Opsioni “Raporto” në Facebook si një mjet për të luftuar mediat jo-profesionale

Foto nga Pexels
Foto nga Pexels

Nga: Ajnur Bafqari

Në periudha parazgjedhore në Maqedoninë e Veriut, thuajse secila parti e cila do të garojë në zgjedhje i ndez motorët e propagandës. Si pasojë shohim se qarkullimi i dezinformatave është gjithnjë e më shumë i dukshëm në horizontin medial. Shohim ueb faqe interneti të reja, që i shpërndajnë ato. Këto platforma online, vendosin një emër pothuajse identik me një emër të një medie tjetër ekzistuese me qëllim që të hutojnë lexuesit dhe të krijojnë huti tek ata. Shtrirja e tyre më e gjërë bëhet më e lehtë me sinkronizimin me rrjetet sociale, falë të cilave promovimi tashmë është më i lehtë. Në këtë mënyrë hidhet hije mbi mediat profesionale, pasi që ka qarkullim të madh të dezinformatave dhe spineve që lëshohen nga ana e këtyre mediave online manipuluese.

Ekziston mekanizëm që një lexues të “luftojë” joprofesionalizmin
Në vrullin e informatave të rrejshme lexuesi humbet dhe nuk di më se çfarë duhet të besojë e çfarë jo. Projekti “Crithink” hedh dritë mbi të gjitha tekstet që qarkullojnë online, me qëllimin e vetëm edukimin e lexuesit se si t’i detektojnë lajmet e rrejshme dhe si të bëjë dallimin mes një mediumi online profesional nga ai joprofesional. Kësaj here i ju sugjerojmë lexuesve se edhe ai ka një mekanizëm me të cilin mund të luftojë mediat joprofesionale nëpërmjet opsionit “Raporto” (Report – ne anglisht) në Fejsbuk, gjithmonë duke pasur parasysh faktin që Fejsbuku shërben si një promotor i teksteve që publikohen në faqe të internetit.

A e keni dikur se mjaftojnë maksimum 10 raportime për të bërë një ankesë?Gjithsesi varet nga koha, 10 raportime janë të mjaftueshme, por duhet pritur derisa raportimi të shqyrtohet. Në disa raste, nevojiten 24 orë ose më pak, por ndonjëherë nevojiten 2 ose 3 ditë. Ndonjëherë nevojitet vetëm një kërkesë autentike me kushtet e duhura dhe faqja Fejsbukut mund të fshihet. Nëse diçka raportohet në Fejsbuk, ajo shqyrtohet dhe më pas nëse vërtetohet se ajo nuk i ndjek “standardet e komunitetit të Fejsbukut”, fshihet. Emri dhe informatat tjera personale mbeten tërësisht të fshehta.

Si mund të raportoni ndaj një faqeje në Fejsbuk?

  1. Hapi i parë: Shkoni te faqja që dëshironi të raportoni,
  2. Hapi i dytë: Klikoni në ikonën me tre pika, poshtë fotografisë së kopertinës së faqes
  3. Hapi i tretë: Shkoni tek opsioni “Gjeni mbështetje ose raporto faqe – Find Support of Report Page”
Facebook, opsioni Raporto
Facebook, opsioni Raporto

4.Hapi i katërt: Për të dhënë informatat, klikoni opsionin që e përshkruan më mirë se përse kjo faqe po shkon kundër “Standardeve të Komunitetit”, gjegjësisht nëse përmbajtja e ndonjë artikulli është informacion i pasaktë, gjuhë e urrejtjes, lakuriqësi ose përmbajtje seksuale, dhunë, ngacmim, mashtrim dhe faqe të rreme, shitje të paautorizuar, ose pronë intelektuale.

Facebook, opsioni Raporto
Facebook, opsioni Raporto

Varësisht prej kërkesës suaj, ju mund të jeni në gjendje të raportoni në Fejsbuk. Siç sqarohet në Fejsbuk, për disa përmbajtje, nuk kërkohet nga ju që të paraqitni ankesë, por përdoret informata juaj me qëllim që ta mësojë sistemi i Fesjbukut. Ju po ashtu mund të kërkoni prej miqve tuaj në Fejsbuk për të bërë një “report”.

Gazetari mbledh, hulumton, analizon dhe paraqet informacion
Përderisa thelbi i gazetarisë është i shumanshëm, bërthama përbëhet nga dy gjëra: faktet dhe e vërteta, kjo gjë e bën gazetarinë një disiplinë që interesohet që përmes fakteve të përcjellë atë që me të vërtetë ka ndodhur. Kjo është arsyeja pse disa teoricienë e quajnë këtë profesion “disiplinë të verifikimit”, sepse gazetarët kërkojnë çdo ditë konfirmimin e së vërtetës. Gazetari mbledh, hulumton, analizon dhe paraqet informacion. Këtë gjë ia ka borxh opinionit.

Ndani mediat profesionale nga ato joprofesionale
Sot gjithsecili mund të hap një media online dhe në asnjë mënyrë nuk e kryen funksionin që e ka një mjet informimi, për këtë arsye është zbehur dukshëm besueshmëria ndaj të gjitha mediave online.
Për të mos “i futur të gjithë në një thes”, lexuesit vetë mund të ndajnë mediat profesionale nga ato joprofesionale, madje edhe mund t’i sanksionojnë ata të cilët bëjnë “shpëlarje truri”. Në këtë mënyrë edhe mediat mund të vetëdijesohen dhe do të bëjnë vetë-rregullim.

Si të dalloni nëse po lexoni një artikull gazetaresk ose një tekst bosh
Ju rikujtojmë se për të dalluar nëse po lexoni një artikull të vërtetë gazetaresk, duhet të kontrolloni nëse teksti që po lexoni përmban fakte dhe sa ato janë të vërteta, kontrolloni nëse në tekst ekzistojnë burimet e informatave, a e plotëson teksti nivelin minimal të gjithëpërfshirjes, a e paraqet të vërtetën apo e shtrembëron atë, a ka anshmëri ose balancë gjatë paraqitjes së palëve, a ka të pranishme elemente të komentimit. Fokus të veçantë duhet vendosur në kualitetin e titullit, pasi shpesh titulli është senzacionalist dhe joadekuat ndërsa nuk duhet harruar kontrolli i fotografisë, një fotografi shpeshherë mund të përdoret për manipulim të fakteve.