Nuk bëhet gazetaria duke shkruar dy rreshta

Ilustrim
Ilustrim

Artikulli gazetaresk duhet patjetër të bazohet në fakte që ta arsyetojë qëllimin kryesor të tij, ta informojë lexuesin. Në shkrimin që e recensojmë, ka vetëm disa rreshta të cilat nuk japin informatë por e kundërta, janë bazë për të shkaktuar ende më shumë huti te lexuesit.

Linku deri te artikulli: Pas ndeshjes Vardar-Shkupi rrihen 2 shqiptarë nga Komitat (FOTO)

Data e publikimit: 24.11.2019

Data e recensionit: 30.11.2019

Recensuese:  Ajnur Bafqari

Ky është një tekst pak më shumë se dy rreshta, me gabime të shumta drejtshkrimore, i pa përpunuar në mënyrë gazetareske dhe mbi të gjitha i pa-verifikuar për vërtetësinë e tij. Autori e liron veten nga përgjegjësia themelore që ai e ka në momentin që në fund të tekstit e fut në kllapa “qytetari”.

“Masa te forta Policore kunder komitave te cilet i rahen keta dy te rij dhe va vjedhen telefonat. Sipas informatave ne teren autoret jan zen. Ka ndodhur afer hotelit Holiday Inn ne qender.(qytetari)”- kjo është e gjithë përmbajtja e tekstit.

Rruga deri te klikimet, mund të çojë tek nxitja e dhunës ndëretnike
Autori me gjasë, ka dashur të mbledhë sa më shumë klikime duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj teme. Por, tekstet e tilla, duke mos u argumentuar mirë, janë nxitëse dhe të rrezikshme.

KODI ETIK
“Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”- thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve

“Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cënojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)”- thuhet në Kodin Etik të Gazetarëve 

Kur autori në tekstin e tij nuk e plotëson as nivelin minimal të gjithëpërfshirës
Gazetari duhet të përpiqet që lajmi të jetë gjithëpërfshirës, dhe të paraqesë sa më tepër burime me përvojë, burime zyrtare dhe nga ekspertët, varësisht nga ajo se sa ato janë objektivisht në dispozicion. Autori i  këtij teksti nuk e ka marrë mundimin të bëjë as edhe një telefonatë të vetme. Nuk i ka ofruar lexuesit tekstualisht as një lloj informacioni dhe nuk e ka plotësuar as edhe nivelin minimal të gjithëpërfshirës.

Koncepti i përdorur i manipulimit “Efekti i paqartësisë”
Efekti i paqartësisë është një manipulim që autori e përdor kur vendimmarrja ndikohet nga mungesa e informacionit, ose nga “paqartësia”.  Efekti nënkupton se njerëzit kanë tendencë për të zgjedhur opsionet për të cilat probabiliteti i një rezultati të favorshëm është e njohur, mbi një opsion për të cilin probabiliteti i një rezultati të favorshëm është i panjohur.

Informacioni  patjetër duhet të ketë konfirmime, e nëse nuk ka… injorojeni!
Lexues, edhe ju keni mundur të jeni në vendin e qytetarit i cili e ka dërguar atë fotografi dhe tekst. Sigurisht se në një rast të tillë ju nuk do ta keni të qartë se çfarë po ndodh dhe do filloni të mendoni hipotetikisht se mund të jetë kjo ose ajo, por sigurisht menjëherë do të filloni të kërkoni për gjetjen e përgjigjes nëpër mediat online. Asnjëherë mos e merrni si lajm diçka që nuk ju ofron lajm. Kërkoni nëse në tekst ka burime dhe konfirmime, në raste të ngjashme si në tekstin në fjalë, kërkoni nëse ka konfirmim zyrtar  nga ana e institucioneve kompetente. Nëse nuk e gjeni këtë gjë, injorojeni!