën më të ulët etike dhe morale të disa parimeve të Kodit Etik të Gazetarëve edhe atë:
“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”
Gazetari do t’u përmbahet standardeve të pranuara shoqërore që kanë të bëjnë me mirësjelljen dhe respektimin e dallimeve etnike, kulturore dhe fetare në Maqedoni.
Gazetari patjetër ta kultivojë kulturën e të shprehurit dhe etikën. Komunikimi i pashembullt me opinionin nuk i ka hije profesionit të gazetarit.
Gazetari do ta ruajë namin dhe dinjitetin e profesionit të tij, do të nxisë solidaritetin reciprok dhe pluralizmin e mendimeve dhe nuk do ta përdorë mediumin e tij për qërim hesapesh me persona duke përfshirë edhe kolegët e tij.
Siç shpjegohet në Doracakun e Krithinkut, për mospërputhjet logjike dhe njëanshmëritë kognitive më të përdorura gjatë manipulimit të informacionit, autori në këtë rast, ka bërë Analogji false, duke duke bërë lidhje të dy gjërave që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Autori me qëllim bën analogji jologjike se shqiptarët të cilët nuk kanë nënshtetësi, quhen rom apo siç i quan autori me termin fyes ‘maxhup’. Një jetë manipulim që përdoret nga autori anonim që qëndron pas këtij portali është Dikotomia false. Sipas asaj që ka shkruar, edhe pse deklarata është shumë e drejtpërdrejtë, nuk ka mundësi tjetër, por vetëm ajo që ka nënkuptuar autori! Veç tyre, janë përdorur edhe manipulime ose mospërputhje logjike si: “Pas kësaj do të thotë për këtë”,Thirrja e emocioneve, Argument kundër njeriut, etj.
Për lexuesit
Racizmi nuk i shërben askujt. Mënyra e till e raportimit nuk ka të bëjë fare me etikën, parimet dhe vlerat e gazetarisë. Një formë e till e raportimit duhet dënuar nga të gjithë, pa dallim, pasi krijon urrejtje dhe paragjykime, të cilat në fakt duhet shmangur, zhdukur dhe jo ndezur më shumë. Komunitetit rom, nëse një gazetar nuk mund t’i ndihmojë, më e pakta që mund të bëjë është të pasqyrojë gjendjen e tyre reale. Nëse diskriminohet nga institucionet, ta denoncojë, të ngrejë zërin, por jo të bëhet palë me diskriminuesit, racistet dhe ngjashëm.