Fotografia e qenit për tërmetin është e vjetër dhe jo nga Shqipëria!

Fotografia me qenin për tërmetin në Shqipëri

Mediat në Maqedoninë e Veriut me sensacionalizëm kanë raportuar për tërmetin në Shqipëri. Rasti më eklatant ishte ajo me qenin, që doli se fotografia është e rreme. 

Bashkë TV: Fotoja që po i përlot të gjithë, qeni nuk largohet nga trupi i pronarit qe ndodhet nën gërmadhat e tërmetit

Linku deri te artikulli origjinal: “Fotoja që po i përlot të gjithë, qeni nuk largohet nga trupi i pronarit qe ndodhet nën gërmadhat e tërmetit (FOTO)

Data e publikimit: 26.11.2019

Data e recensionit: 26.11.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Më sensacionalist ishte raportimi i portalit të partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim, “Bashkë.tv”, e cila rastin e qenit e përcolli si “fotografi pikëlluese”.

“Një fotografi prekëse po qarkullon nëpër rrjetet sociale sot. Në tragjedinë që ndodhi herët në mëngjes në Shqipëri, dikush ka kapur një fotografi pikëlluese. Një qen që po qëndronte pranë dorës së pronarit i cili ndodhej nën gërmadhat e objektit që ishte shembur nga tërmeti”, thuhet ndër të tjerash në lajmin që e recensojmë.

Fotografia me përshkrim të ngjashëm është transmetuar edhe nga portali “IN7” gjithashtu nga Maqedonia e Veriut.

“Një fotografi prekëse po qarkullon nëpër rrjetet sociale sot. Në tragjedinë që ndodhi herët në mëngjes, dikush ka kapur një fotografi pikëlluese. Një qen që po qëndronte pranë dorës së pronarit i cili ndodhej nën gërmadhat e objektit që ishte shembur nga tërmeti”, thuhet në artikullin e “IN7”.

Kjo është në kundërshtim me parimet bazë të gazetarisë, e cila thotë se para se të plasohet informata në publik, lajmi duhet të verifikohet. Gjithashtu thuhet se raportimi për katastrofat natyrore duhet të jetë e çliruar nga senzacionalizmi.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi”, thuhet në parimin e tetë të Kodit Etik të Gazetarëve.

Verifikimi i burimit të informacionit vlen edhe për fotografi dhe video. Megjithatë, në rast se mediat vendosin të plasojnë fotografi të vjetra, duhet të theksojë se ajo është nga arkivi ose se shërben vetëm për ilustrim të situatës.

Andaj, duke kërkuar në “GoogleImages”, vërtetohet se fotografia me qenin e cila vërshoi rrjetet sociale dhe mediat, është fotografi e vjetër dhe nuk korrespondon me tërmetin në Shqipëri.

Arkivi në google nga fotografi me qen në rrënoja pas tërmetit
Arkivi në google nga fotografi me qen në rrënoja pas tërmetit

Se fotografia është e vjetër dhe nuk korrespondon me aktualitetin në Shqipëri, ka njoftuar edhe Lajmi.net e cila me dëshmi ka treguar se ajo fotografi ka qenë e vendosur në sistemin e tyre në fillim të këtij viti.

Verifikimi i Lajmi.net për fotografinë

Për lexuesin: Informimi i saktë është e drejtë e juaj kushtetuese

Nuk duhet të harroni, se informimi i saktë i juaji është e drejtë kushtetuese e juaja, prandaj, insistoni që ajo të jetë nga media që përdorin burime të sakta dhe të verifikuara. Në këtë rast, mediat në fjalë nuk e kanë respektuar të drejtën tuaj kushtetuese.