Në media ndeshim shpesh me informacione të pasakta se si mund të shërohet korona virusi, se si mund të parandalohet dhe ngjashëm. Këtë herë, hasëm në një informacion tjetër të pasaktë, ku jepen udhëzime se si mund ta kuptojmë nëse jemi infektuar apo jo nga korona virusi. Nëse ndonjëherë edhe testet rezultojnë të gabuara edhe pse të përgatitura nga specialistë mjekësor, mund ta imagjinoni vërtetësinë e këtij ‘truku’.
Linku origjinal i artikullit: Doktori japonez tregon si ta zbulojmë brenda 10 sekondave nëse jemi prekur nga Koronavirusi
Data e publikimit: 10.04.2021
Data e recensimit: 22.04.2021
Recensuese: Naile Dauti
Informacion i pasaktë dhe me mjek anonim
Informacioni që po recensojmë është tërësisht i pasaktë dhe ajo që bie në sy është se mjeku i cili tregon udhëzimin është anonim, thjeshtë një mjek japonez. Një formë e këtill e ‘zbulimit’ të infektimit nga korona virusi nuk është dëgjuar ndonjëherë të rekomandohet nga specialistë mjekësore apo organizata përkatëse shëndetësore, që së paku të hamnedësosh nëse është informacion që duhet marrë në konsideratë.
“Një doktor dhe fizikant Japonez na jep një këshillë se si të parandalojmë koronavirusin dhe një mënyrë për të zbuluar vetë, nëse mund të jemi infektuar apo jo. Tashmë që të gjithë i dimë simptomat e koronavirusit dhe se pas sa ditësh shfaqën ato. Ajo që nuk dimë është se si ta zbulojmë që ne jemi prekur nga ky virus. Këtë gjë na i tregon një doktor dhe fizikant japonez dhe është shumë e thjeshtë”, thuhet në tekst.
Ashtu siç e përmendëm edhe më lartë, emri i mjekut nuk përmendet askund, në mënyrë që të mund të hulumtojmë se për çfarë mjeku bëhet fjalë
“Çdo mëngjes merr frymë thellë dhe mbaje për më shumë se 10 sekonda. Nëse arrin të mbash frymën pa u kollitur dhe pa përjetuar shqetësime, si shtrëngim në kraharor dhe gjendje ankthioze, tregon se nuk je i prekur nga fibroza dhe nuk ka indikacione për koronavirus. Këtë duhet ta bësh çdo mëngjes në një ambient me ajër të pastër”, thuhet më tej në artikull.
Kjo nuk ka mundësi të jetë e vërtetë, pasi ka lloj-lloj sëmundjesh të cilat kanë të bëjnë me organet respiratore, që edhe duke mos pasur korona virus, mund të përjetohen shqetësime të tilla. Autori, nuk ka sjellë ndonjë informacion shtesë apo burim tjetër informacioni, që ta demantojë apo përforcojë hipotezën, që për hir të punës dhe etikës duhet bërë. Nëse rezulton se kjo është e pavërtetë, përkatësisht qe dy, tre apo katër mjekë të tjerë e hedhin poshtë një pretendim të tillë, ky informacion nuk duhej publikuar. Aq më pak nuk duhej publikuar duke marrë mendim edhe të mjekëve të fushës përkatëse.
Veç kësaj, në artikull jepen edhe informacione të tjera që edhe mund të jenë të dobishme për jetën tonë të përditëshme dhe vitalitetin, por asesi nuk mund të jenë rekomandime për parandalim të infektimit nga koronavirusi.
“Mjeku gjithashtu këshillon të gjithë që të përpiqen të mbajnë fytin të lagësht.Duhet të pini ujë çdo 15 minuta. Nëse virusi futet në gojë, duke pirë ujë apo çfarëdo lloj lëngu tjetër, ndihmon që të kalojë nga ezofagu në stomak. Nëse nuk pi ujë mjaftueshëm dhe rregullisht, virusi mund të futet nga ajri përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe të prekë mushkërinë, që do të thotë rrezik”, thuhet më tej në tekst.
Me informacione të pasakta mund të rrezikojmë shëndetin e dikujt
Ndërgjegjja, përgjegjësia dhe vetëdija e ndikimit të informacioneve që plasojmë duhet të jetë në nivel për një gazetar që pretendon profesionalizmin. Ç’do të thotë kjo? Në rastin konkret kjo do të thotë se autori duhet ta dijë që ka njerëz nga më të ndryshëm, që informacionet si ky i arrin plotësisht si të vërteta. Duke qenë kështu, autori, mund të bëhet shkak ndoshta në përkeqësimin e situatës së dikujtë që mund të ketë ndonjë sëmundje, me të cilën nuk guxon të eksperimentojë me veten siç rekomandohet në këtë artikull. Prandaj, përgjegjësia dhe empatia e gazetarit në të tilla raste duhet të jetë më e lartë se ekzaltimi nga numri i lartë i klikimeve që mund të marrë.
Konceptet e manipulimit
Në këtë artikull vërehen disa manipulimesh edhe atë Prova selektive dhe Thirrje të emocioneve. Manipulimi i parë, mund të quhet vetëm tentim për prova selektiv, pasi në realitet, autori nuk ka sjellë ndonjë provë që mund ta bind lexuesin për vërtetësinë e infomacionit, por ndërkohë ka bërë një injorim të tërësishëm të fakteve që janë kundër të njëjtit pretendim ose më e pakta vënien në dukje që këto rekomandime nuk ekzistojnë askund në mjekësinë konvencionale. Nga ana tjetër, autori, në njëfarë forme bën thirrjen e emocioneve, me vetë faktin sepse duhet ta dijë mirë që informacionet e tilla do të kenë impakt te lexuesit e shqetësuar prej situatës së koronës dhe të cilët duan me çdo kusht sigurinë e shëndetit. Të tillë persona janë në gjendje të provojnë gjithçka që iu rekomandohet, prandaj, kontatojmë se në këtë artikull ka edhe thirrje të emocioneve.
Këshillë për lexuesit
Këtë që po lexoni në artikull nuk duhet ta provoni sepse nuk ka asnjë bazë shkencore. Kur testet e ndryshme për përcaktimin e pranisë së korona virusit ndonjëherë rezultojnë të dështuara, nuk mbetet asnjë arsye për të besuar këto instruksione që hasni nëpër internet. Rekomandime të tilla nuk jepen as nga mjekët dhe as nga organizata të ndryshme, prandaj nuk duhet asessi t’i zbatoni. Ajo që duhet të bëni kur dyshoni dhe keni simptoma të korona virusit, është që të konsultoheni me mjekun tuaj amë.