Me siguri keni dëgjuar dhe lexuar mjaftë për rrjetin 5G në këto javët e fundit. Në mesin e teorive të shumta konspirative që u përhapën dhe u shtuan gjatë periudhës së izolimit për shkak të virusit korona, ishte edhe lidhja e këtij të fundit me instalimin e rrjetit 5G.
Çfarë është 5G?
Jo të gjithë lexuesit janë ekspertë të teknologjisë dhe inzhiniera të pajisjeve teknilogjike për ta kuptuar se çfarë është rrjeti 5G. Me shumë gjasë detajet nuk i din as gazetarët prandaj duhet të flasin kompetentët dhe të sqarohet mirë për opinionin. Sipas “Wikipedia”, rrjeti 5G është gjenerata e pestë e rrjetit të celularëve. Është një standard i ri global i valëve pas zhvillimit në faza të 1G, 2G, 3G dhe 4G. Rrjedhimisht, valët e tij janë më të forta dhe lidhja në rrjet është më e shpejtë. Spektri i frekuencës së 5G është i ndarë në valë milimetrike, të brezit të mesëm dhe të brezit të ulët. Arritja është e shkurtër, kështu që kërkohen më shumë antena. Valët e milimetrike kanë vështirësi të përshkojnë shumë mure dhe dritare, kështu që mbulimi i brendshëm është i kufizuar.
Në Maqedoninë e Veriut nuk ka akoma rrjet 5G
Në vendet më të zhvilluara të botës, testimet e para të rrjetit 5G janë bërë më herët dhe në disa prej tyre, mbulimi i plotë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2020. Kurse në SHBA, që nga fillimi i vitit 2019 është lëshuar në përdorim rrjeti 5G me disa lloje të valëve.
Në tetor të vitit 2019 (A1) dhe në nëntor të vitit 2019 (Telekomi i Maqedonisë), operatorët celular testuan rrjetin e parë 5G në qendër të Shkupit. Testime të tjera do të bëhen brenda këtij viti dhe në bazë të tyre, është njoftuar që rrjeti do të vendoset në përdorim. Qëllimi është që kjo plotësisht të arrihet deri në vitin 2023.
5G dhe (mos)lidhja me virusin korona
Nuk mund ta detektojmë me siguri gjenezën e përhapjes së informacioneve të para që bënë lidhjen mes virusit korona dhe rrjetit 5G. Mediat botërore raportojnë se një lidhje e këtillë ka filluar përafërsisht nga muaji janar, atëherë kur filloi të marrë përmasa globale shqetësimi nga Covid-19. Disa sugjerojnë se COVID-19 është shpikur për të shërbyer si mbulesë për pasojat shëndetësore që sjell teknologjia 5G. Sipas kësaj teorie, simptomat e virusit; ethe të forta, kollitje dhe vështirësi në frymëmarrje, në të vërtetë janë reagimi i organizmit të njeriut nga ekspozimi ndaj valëve të 5G. Një teori tjetër sugjeron se rrjeti 5G dobëson sistemin imunitar dhe tjetra thotë se virusi po përdor valët e rrjetit për të zgjedhur viktimat, duke përshpejtuar kështu përhapjen e tij. Teoria është pritur me skepticizëm nga ekspertët, të cilët theksojnë se raste të virusit korona janë identifikuar edhe në shumë vende ku akoma nuk ka rrjet 5G. Si e shohin ato?
“Ideja që 5G-ja dobëson sistemin nuk ka asnjë lloj baze. Sistemi imunitar i njeriut mund të dobësohet nga shumë gjëra, që nga një ditë e lodhshme deri tek një dietë e keqe ushqimore. Këto gjëra, sado të vogla mund të bëjnë që të jeni më të prirur për të kapur virusin. Valët magnetike mund të çrregullojnë fiziologjinë e njeriut kur ngrohen, që do të thotë se sistemi imunitar nuk mund të funksionojë. Por niveli i energjisë nga valët e 5G janë fare të vogla dhe e kanë të pamundur që të ndikojnë në sistemin imunitar. Ka pasur shumë studime për këtë“, shpjegon për BBC, Simon Klark, doktor i biologjisë molekulare.
Shpërndarja në mënyrë masive e informacioneve për një lidhje mes instalimit të rrjetit 5G dhe virusit korona mori përmasa shqetësuese. Ato nxitën edhe veprime konkrete me akte vandale. Si pasojë e këtyre teorive, në Britaninë e Madhe, në qytetet Belfas, Liverpull, Birmingam u raportuan dhjetëra raste të akteve të dhunës, konkretisht, vënies flakë të antenave të kompanive celilare, si shenjë proteste ndaj 5G.
– Birmingham 5G mast goes up in flames in ‘likely’ arson attack
– Telecom masts set alight as social media fuels the flames of 5G virus conspiracy
Në një deklaratë të përbashkët, kompanitë celulate në Britaninë e Madhe, BT Group, Telefonica, O2, Vodafone dhe Three, në pronësi të CK Hutchison Holdings (CKHUY), thanë që pretendimet mbi 5G në asnjë mënyrë nuk janë të lidhura me pandeminë.
“Jo vetëm që këto pretendime janë të pabaza, ato janë të dëmshme për njerëzit dhe bizneset që mbështeten në vazhdimësinë e shërbimeve tona. Ata gjithashtu kanë çuar në abuzim të inxhinierëve tanë dhe, në disa raste, kanë parandaluar mirëmbajtjen thelbësore të rrjetit”, thanë operatorët celular.
Rrjetet sociale ndalojnë lajmet e rrejshme që lidhin 5G me virusin korona
“Facebook” tashmë në mënyrë aktive kontrollon grupet në të cilat shpërndahen këto informacione dhe përveç që në bazë të politikave të tij për luftë kundër lajmeve të rrejshme, ka vepruar edhe në bazë të politikave të tij kundër promovimit të dhunës.
“Facebook bllokoi dy grupe anti-5G gjatë fundjavës pasi anëtarët inkurajuan shkatërrimin e stacioneve të telefonisë celulare në kundërshtim të politikave të rrjetit për promovimin e dhunës. Anëtarët e grupit gjithashtu promovuan dezinformata që lidhin 5G me shpërthimin e koronavirusit.
“Stop 5G Group” kishte mbledhur rreth 60,000 anëtarë, dhe fillimisht filloi si një grup i prirur me shqetësime në lidhje me rrjetin më të shpejtë celular. Një grup tjetër, “Shkatërroni 5G Ruajini fëmijëve tanë,” kishte më shumë se 2.500 anëtarë dhe gjithashtu u hoq.” – shkruan Businessinsider.com.
Anëtarët e këtyre grupeve kishin festuar dhe promovuar aktet e vandalizmit mbi antenat dhe stacionet e rrjetit 5G në Britaninë e Madhe. Në mesin e tyre madje kishte pasur edhe diskutime të hapura për planet e sulmeve të tjera të ngjashme.
BBC njoftoi se “Youtube” ka bllokuar të gjitha videot me teori konspirative që në mënyrë të rreme kanë lidhur simptomat e virusit korona me rrjetin 5G. Ky vendim erdhi pas një interviste të drejtpërdrejt me teoricienin e komplotit David Icke të hënën, në të cilën ai e kishte lidhur teknologjinë me pandeminë. “Youtube” tha që video do të fshihet.
“Gjatë intervistës, Z. Icke pohoi në mënyrë të rreme se “ka një lidhje midis 5G dhe kësaj krize shëndetësore”.
Dhe kur u pyet për reagimin e tij ndaj zjarreve mbi antenat 5G në Angli dhe Irlandën Veriore, ai u përgjigj: “Nëse 5G vazhdon dhe arrin atje ku duan ta çojnë atë, jeta njerëzore siç e njohim ne ka mbaruar… kështu që njerëzit duhet të marrin një vendim “. – shkruan BBC.
Shumë përdorues, duke komentuar këtë intervistë, bënë thirrje për sulme të tjera ndaj stacioneve 5G. Nga qëndrime të ngjashme konspirative e ka gjenezën edhe lidhja e teorisë së “mikroçipave” në trupat e njerëzve për t’i kontrolluar ato dhe teoritë që lidhin Bill Gejtsin (themeluese i “Microsoft”) me të gjitha këto. Këto teori kanë qenë edhe pjesë e intervistës së lartpërmendur.
“Z. Icke gjithashtu pohoi se një vaksinë për virusin korona, kurdo që të krijohet, do të përfshijë “mikroçipa nanoteknologjike” që do të lejojnë që njerëzit të kontrollohen. Ai shtoi se Bill Gates, i cili po ndihmon fondin për hulumtimin e vaksinës Covid-19, duhet të burgoset. Pikëpamjet e tij shkuan pa diskutim për pjesën më të madhe të transmetimit dy orë e gjysmë.” – shkruan BBC.
Informimi te ne
Te ne, janë publikuar disa përmbajtje që kanë bërë lidhje mes situatës së krijuar me virusin korona, vendimeve për izolim masiv të qytetarëve dhe instalimit të rrjetit 5G, bashkë me “fenomenet negative” ose “pasojat” që spekulohet se sjellë ky rrjet. Shumica besojnë se në disa lokacione janë vendosur antenat e rrjetit 5G dhe kanë ndikim në ngordhjen e gjallesave. Në disa shkrime të tjera pretendohet se, ora policore e cila paraqet ndalim për lëvizjen e qytetarëve në kohë të caktuar, aplikohet pikërisht që operatorët në fshehtësi të mund të montojnë antenat e rrjetit 5G.
Ja disa shembuj:
– Maqedoni/ A1 ka nisur montimi i antenave 5G! Na morët n’qafë Ooo Qeveri!
– Gjatë orës policore montohen antena afër fshatit Bogovinë (Tetovë)!
– Zogjtë mbyten nga rrjeti 5G thonë qytetarët!
“Aktivitetet në këtë bazë nuk lidhen me kyçjen apo aktivizimin e rrjetit 5G, sepse frekuencat për shfrytëzim të shërbimeve 5G ende nuk janë ndarë nga Agjencia për Komunikime Elektronike”, thanë nga A1, në një përgjigje paraprake të publikuar në Crithink.
Deri tani, nuk ka asnjë dëshmi se opsionet teorike që u përmendën janë të vërteta, që kanë lidhje me njëra tjetrën ose që janë arsyeja për krizën e krijuar në të gjithë botën nga pandemia. Për aq kohë sa operatorët e pranojnë që punojnë dhe sunojnë instalimin e plotë të rrjetit 5G, nuk ka logjikë të mendohet se diçka e këtillë u bëka në mënyrë të fshehur, gjatë orës policore. Nuk ka asnjë tregues ose studim që zogjtë kanë ngordhur si pasojë e “valëve të dëmshme” 5G të cilat, në fakt, akoma nuk aplikohen te ne. Nuk ka asnjë dëshmi që botës i është dashur të shpikë një virus korona për të mbuluar “pasojat që shkakton rrjeti 5G” në shëndetin e njerëzve dhe gjallesave të tjera. Për t’i dhënë një përgjigje pytjes fillestare, në bazë të studimeve aktuale, rrjeti 5G dhe virusi korona nuk kanë asgjë të përbashkët.
Ky artikull është pjesë e raportimit special të Krithink-ut për dezinformatat në lidhje me epideminë e koronavirusit Kovid-19. Klikoni në linkun për lajmet më të fundit dhe për informacione të verifikuara në këtë fushë.