Njihe botën digjitale që të mund të mbrohesh nga manipulimet

Si gjendemi në detin e informatave dhe sa jemi të gatshëm t’i pranojmë dhe t’i përpunojmë ato pa u mashtruar? Si të përballemi me paragjykimet tona dhe me frikën se do të na ikë diçka e rëndësishme nëse nuk jemi vazhdimisht në rrjetet sociale? Si të mbrohemi nga ata, detyra kryesore e të cilëve është t’i manipulojmë perceptimet dhe qëndrimet tona?

 

Shkruan: Biljana Taneska

 

Ajo për të cilën të gjithë do të mund të pajtoheshim për shoqërinë e sotme është se sasia e informatave që e konsumojmë për çdo ditë është më e madhe se kurdo herë më parë në histori, por edhe krijimi i tyre rritet vazhdimisht.

Për shembull, në çdo minutë të ditës në vitin 2019 postohen 477,777 storje në Instagram dhe 511,200 tuite, dërgohen mbi 18 milion porosi tekstuale dhe shihen 4.5 milionë video në Youtube.

Të dhënat e fundit tregojnë se njerëzit, mesatarisht pjesën më të madhe të ditës së tyre e kalojnë në internet, nga e cila mesatarisht 2 orë e gjysmë në rrjetet sociale. Ato bëhen dhe burim kryesor i lajmeve për një numër gjithnjë e më të madh të njerëzve.

Arsyeja për këtë është ankthi shoqëror, i njohur si FOMO (fear of missing out), ose frika se do të na ikë diçka. Kjo frikë është e lidhur me dëshirën për të qenë vazhdimisht në lidhje me atë që e bëjnë të tjerët, e po ashtu shpjegohet si frikë nga pendimi. Ky është një lloj presioni joreal shoqëror që mund të na çojë në një shqetësim kompulsiv se do të na humbasë ndonjë mundësi për bashkëveprim shoqëror, ndonjë përvojë të re, ndonjë ngjarje që do të na kënaqë ose mbase edhe ndonjë investim i mirë.

Në një kohë kur gjërat që mund të na ikin për çdo ditë janë në rritje, ankthi dhe frika rriten, kështu që nevoja që njerëzit të jenë vazhdimisht të lidhur dhe të ndjekin se çfarë ndodh, po ashtu rritet. Njerëzit do të kalojnë mesatarisht 6 vjet e tetë muaj të  jetës së tyre në rrjetet sociale, që është dy herë më shumë se sa koha që do ta kalojnë për të ngrënë dhe pirë dhe gati pesë herë më shumë se sa koha e kaluar për shoqërim.

Në Facebook për çdo ditë krijohen të dhëna me madhësi prej 4 petabajtësh, që është e barabartë me 8,000 hard-disqe mesatare në një laptop me hard disk prej 500 gigabajtësh. Vlerësohet se deri në fund të vitit 2025, për çdo ditë do të krijohen 463 ekzabajtë të dhëna që është ekuivalente me pak më pak se 213 milion DVD në ditë.

Këto numra janë aq të mëdhenj sa që nuk mund t’i perceptojmë lehtë pa i futur ato në ndonjë vizualizim statistikor, ose pa i shndërruar në diçka të prekshme, që do të na e lehtësonte t’i kuptojmë ato, duke i përdorur njohuritë tona paraprake, mënyrën e perceptimit dhe të kuptimit, duke përdorur ngjyra, forma dhe krahasime.

Në mënyrë të ngjashme, kur truri ynë përballet me një numër të madh të informatave përpiqet t’u japë atyre kuptim, që do të thotë se ka mekanizma të zhvilluar me ndihmën e të cilave më lehtë dhe më thjeshtë e percepton botën përreth.

 

SI MENDOJMË: “SISTEMI1” DHE “SISTEMI2”

Laureati i Çmimit Nobel, Daniel Kaneman, në veprën monumentale “Të menduarit, shpejt dhe ngadalë” përpiqet të shpjegojë se si funksionon mendja njerëzore. Ai përshkruan dy mënyra të ndryshme të të menduarit, të cilat ai i quan “Sistemi 1”, i cili është i shpejtë, instinktiv dhe emocional, automatik dhe pa vetëdije dhe “Sistemi 2”, i cili është më i ngadaltë, i qëllimshëm, më logjik, i menduar dhe i vetëdijshëm. Fatkeqësisht, “Sistemi 2” harxhon shumë më tepër energji dhe mu për këtë arsye përdoret shumë më pak, pasi çdo qenie e gjallë ka tendencë të kursejë energji. Në llogari të tij, shumicën e kohës jeta jonë e ndërgjegjshme është në modulin të cili lirisht mund ta quajmë autopilot. Me kalimin e kohës “Sistemi 1” është specializuar që t’i vlerësojë situatat me lehtësi dhe shpejt, të reagojë në mënyrë adekuate në bazë të njohurive paraprake dhe përvojëës dhe problemeve t’u qaset sipas stereotipeve.

Një pjesë e rëndësishme e funksionimit të pavetëdijshëm të perceptimit njerëzor të informatave janë stereotipet dhe paragjykimet, të cilat i krijojmë dhe i zhvillojmë më tutje me ndihmën e përvojës dhe njohurive tona. Ato na ndihmojnë shpejt dhe thjesht ta kuptojmë situatën në të cilën gjendemi, por shpesh kontribuojnë edhe për një kuptim të pabazë dhe të gabuar të saj.

 

PARAGJYKIMET – MODELE AUTOMATIKE PËR TË MARRË KONTEKSTIN

Paragjykimet, në të vërtetë, janë modele të automatizuara të situatave dhe të ngjarjeve, të cilat aparati ynë njohës (kognitiv) na i ofron si zgjidhje gjatë përballjes me përvojat e reja. Ata na e japin kontekstin ose kuptimin dhe quhen paragjykime, sepse kemi një mendim për diçka para se të gjykojmë, gjegjësisht pa e përfshirë këtu “Sistemin 2” racional. Në pjesën më të madhe të jetës sonë të ndërgjegjshme ne funksionojmë në këtë mënyrë dhe në një botë më të thjeshtë kjo do të ishte e mjaftueshme.

Paragjykimet njohëse (kognitive), sikurse edhe “Sistemi 1” na mundësojnë të mbijetojmë pa humbur energji të panevojshme. Dhe e gjithë kjo do të ishte mirë nëse bota në të cilën jetojmë sot nuk do të bëhej gjithnjë e më komplekse, ndërsa njohuritë për atë se si funksionojmë shpesh përdoren kundër nesh.

Përveç njohurive të Kanemanit në lidhje me njohjen tonë dhe mënyrën e funksionimit të regjimit tonë të vetëdijshëm, në psikologjinë sociale për çdo ditë zbulohen përgjigje të reja për sjelljen e njeriut: individualisht dhe në grup, gjatë komunikimit ose vëzhgimit, gjatë ndërveprimit dhe perceptimit pasiv. Një pjesë e madhe e këtyre njohurive përdoren për të përmirësuar të kuptuarit tonë për veten tonë dhe për avancimin e vetëdijes sonë, por koha ka treguar se çdo njohuri mund të përdoret gjithashtu edhe si mjet për të arritur qëllime të caktuara që nuk janë në interes të të gjithë komunitetit.

 

NEVOJAT KEQDASHËSE PËR KONTROLLIN E MENDIMEVE DHE QËNDRIMEVE TONA

Kështu, që në fillim të shekullit të 20-të dhe me zhvillimin e jashtëzakonshëm të njohurive në psikologjinë e vetëdijes, janë shqyrtuar mënyra për t’i shfrytëzuar këto njohuri për përcjelljen më të lehtë të mesazheve, vlerave dhe bindjeve te masat e gjera popullore. Midis tyre është edhe i famshmi Edward Bernays, i cili konsiderohet babai i propagandës ekonomike dhe i marrëdhënieve me publikun. Ai ka qenë i pari që i përshkroi teknikat specifike me ndihmën e të cilave më lehtë mund të ndikohet te njerëzit dhe atyre t’u imponohen qëndrime dhe mendime.

Duke e marrë parasysh vërshimin me informata, me të cilin përballemi çdo ditë dhe nevojën tonë të madhe për të mos humbur asgjë, ne e vendosim veten në një gjendje të automatizuar të perceptimit të shpejtë me ndihmën e “Sistemit 2”, i cili funksionon plotësisht i bazuar në stereotipe dhe paragjykime dhe në këtë mënyrë bëhemi shumë të prekshëm nga të gjitha llojet e teknikave të propagandës.

Për të krijuar një botë më të mirë për të gjithë, është e rëndësishme ta dimë se si funksionon bota e sotme dhe si të merremi me nevojat nganjëherë keqdashëse për t’i kontrolluar të menduarit dhe qëndrimet tona, është shumë e rëndësishme t’i njohim teknikat që përdoren për t’i imponuar ato mendime, si dhe paragjykimet tona kognitive që mundësojnë të ndodhë kjo.

 

Biljana Taneska është psikologe e diplomuar dhe magjistre për komunikime dhe media të reja. Merret me strategjinë e marketingut dhe i studion ndikimet kulturore dhe psikologjike të teknologjive të reja.