Harta e ndarjes së Kosovës nuk është publikuar nga CIA

 

[VIDEO: Harta e ndarjes së Kosovës, e publikoi CIA]

Teksti sensacionalist për një temë të ndjeshme, e cili bën një pohim, pa dhënë dëshmi ose ndonjë të dhënë që do të mund ta konfirmonin vërtetësinë e shkrimit. Teksti është spekulim i pastër, që abuzon me emrin e njërit prej shërbimeve më të mëdha në botë – Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA).

Linku deri te artikulli origjinal: Harta e ndarjes së Kosovës, e publikoi CIA

Data e publikimit: 20.12.2019

Data e recensionit: 22.12.2019

Recenzues: Simona Atanasova

Kontesti dypalësh midis Serbisë dhe Kosovës është një kontest midis dy vendeve që nuk duket se ka zgjidhje në të ardhmen e afërt, pavarësisht nga dialogu që zhvillohet midis dy vendeve me ndërmjetësim nga Bashkimi Evropian.

Shkëmbimi i territoreve midis dy vendeve është një nga zgjidhjet e mundshme të kontestit për të cilën në periudhën e kaluar u paraqitën shumë spekulime dhe dezinformata.

Për autoritetet në Serbi dhe në Kosovë kjo është një çështje e nivelit më të lartë të ndjeshmërisë, kështu që deklaratat e tyre në lidhje me këtë zgjidhje të problemit janë, pothuajse gjithmonë, të kujdesshme. Zyrtarë të lartë nga vendet anëtare të BE-së kanë deklaruar disa herë se janë kundër kësaj lloj zgjidhjeje për këtë kontest bilateral, ndërsa Uashingtoni zyrtar nuk është kundër kësaj ideje nëse zbatohet në mënyrë paqësore.

Media që e publikoi këtë artikull pohon se ekziston një plan konkret i CIA-s për shkëmbimin e territoreve me lokacione dhe kufij konkretë. Mirëpo, nuk ka asnjë konfirmim për këtë.

Nuk ka asnjë deklaratë nga zyrtarët e CIA-s se ky plan është realitet. Megjithëse titulli pretendon se harta është publikuar nga CIA, nuk ka ndonjë gjë të tillë në ueb-faqen e tyre ose në ndonjë kanal tjetër zyrtar të komunikimit të Agjencisë. Nuk është kërkuar as qëndrim nga personat zyrtarë nga Serbia dhe Kosova për ta konfirmuar ose mohuar planin për shkëmbimin e territoreve, të cilin gjoja e paska përgatitur CIA.

Në fakt, artikulli bazohet në një tekst autorial të ish-shefit të CIA-s për Ballkanin, Steven Meyer, botuar në gazetën serbe “Nedelnik”. Ai në tekst e përmend këtë ide, që është mendimi i tij personal, e jo i CIA-s. Askund në tekstin e tij ai nuk thotë se një shkëmbim i tillë i territoreve është plan i CIA-s. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ai e përmend këtë plan të vetin, por këtë e ka bërë disa herë më parë. Pra, ky informacion nuk është as i ri dhe as ekskluziv.

Problematike është edhe fotografia që është përdorur për ta ilustruar tekstin. Ajo përmban një hartë të planit të pretenduar të CIA-s për shkëmbimin e territoreve, ndërsa pranë hartës, me madhësinë e njëjtë është vendosur logoja e CIA-s që duket si manipulim.

Por, që të mund t’i besohet tekstit, ai para së gjithash duhet të ketë burime të sakta, e jo të bazohet në spekulime të pastra, që kanë për qëllim vetëm t’i ndezin pasionet e lexuesve dhe të mbledhin klikime dhe komente në rrjetet sociale.