Fondacioni Metamorfozis (metamorphosis.org.mk) sot e feston për herë të katërt 2. prillin, Ditën Ndërkombëtar e Verifikimit të Faktevenë bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar për Verifikimin e Fakteve (IFCN), i cili si anëtarë ka rreth 80 organizata nga e gjithë botën. Përmes portalit të tij për llogaridhënie publike dhe transparencë Vërtetmatës (vertetmates.mk), Fondacioni Metamorfozis është anëtar i certifikuar e IFCN-së nga viti 2019, duke marrë pjesë kështu në të gjitha aktivitetet e rrjetit.
Duke pasur parasysh shfaqjen e koronavirusit në përmasa globale, i cili ka shkaktuar një rritje të dezinformatave dhe përhapje të tyre të shpejtë nëpër rrjete sociale, IFCN-ja e formon Aleancën për luftë kundër koronavirusit me fakte (#CoronaVirusFactsAlliance, #CoronaVirusFacts), në të cilën mbi 100 organizata nga 45 vende kanë kontribuar deri më sot me mbi 1.500 verifikime të fakteve të përmbajtjeve mediatike dhe deklaratave të personave publikë, me ç’rast ky numër është duke u rritur dita ditës. Metamorfozis, përmes iniciativave dhe portaleve të saj për verifikimin e fakteve në këtë bazë të të dhënave, deri më tani ka kontribuar me rreth 40 verifikime të fakteve në maqedonisht, shqip dhe anglisht.
Përndryshe, Metamorfozis tashmë një dekadë punon në fushën e verifikimit të fakteve dhe zbulimin e të gjitha llojeve të dezinformatave në sferën publike.
Projekti i parë i Fondacionit i këtij lloji ishte Vërtetmatësi, i cili u paraqit në vitin 2011 dhe ka për qëllim të rritjen e llogaridhënies dhe transparencës së personave publikë dhe të institucioneve duke e verifikuar vërtetësinë e deklaratave dhe komunikatave të tyre, përdorimin e spineve dhe manipulimeve, si dhe përcaktimin e përmbushjes së premtimeve parazgjedhore të partive politike.
Nga viti 2012 deri në vitin 2017, Metamorfozis e zbatoi projektin për verifikimin e fakteve, në kuadër të të cilit u publikua edhe Shërbimi për verifikimin e fakteve (ShVFM – verifikimifakteve.mk), ku verifikohej vërtetësia e artikujve mediatikë. Në kuadër të këtij Shërbimi, gjatë periudhës 5-vjeçare të ekzistimit të tij, u publikuan mbi 2,400 recensione të produkteve gazetareske, e po ashtu edhe 1.200 artikuj të llojeve të tjera në maqedonisht dhe shqip.
Ndërsa, nga viti 2018, Fondacioni e realizon projektin Krithink – Mendim kritik për qytetarë me shkathtësi mediatike (Crithink.mk- Critical Thinking for Mediawise Citizens), i cili ka për qëllim përmirësimin e njohurive elementare mediatike dhe zhvillimin e mendimit kritik në mesin e qytetarëve përmes trajnimeve, punëtorive, dhe përgatitjes së materialeve edukative, duke ofruar në të njëjtën kohë edhe zbatim praktik të këtyre disiplinave përmes verifikimit të fakteve në artikuj, video dhe përmbajtje në rrjetet sociale, për të demonstruar drejtpërdrejt dhe në mënyrë të qartë dhe të kuptueshme se si duhet të përdoret të menduarit kritik dhe metodologjia për verifikimin e fakteve për t’i zbuluar dezinformatat në media dhe në këtë mënyrë të rritet niveli i njohurive elementare mediatike në mesin e qytetarëve.
Me përhapjen e koronavirusit, dhe me shfaqjen e një numri të madh të dezinformatave në lidhje me epideminë, Krithink gjatë muajit mars, në vend të 15 publikimeve të parapara, publikoi madje 60 artikuj, shumica e të cilave janë recensione të produkteve gazetareske në tema që lidhen me koronavirusin, duke u përpjekur t’i shpalosë dezinformatat dhe t’i pastrojë paqartësitë në media.
Që nga viti 2018, Fondacioni Metamorfozis gjithashtu është bërë një vend qendror për verifikimin e fakteve në rajon duke zhvilluar bashkëpunim midis verifikuesve të fakteve në Ballkan.
Mediat e Fondacionit, Agjensia e lajmeve Meta (meta.mk), Vërtetmatësi dhe portali në gjuhën shqipe, Portalb (portalb.mk), filluan të krijojnë një rrjet rajonal të organizatave dhe të gazetarëve nga rajoni me qëllim që të zhvillohet bashkëpunimi midis verifikuesve të fakteve në Ballkan dhe t’i mundësohet publikut t’i zbulojë më lehtë dezinformatat që përhapen në gjithë rajonin.
Metamorfozis tashmë ka nënshkruar memorandume për bashkëpunim me 5 organizata nga rajoni, ndërsa me 4 organizata dhe individë të tjerë është duke ecur procesi i nënshkrimit. Për nder të Ditës së sotme të Verifikimit të Fakteve, Fondacioni sot e publikoi edhe Deklaratën themeluese të kësaj iniciative rajonale dhe u bëri thirrje të gjithë verifikuesve të fakteve që t’i bashkohen asaj.
Në fund, na lejoni t’u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, sidomos tani gjatë epidemisë së koronavirusit, kur do të vërejnë dezinformata në sferën publike, e të cilat janë në dëm të interesit publik, pavarësisht se a bëhet fjalë për media, politikanë apo rrjete sociale, ta kontaktojnë cilindo nga portalet e Fondacionit dhe të na tregojnë, dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që të bëjmë verifikim në bazë të parimeve profesionale të gazetarisë dhe që t’u kundërvihemi dezinformatave të tilla me fakte.