Hapësira mediatike nuk duhet të keqpërdoret. Secila formë e shprehjes ose e shkrimit në media mund të publikohet në kategorinë përkatëse, ndarja e të cilave bëhet në bazë të disa kritereve. Gazetari ose redaksia ka mundësi të publikojë qëndrimin e tij ose të saj por në kategori të posaçme si editorial ose opinion, assesi në kategorinë e lajmeve.
Linku deri te artikulli origjinal: A më mirë Ali Ahmeti të largohet nga politika, apo të mbetet edhe më tej?
Data e publikimit: 12.12.2019
Data e recensionit: 15.12.2019
Recensues: Fatlume Dervishi
Komentet si pjesë e lajmit
Një titull që pyet të paralajmëron për një tekst që përgjigjet. Për pyetjen që bën autori mund të ketë disa këndvështrime prandaj ngjallet interesi për mënyrën se si mund të jetë trajtuar. Që në fjalitë e para pikasen komentet tërësisht subjektive të autorit.
“Ky debat nuk tërheq vëmendje sikur në të kaluarën, sepse BDI tani është një subjekt dukshëm i dobësuar, mbijetesa e të cilit nuk varet më nga shqiptarët ku ka humbur dukshëm mbështetjen, po nga përkrahja e partive maqedonase.”
Këtë nuk e tolerojnë standardet profesionale.
“Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit” – shkruan në Kodin etik të gazetarëve.
Diskreditim i shkruar qartë
Pas komenteve personale që ka bërë, autori ka cituar zëvendëskryeministrin Bujar Osmani për largimin eventual të Ahmetit nga politika. Pasi e ka cituar, autori e ka komentuar dhe diskredituar Osmanin duke shtuar pas deklaratës së tij se “Meqë bëhet fjalë për funksionar të BDI-së, që dyshohet për vepër penale, mendojmë se qëndrimi i tij nuk është aspak real, e as neutral, e madje mund të jetë qëndrim manipulues për përfitim personal”.
Askush nuk klikon një lajm për të parë se çfarë mendon gazetari. Në rastin e lajmeve, mendimi i gazetarit, shprehja “unë mendoj” ose “ne mendojmë” janë tërësisht irelevante. Lajmet lexohen për t’u informuar në formë objektive për temën që trajtojnë.
Nëse gazetari mendon se qëndrimi i një burimi për ndërtimin e lajmit që shkruan nuk është real dhe është manipulues, mund të zgjedhë të mos e citojë.
Teknikat e manipulimit
Autori ka shfrytëzuar disa metoda manipulimi. Janë shfrytëzuar dëshmitë selektive. Ka pasur prirje për të treguar fakte që flasin për mbështetje të një pretendimi dhe injorim të fakteve që janë kundër tij. Edhe pse është cituar Osmani që mbron idenë se Ahmeti nuk duhet të largohet nga politika, ai më vonë është diskredituar. Për këtë shkak, kemi edhe metodën e sulmit personal ose argumentit kundër njeriut, në këtë rast ndaj Osmanit, duke e shkruar qartë (nga autori) se mendimi i Osmanit nuk vlen. Autori ka pasur prirje për të konfirmuar këndvështrimin e tij duke kujtuar, favorizuar dhe gjurmuar informacione që konfirmojnë pikëpamjet ekzistuese.
Për lexuesit
Disa zëra analistësh, opinionistësh, njohësish të politikës mund të kishin dhënë qëndrimet e tyre për temën në fjalë dhe gazetari t’i citonte duke mos dhënë vlerësimin e tij dhe duke mos anuar nga njëra palë. Po ashtu, qëndrimi i funksionarëve të vetë partisë së Ahmetit ka shumë rëndësi por nuk është profesionale që ata “të sulmohen” dhe diskreditohen vetëm pse e japin mendimin e tyre. Lajmet me prapavijë dhe subjektive si lajmi që recensojmë detektohen shpejtë sepse në mungesë të informacioneve të vërteta, autorët i mbushin me komente, etiketime dhe kritika subjektive.