Si NUK duhet të transmetohen reagimet ndaj kritikave

Iliria News: Drejtori Sela reagon kundër shkrimit të Arben Taravarit

Transmetimi i reagimeve të ndërsjella mes personave dhe institucioneve sigurisht se duhet të transmetohen, nëse përmbajnë temë me interes publik, por të njëjtat duhet të përpunohen në formë të artikullit gazetaresk dhe të ketë gjithë-përfshirje të palëve. Të mos jenë të njëanshme, siç është rasti me artikullin që e recensojmë.

Iliria News: Drejtori Sela reagon kundër shkrimit të Arben Taravarit

Linku deri te artikulli: “Drejtori Sela reagon kundër shkrimit të Arben Taravarit”

Data e publikimit: 02.11.2019

Data e recensionit: 03.11.2019

Recensuese: Fatbardha Curri

Si nuk duhet të transmetohet reagimi!

Fillimisht, artikulli që përmban reagimin e drejtorit të Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela nuk është përshtatur që lexuesit apo publiku ta kuptojë gjendjen faktike të problemit për të cilin ka transmetuar. Së këndejmi, artikulli nuk ka nisur me informatën se kush është duke folur dhe për çfarë është duke folur, por është copy-paste e reagimit të Selës.

“Kryeqytetari i Gostivarit, Arben Taravari, në faqen e tij në Fejsbuk paska botuar një reagim kundër Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës, nëpërmjet të cilit shfaqet si një dalzotës i gjuhës shqipe. Për t’i flakur të pavërtetat e tij, jemi të detyruar t’i marrim me radhë dhe t’i sqarojmë për hir të qytetarëve. Së pari, Arben Taravari që në titull thotë: “BDI-ja emëron maqedonas të përkujdesen për zbatimin e gjuhës shqipe”. Pa dashur të bëjmë avokatin e BDI-së, A. Taravari e ngatërron emërimin dhe punësimin. Pra, mund të emërohet një funksionar, bie fjala një ministër, një drejtor etj., por në këtë rast është fjala për punësim dhe jo për emërim!”, thuhet në paragrafin e parë të artikullit që e recensojmë.

Në vend të tij, media është dashur të bëjë një parahyrje se drejtori i Agjencisë për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, Ylber Sela ka reaguar ndaj kryetarit të Gostivarit, Arben Taravari, pasi ky i fundit ka kritikuar për X – çështjen e caktuar, që në këtë rast ishte “punësimi i dy maqedonasve në Agjenci”.

Njëanshmëri dhe mospërfshirje e palëve

Krahas trametimin jogazetaresk të reagimit dhe mosprecizimit se ai transmetohet si i plotë pa ndërhyrje, media gjithashtu ka qenë e njëanshme apo nuk i ka përfaqësuar palët në artikull në të njëjtën mënyrë. Nga këtu, ajo ka transmetuar reagimin e Selës, kurse askund nuk ka shkruar në artikull se çfarë ka thënë Taravari. Nga këtu media është treguar e njëanshme, që është në kundërshtim me Kodin Etik të Gazetarëve.

“Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga senzacionalizmi. Në proceset gjyqësore duhet të respektohet parimi i pafajsisë, të raportohet për të gjitha palët e përfshira në kontest dhe të mos sugjerohet vendimi”, thuhet në parimin e dhjetë të Kodit Etik të Gazetarëve.

Nga këtu, në artikull është përdorur edhe koncepti i manipulimit “Argument kundër personit”, i cili ka për qëllim të transmetojë informata dhe qëndrime që vërtetojnë hipotezën e synuar nga media apo personi që ka reaguar, duke krijuar situatë dhe disponim në publik, për krijim të qëndrimeve kundër personit ndaj të cilit reagohet, në këtë rast Taravari.

Për mediat: Informohuni nga më shumë palë

Për të kuptuar pasqyrën reale të një problemi, në këtë rast të “punësimin e dy maqedonasve në Agjenci”, është mirë të informoheni nga më shumë palë. Në këtë rast, megjithëse media nuk e ka transmetuar qëndrimin e Taravarit, por vetëm reagimin kundër tij, është e udhës ju vet të kërkoni për palën tjetër. Kjo mund të ju nxis të bëni në kërkim në rrjetin social “Fejsbuk” (Facebook), për të kuptuar reagimin  e Taravarit. Në këtë formë ju do të jenë të mirëinformuar dhe do të krijoni pasqyrën e plotë mbi situatën.