Në momentin që “gazetari” me çdo kusht tenton të krijoje lidhshmëri dhe të krahasojë të pakrahasueshmen, vetëm e vetëm që të “dëshmojë” tezën e tij atëherë nuk kemi profesionalizëm. Tema e tij, në fakt dhe nuk është e saktë dhe fshihen shumë qëllime pas saj. “Gazetari” i lajmit të cilin e recensojmë ka shkelur disa parime gazetareske.
Linku deri te postimi origjinal: Regjistrimi ,,dèjà vu” po përsëritet skenari Gruevski-Ahmeti i vitit 2011
Data e postimit: 02.04.2021
Data e recensimit: 07.04.2021
Recensues: Ardit Ramadani
“Regjistrimi ,,dèjà vu” Po përsëritet skenari Gruevski-Ahmeti i vitit 2011” është titulli i lajmit që e recensojmë.
Një gazetar me qëllime të pastra dhe të informimit, nuk do të kishte dezinformuar lexuesit që nga titulli, duke u thirrur në një situatë krejtësisht të ndryshme për një ngjarje shumë të rëndësishme, siç është ajo e regjistrimit të popullsisë.
Kjo teknikë e manipulimit është e njohur për publikun dhe në Doracakun e Crithinkut është quajtur si “Analogji False”, edhe atë, kur autori i lajmit mundohet të krijojë analogji mes dy gjërave të palidhura në mënyrë që të “dëshmojë” supozimin e tij.
“Prirje për të bërë një analogji midis dy gjërave të palidhura, dhe pastaj analogjinë ta përdorim për të bërë një supozim” shkruan në Doracakun e Crithinkut.
Pas kësaj, autori i “lajmit” e ka vazhduar dezinformatën edhe në lajm, duke ju thënë qytetarëve se procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut është ndërprerë, që nuk është e vërtetë sepse ky proces është shtyrë për disa muaj.
“Dhjetë vite më parë, në vitin 2011 u ndërpre procesi i regjistrimit nga dyshja e Regjimit Gruevski-Ahmeti. Sot pas dhjetë viteve po përsëritet skenari i njejtë, tani më një regjim librid Zaev-Ahmeti” shkruan në lajmin që e recensojmë.
Në një fjali të vetme, autori i këtij “lajmi” ka përdorur dy teknika të manipulimi, atë që në Doracakun e Crithinkut quhet “Thirrje në traditë” dhe “Thirrje në Mundësi”.
Kur një gazetar me çdo kusht tenton që një përvojë jo të mirë të së kaluarës ta ndërlidhë me atë të tashmen, ai mundohet që të manipulojë situatën dhe të bëje njerëzit të besojnë “bindjet” e tija, por kjo nuk është punë e gazetarit.
“Prirje për të besuar në vërtetësinë e ndonjë dëshmie nëse e njëjta korrespondon me përvojën dhe traditën” kështu shpjegohet teknika e manipulimit “Thirrje në traditë”.
Ndërkaq, përveç mundësisë për të ndodhur ajo që e pohon gazetari në fjalë, nuk jep asnjë dëshmi tjetër se ajo për të cilën ky i fundit i informon lexuesit mund të ndodhë, pra anulimi i procesit të regjistrimit.
“Prirje për të besuar se mundësia që diçka mund të ndodh është dëshmi se e njëjta do të ndodhë” kështu shpjegohet teknika e manipulimit “Thirrje në mundësi”.
Më pas, autori i këtij lajmi e vazhdon shkrimin duke dhënë supozime të tija personale, duke komentuar dhe duke mos e mbajtur distancën politike. Kështu, i njëjti ka kryer disa shkelje të Kodeksit Gazetaresk.
“Edhe pasi filloi regjistrimi i diasporës e cila dëshmoi një organizim të pa parë ndonjëherë, vetëm për më pak se 20 ditë numri arriti në 200 mijë, kjo edhe mundë të jetë arsyeja e vërtet e ndërprerjes së regjistrimit, Ahmeti-Zaevi dhe Mickovski po frikësohen nga numri i vërtet i shqiptareve, po mundohen të fshehin të vërtetën” shkruan në lajmin që e recensojmë.
Në rastin konkret, autori i shkrimit akuzon tre liderët e partive politike në RMV për një veprim konkret, pa pasur fakte dhe prova me anë të së cilës do të dëshmonte atë, kjo është e patolerueshme sipas Kodeksit Gazetesk të Maqedonisë së Veriut.
“Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur” thotë neni 1 i Kodeksit Gazetaresk.
Ndërkaq, përveç shkeljeve të lartpërmendura, ky autor gjithashtu ka tentuar të thirret në ndjenjat e lexuesve, meqenëse bëhet fjalë për një çështje të ndjeshme sidomos për shqiptarët, i njëjti ka shfaqur Prova Selektive, kështu duke mos publikuar arsyen e vërtetë të shtyrjes së procesit të regjistrimit. Këto veprime nuk i bëjnë mirë gazetarisë, e cila duhet të ndihmoje zhvillimin e proceseve demokratike dhe jo të jetë destruktive.