Arritja e marrëveshjes për koalicionim parazgjedhor mes Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, duket se ka ndezur motorët medial, pasi janë duke publikuar informacione pa fakte dhe të pabalancuara. Këto informacione dezinformojnë publikun, pasi nëpërmjet tyre po bëhet propagandë kundër koalicionit ASH-AAA. I tillë është rasti i artikullit që do ta recensojmë.
Linku deri te artikulli origjinal: “Sela nuk e përfill Afrim Gashin, sillet si lider i koalicionit (VIDEO)”.
Data e publikimit: 01.03.2020
Data e recensionit: 02.03.2020
Recension: Fatbardha Curri
Titull me shtrembërime emocionale
“Sela nuk e përfill Afrim Gashin, sillet si lider i koalicionit (VIDEO)”, thuhet në titullin e artikullit që e recensojmë.
Që në titull media është përpjekur që të manipulojë publikun duke luajtur me emocione. Kjo mund të kuptohet nga përdorimi i fjalëve “Nuk e përfill”. Sipas Doracakut të “Krithinkut” të cilat, përdorimi i këtyre fjalëve ka për qëllim të nxiten vlerësime për zhvillime shoqërore dhe politike dhe zakonisht gjendet në rrjetet sociale.
“Përdorimi i gjuhës me shtrembërime morale-emocionale – është shprehje e gjykimit vlerësues moral duke shprehur emocione të forta (p.sh., dënim, përbuzje, neveri, krenari). Mesazhet me shtrembërime morale dhe emocionale zakonisht përdoren për të vlerësuar zhvillimet shoqërore dhe politike dhe zakonisht gjendet në rrjetet sociale”, thuhet në Doracakun e “Krithinkut”.
Në artikull mund të shohim edhe përdorim të konceptit të manipulimit “Thirrje të mundësisë”. Ajo paraqet prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë. Në këtë rast, media duke nxjerrë informacionin se Sela anashkalon Gashin në tubime të diasporës, nuk e përfill atë.
Meqë në artikull nuk kemi qëndrim të asnjë pale të apostrofuar , vlerësojmë se media ka bërë edhe shkelje të Kodit Etik të Gazetarëve. Ky nen thotë:
“Raportimi për proceset politike, veçanërisht për zgjedhjet, duhet të jetë i paanshëm dhe i balancuar. Gazetari patjetër duhet të sigurojë distancë profesionale nga subjektet politike”.
Por, nëse lexohet artikulli gazetaresk dhe analizohet retorika me të cilën është shkruar, vijmë në përfundimin se media ka bërë propagandë kundër liderit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela dhe liderit të Alternativës, Afrim Gashi.
Për lexuesin: Propaganda mund të cilësohet edhe lajm i rremë!
Nëse lexohet doracaku i “Krithinkut” dhe krahasohen elementet të cilat i përmban artikulli që e recensuam, mund të vlerësojmë se i njëjti mund të cilësohet edhe si lajm i rremë. Kjo për faktin se sipas disa teoricienëve, lajmet e rreme kategorizohen si një nënbashkësi e të ashtuquajturës shtyp i verdhë ose propagandë. Mos bini në grackën e tyre!