Nga shkurtimi i tepërt deri te lajmi i paqartë – thirrja e Kryqit të Kuq mbeti e pakuptuar

Artikulli origjinal: Kryqi i Kuq bën thirrje për t’i dhënë fund sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shëndetësore

Data e publikimit: 26.5.2020 

Data e recensionit: 29.5.2020

Recensuese: Ana Mishkovska Kajevska 

Mënyra se si fillon lajmi, “Londër, 26 maj 2020“, tregon se bëhet për përkthim të një lajmi të agjencisë së lajmeve. Mirëpo, në publikimin në gjuhën maqedonase as që është përmendur agjencinë e lajmeve, e as që është vendosur link deri te teksti origjinal. Kërkimi në internet dhe krahasimi i përmbajtjeve tregoi se bëhet fjalë për një lajm nga agjencia “Reuters“.

Mospërmendja e burimit të lajmit është në kundërshtim me Rregullat e Reuters-it për huazimin e përmbajtjeve të tyre. Në të njëjtën kohë, Kodi i SHGM-së në pikën 4 thotë se “gazetari do ta cekë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon që të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë atë.“. Meqenëse ky është një lajm agjencie, assesi nuk bëhet fjalë për kërkesë për anonimitet që duhet të respektohet. Burimi patjetër është dashur të ceket.

Edhe pse mediat kanë të drejtë t’i shkurtojnë lajmet e agjencive kur i publikojnë ato, ueb-faqja ka bërë një shkurtim që rezulton me humbjen e informacionit të rëndësishëm dhe një ulje të konsiderueshme të vlerës informuese të publikimit. Përveç gabimeve tipografike dhe atyre drejtshkrimore, në disa vende ka edhe gabimet dhe pasaktësi në përkthim, gjë që e zvogëlon edhe më tej cilësinë e informacionit.

Kështu, fjalia origjinale „whose mission is to prevent the internet from becoming “weaponized”” është përkthyer si “misioni i të cilit është ta parandalojë keqpërdorimin e internetit“. Edhe pse sulmet në internet janë me të vërtetë një formë e keqpërdorimit të internetit, struktura e zgjedhur është shumë e gjerë dhe si e tillë ofron informacion të gabuar në lidhje me institutin (CyberPeace). për misionin e të cilit bëhet fjalë.

Më konkretisht, keqpërdorime të internetit janë, për shembull, dhuna në internet dhe shpërndarja e pornografisë së fëmijëve, por ky institut i veçantë merret ekskluzivisht me mbrojtjen nga sulmet në internet. Një përkthim më i përshtatshëm, i cili do ta përcillte më mirë kuptimin origjinal, do të ishte: “misioni i të cilit është ta parandalojë përdorimin e internetit si armë“. Ruajtja e termit “armë”, që gjendet në tekstin origjinal është i nevojshëm edhe për ta kuptuar më mirë ashpërsinë e problemit.

Për më tepër, në artikull është hequr krejtësisht paragrafi i fundit i lajmit origjinal. Me largimin e këtij paragrafi humben informata që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për ta kuptuar aktualitetin dhe madhësinë e problemit. Bëhet fjalë për një informacion për mënyrën në të cilën janë kryer sulmet kibernetike (me viruse kompjuterike, me ç’rast institucionet e sulmuara shëndetësore dhe hulumtuese u është mohuar hyrja në të dhënat e tyre), qëllimi i këtyre sulmeve (zhvatje, kërkesë për shpërblim ose vjedhje të të dhënave për trajtimin e KOVID-19), koha e ngjarjes (muajt e kaluar), si dhe informacionet sa i përket lidhjes së disa grupeve të hakerëve me qeveritë e disa vendeve.

Me fjalë të tjera, pa këtë informacion nuk është plotësisht e qartë se si sulmet në internet paraqesin “kërcënim për jetën e njerëzve“. Pa këto informata mbetet e paqartë pse letra, e cila është objekt i raportit origjinal të agjencisë së lajmeve dhe me të cilën kërkohet të ndërpriten sulmet konkrete kibernetike, u nënshkrua nga më shumë se 42 figura të shquara politike dhe të biznesit botëror, duke përfshirë edhe kryetarin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Në vend që të nxjerrë në pah urgjencën e problemit, lajmi, siç është publikuar, e zvogëlon rëndësinë e tij.