Gazetari duhet të kërkojë përgjigje për pyetjet e opinionit dhe jo të krijojë më shumë huti

Kur ofrohet një “lajm” i cili, në fakt, nuk është lajm, nuk mundet të arrijë informimin e drejtë të publikut. Ai mund të shkaktojë konfuzitet, huti, emocione dhe paqartësi, varet në çfarë konteksti është ndërtuar, por nuk paraqet një pasqyrim të qartë dhe objektiv të temës që trajton. I tillë është lajmi që recensojmë.

Linku deri te artikulli origjinal: Çka po ndodh në BDI? Faqja që e sh ante Hazbi Likën, e lavdëron Hisen Xhemailin? (FOTO)

Data e publikimit: 11.10.2019

Data e recensionit: 21.10.2019

Recensues: Fatlume Dervishi

Autori i tekstit shkruan se dikush (shumë anëtarë dhe aktivistë të BDI-së) i është drejtuar me pyetje të caktuara që kanë të bëjnë me zhvillime brenda një subjekti politik, BDI-së. Ai hap dilema që aludojnë në lëvizje të caktuara brenda kësaj partie që kanë të bëjnë me kuadrot e saj, vetëm duke u bazuar në një postim në rrjetin social të një faqeje që nuk është as zyrtarja e partisë.

“Shumë anëtarë dhe aktivistë të BDI-së në Tetovë u janë drejtuar mediumeve duke pyetur se çka po ndodh në partinë e tyre, sepse nuk mund të marin sqarim prej partisë. Habi te ta ka shkaktuar faqja “BDI UCK” në facebook.
Për momentin nuk kemi ndonjë sqarim, shpresojmë se dega partiake në Tetovë do të dalë me ndonjë kumtesë. – shkruan në tekstin që recensojmë.

Shkrim gjysmak dhe konfuz

Me një të lexuar të tekstit, lindin disa pyetje në mendjen e lexuesit;

  • Cilët janë ata “shumë anëtarë dhe aktivistë të BDI-së”?
  • Në çfarë forme dhe pse u janë drejtuar mediave për sqarime?
  • Cilat janë të dhënat dhe kredibiliteti i faqes “BDI UCK”, sa i përfaqëson kjo faqe politikat zyrtare të partisë në fjalë?
  • Përse autori nuk ka kërkuar sqarime nga partia për dyshimet që i kanë lindur?

Po t’i kishte këto të dhëna, teksti ndoshta do të merrte kuptim dhe do të ishte më i qartë. Në formën që është ofruar ai mbetet një tekst gjysmak, me idenë e lënë në gjysmë, si dhe i pakonfirmuar.

Teknikat e manipulimit

Në një tekst të vetëm janë shfrytëzuar shumë teknika manipulimi. Autori është thirrur në mendimin e shumicës duke e filluar tekstin me dilemat e ngritura nga, siç thotë ai, “shumë anëtarë dhe aktivistë të BE-së”. Poashtu, është bërë analogji e rrejshme, duke u lidhur dy gjëra për të cilat nuk ka vërtetuar nëse realisht kanë ndonjë lidhje dhe nëse shqetësimet e aktivistëve kanë bazë. Dëshmitë, nëse mund të themi se ekzistojnë në këtë lajm, janë selektive. Asnjëra prej tyre nuk e jep pamjen e plotë dhe të qartë të temës. E fundit dhe shumë e rëndësishme; janë lënë mënjanë të dhënat e rëndësishme, është bërë anashkalim i të dhënave bazë, siç është qëndrimi i partisë dhe kërkimi i përgjigjeve prej këtij subjekti.

Për lexuesit: Informacionet gjysmake janë të dëmshme

Informacionet e këtilla gjysmake nuk janë në shërbim të informimit profesional të masës. Gazetari supozohet se duhet të përfaqësojë interesin publik dhe t’u japë përgjigje pyetjeve që qarkullojnë në opinion. Gazetari nuk ndërton pyetje mbi pyetje pa kërkuar përgjigje atje ku duhet. Tekstet e këtilla nuk i përmbushin kriteret e informimit profesional dhe nuk duhet të merren si të mirëqena.