Pa e ftuar askush, autori i shkrimit ka bërë një mori të shkeljeve etike

Tituj tendenciozë, tekste me përmbajtje tendencioze, artikuj që rrezikojnë objektivitetin dhe balancin gjatë raportimit, apo me përmajtje tërësisht subjektive, mosmbajtja e llogarisë rreth asaj që i ofrojnë lexuesit. Këto janë disa nga shkeljet që disa media, sidomos ata online nuk u kushtojnë aspak rëndësi. Ndonjëherë nuk nevojitet ndonjë analizë e detajuar, për tu parë mbajtja e anës së ndonjë partie politike nga ana e një medie.  Zakonisht përmbajtjet e tilla bëhen më të theksuara kur afrohet një cikël zgjedhorë.

Foto nga shkrimi që e recensojmë
Foto nga shkrimi që e recensojmë

Linku deri te artikulli: Ziadini,pa e ftuar askush në Qeveri,u vetëofrua dhe doli blof!

Data e publikimit: 07.03.2021

Data e recensionit: 15.03.2021

Recensuese: Ajnur Bafqari

Favorizim i një partie të caktuar politike, sulm ndaj një koalicioni, komente, konstatime, lidhshmëri mes gjërave të palidhura, supozime dhe gjithçka tjetër që është jashtë çdo etike gazetareske. Të gjitha këto janë të përmbledhura në tekstin që po recensojmë, i cili edhe pse shkon në kategorinë e informacioneve, vetëm informacion nuk përmban.. Autori bën një lloj analize, duke mbledhur disa deklarata, e duke e servuar atë si një artikull gazetaresk.

“Vetëm te opozita shqiptare nuk ekzistojnë̈ të ashtëquajturat “vija të kuqe” kur duhet të jenë dhe nëse ato shfaqen atëherë ato mbeten vetëm kushti për të hyrë në Qeveri. Kaq është, sepse kauza e tyre është të qenurit në qeveri” thuhet në tekst.

Mbani mend: Objektiviteti është arma më e fortë e gazetarisë

Meqë qëllimi i një artikulli është dërgesa e një porosie me qëllim të ndikimit të caktuar mbi mendimin publik, në tekstin që po recensojmë shihet qartë se një gjë e tillë ka prapavijë tendencioze. Autori edhe përskaj përpjekjeve që të ketë një tekst gjithpërfshirës, anshmëria që ka bërë, duke favorizuar një parti politike, e bën atë shumë subjektiv. Komentimi është shumë i dukshëm edhe pse është futur si pjesë integrale e “informacionit”.

Përmbajtje tendencioze, qëllimi “shpërlarja e trurit”

Të vetmet fakte janë deklaratat që janë grumbulluar me një vend, por përzierja me elemente të shumëta të komentimit dhe mënyra se si është shkruar teksti, e shtrembëron të vërtetën dhe një gjë e tillë haset madje edhe në titullin me të cilin autori ka përzgjedhur ta kurorëzojë tekstin.

Koncepti i manipulimit “Argument kundër personit ”

Ky koncept manipulimi është një prirje për sulm ndaj ndonjë pretendimi përmes sulmit të personit që e përfaqëson atë. Në rastin konkret sulmohet kreu i njërës parti politike, që është pjesë e koalicionit, më pas edhe kreu i subjektit tjetër politik, poashtu pjesë e koalicionit, duke i diskredituar ata se nuk janë të thirrur të deklarohen për një ftesë të tillë, sepse gjoja askund nuk thuhet se ftesa është bërë konkretisht për ta.

Mos klikoni gjithçka ju del para, klikimi juaj kontribuon diku!

Përmes teksteve të tilla tentohet “shpërlarja e trurit”, mbledhja e poenave politik për një subjekt të caktuar, dhe mbledhja e klikimeve nga mediat e internetit. Herën tjetër përpara se të kontribuoni për të gjitha këto që i përmendëm më lartë dhe përpara se të bëheni karremi i tyre, kujdes se prej ku zgjedhni të informoheni.