Gazetari që shkel standardet gazetareske

Foto ilustrim

Media të caktuara të internetit, të cilat luajnë rolin e “mashës” së subjekteve të caktuara politike, vazhdimisht promovojnë vlerat e një subjekti politik, ndërsa “sulmojnë” subjektet tjera kundërshtare. Autorët e shkrimeve të mediave të tilla shohin me sy kritik çdo lëvizje, fjalë, fotografi, tekstualisht gjithçka që bën subjekti kundërshtar i partisë porositëse dhe edhe lëshimet më të vogla i shfrytëzojnë  si “armë” dhe i paraqesin si “lajme”. Në mungesë të lëshimeve, ata madje shpikin gjëra të ndryshme vetëm për të arritur qëllimin e tyre. I tillë është teksti që e recensojmë.

Fotografi nga lajmi që recensohet

Linku deri te artikulli: Koalicioni i meshkujve që shkelë gruan

Data e publikimit: 21.02.2020

Data e recensionit: 26.02.2020

Recensuese:  Ajnur Bafqari

 

 

Titulli i përbërë nga rreth 5 fjalë me një dozë të lartë të komentimit, e bën menjëherë të qartë qëllimin e tekstit që po recensojmë. Titulli nuk është adekuat, ai e dezinformon lexuesin, e mashtron atë dhe e shtyn të bëjë interpretim të gabueshëm. Kur thuhet interpretim të gabueshëm, në të njëjtën vijë shkon edhe e gjithë përmbajtja e tekstit. Autori gjatë gjithë kohës përdor dozë të lartë të komentimit të cilën e fut si pjesë integrale të “fakteve”, por që në këtë tekst nuk është se vërehet prania e tyre.

 “Koalicioni i firmosur sot LR-PDSH-Alternativa nisi si mos më keq. Asnjë grua nuk gjendej në sallën e hotel Holiday Inn, ndërsa simpatizantët burrra të dy partive ishin ekzaltuar nga fjalimet mashtruese të Selës dhe Gashit.
Reagime të shumta në rrjetet sociale, kryesisht nga femrat shqiptare, të cilët akuzojnë se “Koalicioni mashkullor” që ditën e parë po shkel dinjitetin e gruas shqiptare”- thuhet në tekst.

Një tekst me përmbajtje tendencioze dhe me reagime “fantome”
Bëhet fjalë për një tekst me përmbajtje tendencioze, me kritika të cilat nuk argumentohen në asnjë moment me asnjë fotografi, ndërsa për të mos mbaruar me kaq, ai madje thirret në reagime nëpër rrjete sociale, por as burimi i tyre nuk dihet dhe as nuk dokumentohen tekstualisht me asgjë.

Pretentimet e autorit nuk bazohen askund
Autori nga “Salla e hotelit” del tek “Ura e Gurit” dhe vazhdon sulmet e tija ndaj këtij koalicioni, duke u thirrur sërish në reagimin e,  si/ thuhet në tekst, “një femre”, e cila sipas autorit ka bashkangjitur edhe një fotografi dhe e ka publikuar në profilin zyrtar të Alternativës, dhe më pas siç thuhet në tekst, ky reagim gjoja qenka larguar nga administratorët e faqes. Por as këto pretendime autori nuk i bazon askund, i kujtojmë se do të kishte mjaftuar të paktën një “screenshot”.

Koncepti i manipulimit “Thirrja e emocioneve” dhe “Argument kundër njeriut”
Autori nëpërmjet manipulimit “Thirrja e emocioneve” përdor fjali të bazuara vetëm në bindje personale dhe në asnjë moment nuk paraqet fakte. Qëllimi i tij është ngjallja e emocioneve në këtë rast tek gjinia femërore. Autori në tekst përdor poashtu konceptin e manipulimit “Argument kundër njeriut” që njihet si prirje për sulm ndaj ndonjë pretendimi përmes sulmit të personit që e përfaqëson atë. Në këtë tekst autori sulmon në fakt dy persona që përfaqësojnë dy parti politike e që kanë krijuar një koalicion. Nëpërmjet tekstit në fjalë, autori tenton të diskreditojë karakterin e dy krerëve në vend të njohurive të tyre.

Ka dallim mes informatës dhe komentit
Lexues, në vrullin e informatave nuk është e lehtë që të bëni dallim mes lajmeve që janë vetëm senzacionaliste dhe boshe, dhe ato me vlerë informative, por nëse ndiqni se kush i shkruan ato tekste dhe ku, si dhe nëse ka referenca, atëherë do të mund të dalloni nëse teksti ka për qëllim informimin tuaj, ose shpërqëndrimin në lajme të pavlera. Ajo çfarë duhet të bëni është, që të informoheni nga media të dëshmuara dhe të mësoheni të bëni dallimin mes informatës dhe komentit, nëse në tekst nuk ka argumente, as burime të informacionit, as deklarata, e as informatë, mos e humbni kohën tuaj.