Përhapje e papërgjegjshme e dezinformatave në Facebook

[Recension: Postim në Facebook]

Kur publikohet ndonjë informacion i pa verifikuar që i prek qytetarët si rrezik për shëndetin e tyre, në periudhë të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga një epidemi, duhet pasur shumë kujdes se çfarë efekti mund të ketë një postim i tillë. Ky rregull vlen jo vetëm për mediet, por edhe për postimet në rrjetet sociale, pasi edhe ato janë një lloj medie për transmetimin e informacionit dhe nuk mund të shfajësohen nga përgjegjësia. Ekziston një kufi deri në të cilin shpërndarja e postimeve në rrjetet sociale kontribuon për mirëqenien e publikut, ndërsa përtej tij shkakton dëme. Ky kufi janë informacionet e paverifikuara dhe ato nga burime jo të besueshme.

Linku deri te artikulli origjinal: [ Postim në Facebook

Data dhe koha e publikimit: 27.3.2020

Data e recensionit: 30.3.2020

Recenzues: Jugosllava Dukovska

Përhapja e papërgjegjshme e dezinformatave, madje edhe nën pretekstin se kjo bëhet për të mirën e popullatës më të gjerë që duhet të informohet, është e dëmshme, ndërsa shteti, në kuadër të masave që ndërmerren për t’u përballuar me epideminë e koronavirusit në vend dhe të gjendjes së jashtëzakonshme, tashmë njoftoi se veprimet e këtilla do të sanksionoheshin.

Këto ditë në Facebook është shpërndarë një postim i këtillë:

Ramstore Kapitol, Ramstore Qendër, Tinexi te Teatri i Dramës, Tinexi në rrugën 1 Maji. Kemi informacione se ka pasur të sëmurë me virusin korona. Shmanguni këtyre marketeve

Ky postim, i shpërndarë dhe i komentuar nga shumë individë dhe në grupe, nuk i referohet asnjë informacioni zyrtar nga ndonjëri prej marketeve të përmendura.

Pretendimet se në marketet e përmendura ka pasur punonjës që kanë qenë pozitivë ndaj virusit të rrezikshëm Kovid-19 mund të shkaktojë valë paniku në mesin e qytetarëve që blejnë për çdo ditë ose herë pas here në këto objekte, duke detyruar më shumë njerëz të kërkojnë të testohen nga shërbimet, gjë që mund ta rëndojë edhe më shumë sistemin shëndetësor tashmë të ngarkuar në vend. Të mos flasim për frikën te klientët e këtyre marketeve, që do të mbesin me dilemën, a janë të sëmurë dhe a e përhapin virusin tek të afërmit e tyre, si dhe ku dhe si të vazhdojnë të blejnë artikujt e nevojshëm ushqimorë. Për më tepër, paniku mund të shkaktojë turma dhe tollovi në ato dyqane që nuk përmenden në këtë postim dhe kështu të rrezikohet shëndeti i qytetarëve.

Këtë lajm të rremë së shpejti e demantuan kompanitë, dyqanet e të cilave u gjendën në listë – “Tinex” dhe “Ramstore”. Ja shpjegim që erdhi nga “Tinex”-i:

Dëshirojmë t’ju informojmë se këto informata NUK JANË TË VËRTETA dhe se kështu dëmtohet reputacioni i kompanisë sonë.
Punonjësit në të gjitha marketet tona dhe në filialet e tjera janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe deri më tani asnjëri prej tyre nuk ka përjetuar ndonjë nga simptomat e virusit.

Shëndeti i klientëve dhe i punonjësve tanë është PRIORITETI YNË MË I MADH gjatë kësaj periudhe dhe nuk do të lejonim që kjo të vihej në dyshim për asnjë arsye!

Ata qytetarëve ua theksojnë informatën në vijim:

Ju lutemi që t’i konsideroni si të sakta dhe relevante informatat që publikohen vetëm nga burime dhe media të verifikuara siç janë Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë.

Përveç kësaj, “Tinex”-i dhe “Ramstore”-i në profilet e tyre në Facebook postojnë rregullisht këshilla dhe informacione të dobishme se si ta mirëmbani higjienën dhe si duhet të sillen blerësit dhe punonjësit në markete gjatë epidemisë.

Në ndërkohë, nga asnjë organ kompetent shtetëror nuk ka ardhur ndonjë informacion se në ndonjërin nga marketet është regjistruar ndonjë rast i punonjësve të sëmurë, e as se ndonjë nga objektet është mbyllur, që do të thotë se nuk ka asnjë informacion të tillë nga një burim relevant.

Për lajmin e rremë për marketet u fol edhe në “Twitter”. Një nga përdoruesit kështu i komentoi këto pohime:

Ky mesazh po qarkullon në “chat”-et në FB, tani arriti edhe tek unë. Kushdo që e filloi këtë përhapje të lajmeve të rreme, dua t’i them: T’I ***** GJITHË ROBTË E SHPISË NË ********. Ju faleminderit për vëmendjen.

Për rrezikun e përhapjes së lajmeve të rreme dhe dezinformatave që mund të kontribuojnë në përhapjen e frikës dhe panikut në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme të shkaktuar nga epidemia e koronavirusit në fillim të këtij muaji paralajmëroi edhe Ministria e Punëve të Brendshme:

Ministria e Punëve të Brendshme i informon qytetarët – përdorues të rrjeteve sociale të mos shpërndajnë dhe të mos përhapin lajme të paverifikuara ose “të rreme” për virusin Kovid 19, me të cilat krijoet shqetësim dhe panik në mesin e qytetarëve. Lajmet e rreme që krijojnë panik të pabazuar kanë pasoja afatgjata si në gjendjen shoqërore ashtu edhe në shëndetin kolektiv të qytetarëve. Keqpërdorimet e këtilla do të sanksionohen me ligj pasi, kjo në këtë mënyrë shqetësohen qytetarët dhe krijohet panik i panevojshëm. Nuk do të ketë kompromis në sanksionimin e atyre që me vetëdije përhapin lajme të rreme. U bëjmë thirrje mediave dhe përdoruesve të rrjeteve sociale që t’i referohen vetëm të dhënave të lëshuara zyrtarisht nga institucionet kompetente. Për të gjitha informatat e nevojshme, kontaktoni Ministrinë e Shëndetësisë, sektorin për marrëdhëniet me publikun të qeverisë ose institucionet e tjera relevante, të cilat vazhdimisht e informojnë publikun me të dhëna të azhurnuara disa herë në ditë.

Nën maskën e ndjeshmërisë dhe shqetësimit të pretenduar për mirëqenien e bashkëqytetarëve të tyre, disa njerëz tregojnë një nivel befasues të papërgjegjësisë në shpërndarjen e informatave të pa verifikuara. Vetë-arsyetime e llojit: “Unë ta përcjellë, dikush tjetër le të mendojë”, me të cilat shpërndahen përmbajtje të pa verifikuara dhe alarmante, mund të shkaktojnë dëme të mëdha.

 

Ky artikull është pjesë e raportimit special të “Krithink”-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.